Ekonomia

Zbardhet marrëveshja me CEZ, ja si u bindën çekët

Çekët shlyejnë huan e BERZH-it, falen detyrimet, s’ka procedime penale dhe civile

Nga Zamir Alushi

largea_cez-shperndarje1353166496Pala çeke e CEZ-it nuk merr para nga Shqipëria, por është BERZH dhe disa huadhënës të tjerë, që do t’i arkëtojë këto këste për kreditë e marra nga kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Vlera e tyre, përfshirë interesat, shkon në 95 milionë euro. Ndërkaq, pala çeke i shet me çmimin 1 euro shtetit shqiptar 76% të aksioneve që i zotëronte. Se si u bindën çekët që të pajtohen me palën shqiptare dhe të ndërpresin procesin gjyqësor, kjo zbulohet nga marrëveshja që u publikua dje e plotë.

Zgjidhja me pajtim

Me zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare, palët lirojnë dhe shkarkojnë nga përgjegjësia në mënyrë të përhershme njëra-tjetrën nga të gjitha përgjegjësitë dhe pretendimet. Pala shqiptare heq dorë nga çdo taksë, tatim, detyrim apo penalitet i vendosur ose i bërë i detyrueshëm si rezultat i kontrolleve tatimore në proces apo të vendosur para datës së marrëveshjes, ndërsa çekët mbyllin çdo procedim që ka për objekt taksat apo tatimet e vendosura nga Shqipëria. Në këtë kuadër, të dyja palët angazhohen të mos ngrenëprocedime civile, tregtare apo administrative në lidhje me ndonjë çështje që lidhet me CEZ apo anëtarë të këtij grupi. Siç është fiksuar në marrëveshje, qeveria nuk ka ndonjë procedim në proces, nuk ekzistojnë baza dhe nuk ka fakte që janë të njohura, që do të rezultonin në fillimin e ndonjë hetimi, qëllimi i të cilit do të ishte kërkimi i përgjegjësisë penale në Shqipëri kundër CEZ apo të punësuarve të saj.

Pronësia intelektuale

Marrëveshja zbardh edhe arsyen pse u ndryshua emri i kompanisë nga CEZ në OSHEE. Pala jonë angazhohej që CEZ SH të marrë emër të ri me qëllim që të përjashtohet çdo referim në emrin e tij të fjalës “CEZ” dhe CEZ SH të pushojë plotësisht së përdoruri në biznesin e tij ndonjë nga të Drejtat e Pronësisë Intelektuale të CEZ.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

Të gjitha mosmarrëveshjet që burojnë në lidhje me këtë dokument do të zgjidhen përfundimisht në bazë të Rregullave të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë. Vendi i arbitrazhit do të jetë Gjeneva, Zvicër, ndërsa gjuha e arbitrazhit do të jetë anglishtja. Ndërkaq, Shqipëria heq dorë nga imuniteti, nëse do të ketë masa sigurimi apo vendime gjyqësore lidhur me ekzekutimin e garancisë. Ky kufizim përjashton vetëm rastet kur zbulohen mashtrime. Marrëveshja përfshin edhe opsionin e ndarjes së CEZ-it.

Antikorrupsioni

Asnjë ryshfet, përveç pagesës për kateringun 

Marrëveshja largon çdo dyshim për ndikime korruptive, madje ka një nen të veçantë ku theksohet se, nëse zbulohet diçka e tillë, palët kanë të drejtë të anulojnë kontratën. Në këtë nen garantohet se palët apo të punësuarit e tyre nuk kanë dhënë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, dhe nuk do të japin ndonjë pagesë te ndonjë zyrtar shqiptar apo çek për të siguruar nëpërmjet ryshfetit ose influencës, lidhjen e kësaj marrëveshjeje. “Në rast se ka shkelje të kësaj dispozite, Republika e Shqipërisë do të ketë të drejtën të kërkojë zhdëmtimet e mundshme sipas ligjit të zbatueshëm të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në këtë nen. “Përveç tarifave të arsyeshme dhe proporcionale të kateringut dhe të qirasë, të kryera në lidhje me takimet e negociatave, palët nuk kanë paguar, nuk kanë premtuar dhe nuk do të paguajnë ndonjë ryshfet, dhuratë apo pagesë personale, direkte apo indirekte, tek ndonjë punonjës i shërbimit civil”, saktësohet në këtë pjesë të dokumentit.

Pagesat

Shtator 2014 – CEZ SH do t’i paguajë CEZ 10 mln euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë huan e BERZH/KNF në shumën 10 mln euro.

7 gusht 2015 – CEZ SH do të paguajë 21,750,000 euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë huan e BERZH/KNF prej 6,625,000 euro.

7 gusht 2016 – CEZ SH do t’i paguajë CEZ 21,083,333 euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë huan e BERZH/KNF prej 6,625,000 euro.

7 gusht 2017 – CEZ SH do t’i paguajë CEZ 21,083,333 euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë huan e BERZH/KNF prej 6,625,000 euro

7 gusht 2018 – CEZ SH do t’i paguajë CEZ 21,083,333 euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë pjesën e mbetur të huave të BERZH/KNF

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button