Bota

A ka politikë të jashtme Donald Trumpi?

Nga Emma Ashford*

Në shfaqjen e suksesshme muzikore, “Hamilton”, Mbreti George, i sapo dëbuar nga kolonitë revolucionare amerikane, sfidon subjektet e tij të mëparshëm, që të justifikojnë zgjedhjen e tyre.

“Po tani?” pyet ai: “Ju jeni liruar. A e dini se sa e vështirë është që të udhëheqësh? Ju jeni vetëm. Mrekulli! Uau! A e keni idenë se çfarë ndodh tani?”

Edhe ne sot mund të bëjmë të njëjtën pyetje.

Ngritja e papritur e Donald Trumpit në Presidencë paraqet një dështim të anketuesve, një riorientim të politikës amerikane, dhe ngre pyetjen themelore, se çfarë lloj politikash ka të ngjarë që të ndjekë, një administratë Trump.

Në politikën e jashtme, deklaratat e Trumpit gjatë gjithë fushatës kanë qenë thellësisht jokoherente, duke filluar nga pikëpamjet më tradicionale prej fajkonjsh republikanë në çështje si marrëveshja me Iranin, deri tek ato më joortodokse, për vetëpërmbajtje, në lidhje me Sirinë dhe konflikte të tjera të Lindjes së Mesme, e deri tek qasja e tij më pajtuese ndaj Rusisë dhe fiksimi vërtetë i çuditshëm tek i forti i Kremlinit, Vladimir Putin.

Atëherë, vijmë tek pyetja: Po tani? Si do i qaset politikës së jashtme, administrata e Trumpit? Dihet që, me një president të papërvojë, këshilltarët kanë shumë më tepër pushtet. Kështu që, në një masë të madhe, zgjedhjet e Trumpit në politikën e jashtme do të varen se kë ai zgjedh, jo thjeshtë për të qenë këshilltarët e tij kryesorë në politikën e jashtme, por edhe mënyrën si do të plotësojë pozicionet në politikën e jashtme. Ka dy skenarë të mundshëm që mund të imagjinojmë:

Skenari i Parë: Izolacionisti

Presidenti i zgjedhur Trump – i asistuar prej këshilltarëve nga krahu Breitbart i Partisë Republikane – mund të zgjedhë të dyfishojë premtimin e “America First”, apo edhe për politikat mbi tregtinë dhe imigrantët, që e ndihmuan të zgjidhet.

Kjo qasje do të sjellë disa përmirësime në krahasim me administratën Obama (ose nga politikat  që me gjasë do të ndiqte Hillary Clintoni): potenciali për më pak përfshirje të SHBA në konfliktet civile në Lindjen e Mesme përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë.

Megjithatë, ndryshe nga politikat e jashtme të matura e të përmbajtura që shpesh janë përshkruar gabimisht si izolacionizëm, politikat e Trumpit do të ishin me të vërtetë izolacioniste, me një politikë të jashtme më pak aktive, kombinuar me kufizime në tregti dhe imigrim, që do të sillnin një tërheqje të Amerikës nga bota.

Vënia e theksit tek fitorja me çdo kusht nga ana e Trumpit, do të krijonte konflikte me shumën zero me shtete të tjerë, dhe ndoshta do të shpinte drejt luftërave të rrezikshme tregtare kundër fuqive të tjera të mëdha.

Skenari Dy: Imperialisti

Një tjetër tipar i fushatës së Trumpit ishte retorika e tij pothuaj Jackson-iane, me fokusin e vet në rëndësinë e forcës ushtarake. Thirrjet e tij të përsëritura që ISIS të shtypet, që familjet e terroristëve të vriten dhe bindjet e tij edhe më të çuditshme për të marrë naftën e Irakut, gjejnë të gjitha vend në paradigmën e tij, për një Amerikë të fokusuar tek vetvetja, por që gjithësesi e vlerëson shumë fuqinë e vet ushtarake.

Përveç kongresmenëve republikanë me prirje fajkonjsh, si dhe zëvendës presidentin e tij, Mike Pence, kandidatët më të përfolur për të zënë vende në administratë përfshijnë mendimtarë neokonservatorë si John Bolton dhe fajkonj si Gjenerali Mike Flynn.

Ashtu si në skenarin e parë, ana e mirë e kësaj është se SHBA do të përfshihej në më pak konflikte civile të panevojshme. Por ana negative është më me peshë, me rritje domethënëse të shpenzimeve ushtarake dhe rritje të gjasave për konflikte.

Sigurisht, këto janë dy opsione ekstreme. Skenari më me gjasë për një politikë të jashtme gjatë presidencës Trump është ndoshta një përzierje më e butë e këtyre zgjedhjeve, me Trumpin që ndoshta mbron qasjen e tij pajtuese ndaj Rusisë, por që nga ana tjetër përkulet para fajkonjve në kongres.

Politika e tij e jashtme mund të mbetej jokoherente, thjeshtë me reagime në mënyrë të përditshme ndaj krizave. Ose është e mundur që Trumpi i injoron kryesisht çështjet e politikës së jashtme, apo ndoshta edhe që ai do të jetë i kufizuar prej një kombinimi të elitave të politikës së jashtme dhe nëpunësve civilë në brendësi të burokracisë së politikës së jashtme.

Por këta skenarë sërish ngrenë një shqetësim serioz: ne thjeshtë nuk e dimë se çfarë të presim nga politika e jashtme e Trumpit. Kështu që, teksa mësohemi me idenë e një presidence Trump, na duhet të pyesim veten: Po tani? Askush nuk e di.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button