Bota

Merkel: Pozicionim i qartë për qendrim të hapur ndaj botës

Merkeli kishte ftuar për të diskutuar në një takim të nivelit të lartë për integrimin. Pas fitores në zgjedhje të Trumpit, ajo kërkoi angazhim për një “Gjermani të hapur”.

Si shumë gjëra këto ditë, takimi i nivelit të lartë për integrimin në Zyrën Kancelarore ishte disi në hijen e fitores në zgjedhje të Donald Trumpit. Me retorikën e tij kundër imigrimit, Presidenti i zgjedhur i SHBA-së e ka nxitur atmosferën kundër migrantëve në SHBA. Që të dielën ai bëri të ditur se menjëherë pas ardhjes në pushtet do të dëbojë dy deri në tre milionë imigrantë ilegalë.

Edhe në Gjermani migrantët janë të shqetësuar që populistët e djathtë do të marrin vrull dhe në këtë mënyrë do t’i përforcojnë paragjykimet kundër të huajve. Kështu, një gazetar turk e pyeti Kancelaren gjermane si u përgjigjet ajo shqetësimeve të tilla. “Të gjithë neve na kërkohet që të pozicionohemi qartë pro një Gjermanie të hapur ndaj botës”, u përgjigj Kancelarja dhe bëri thirrje për një Gjermani të hapur dhe të lidhur me vlerat.

Merkel: dinjiteti i njeriut është i paprekshëm

“Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm, dhe kjo vlen pavarësisht nga feja, prejardhja, orientimi seksual dhe tipare të tjera, gjinia për shembull. Kjo është ajo që na drejton. Për këtë ne edhe angazhohemi”, theksoi Kancelarja dhe bëri të qartë që ky diskutim zhvillohet edhe pavarësisht nga Presidenca e Trumpit.

Tema e mirëfilltë e takimit të nivelit të lartë ishte pjesëmarrja e migrantëve. Ishte një “takim shumë inkurajues”, theksoi pas takimit Kancelarja duke folur para shtypit të kryeqytetit. Organizatat e migrantëve janë të hapura dhe tregojnë shumë angazhim, para së gjithash vullnetin për të marrë pjesë në jetën aktive në punë, në shoqëri dhe në procesin politik.

Özoguz: Gjermania e kupton veten më në fund si një vend imigrimi

Në fillim të takimit të nivelit të lartë, Merkeli bëri thirrje për një shkëmbim të hapur mendimesh. “Mendoj edhe se ne mësojmë mjaft nga gabimet dhe ato që nuk kemi bërë në të shkuarën, duke qenë edhe që pranë meje rri ulur një shembull i suksesshëm integrimi, jo vetëm pranë meje, por edhe këtu në këtë tryezë, nëse mund ta them kështu.”

Fjalë lëvduese për të Ngarkuarën për Integrimin të qeverisë gjermane, Aydan Özoguz (SPD), prindërit e së cilës erdhën në vitet 1950 si “punëtorë mysafirë” nga Turqia në Gjermani. E Ngarkuara për Integrimin u tregua pas takimit e gëzuar, që Gjermania “më në fund e sheh veten si vend imigrimi”.

Barazia e shanseve nuk është arritur

Megjithatë, shumë njerëz me origjinë migranti kanë edhe më tej ndjesinë se nuk janë krejtësisht pjesë e Gjermanisë. Është prejardhja sociale ajo që vazhdon të vendosë për suksesin në profesion. Origjina e migrantit në aplikime për vende pune shpesh është disfavor. Një propozim për barazi shansesh në tregun e punës: anonimizimi i kandidatëve. Özoguz gjithashtu u ankua se pjesa e njerëzve me origjinë migranti në shërbimin publik ende është shumë e vogël. Një kuotë, mbi bazën e numrit të migrantëve në Gjermani do të ishte një zgjidhje, tha ajo.

Qëndrimi i hapur si bazë për një bashkëjetesë të suksesshme

Merkeli e karakterizoi mësimin e gjuhës gjermane si kusht bazë për integrimin. Në pjesëmarrje në shoqëri bën pjesë edhe respektimi i themelit të vlerave të fiksuara në kushtetutë dhe qëndrimi i hapur i shoqërisë së imigrimit, të gjitha këto janë me rëndësi vendimtare për një bashkëjetesë të suksesshme në Gjermani. Merkeli kërkoi që migrantëve t’u drejtohen në mënyrë më të përqendruar për të kontribuar në shërbime vullnetare. Ajo tha se ekziston një gatishmëri e mjaftueshme për të marrë pjesë.

Gatishmëri e madhe për angazhim vullnetar te migrantët

Gatishmërinë e migrantëve për të dhënë kontribut vullnetar e konfirmoi të hënën edhe një studim. Në bazë të “vëzhgimit për vullnetarët”, rreth 31 përqind e migrantëve janë tashmë aktivë si vullnetarë. Tek fëmijët e lindur në Gjermani në familje migrantësh, me pasaportë gjermane, kuota e vullnetarëve, me 43,2 përqind madje është shumë më e lartë, bëri të ditur gazeta Passauer Neue Presse.

Shumëllojshmëria në kushtetutë?

Kancelarja kujtoi në takimin e nivelit të lartë 890.000 azilkërkuesit, të cilët erdhën vitin e kaluar në Gjermani. Por këta njerëz duhet të ndihmohen jo vetëm në Gjermani, por edhe në atdheun e tyre, tha ajo. Për këtë në buxhetin federal të vitit 2017 janë caktuar shumë më tepër mjete financiare se më parë, tha Kancelarja.

Para takimit të nivelit të lartë, 50 shoqata migrantësh kërkuan hartimin e një ligji federal të pjesëmarrjes dhe të integrimit, si dhe ngritjen e një këshilli të hapjes ndërkulturore si dhe fiksimin në ligj të mbrojtjes nga diskriminimi. Shumëllojshmëria duhet të fiksohet në kushtetutë si objektiv shtetëror, kërkuan ata. Në këto ide, Merkeli dhe Özoguzi nuk u ndalën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button