Home / roze / Brad Pitt e Marion Cotillard në premierën e filmit “Allied”

Brad Pitt e Marion Cotillard në premierën e filmit “Allied”

Ylli i Hollivudit Brad Pitt dhe aktorja franceze Marion Cotillard ishin në Londër për premierën e filmit të tyre të ri “Allied”.

Kryeqyteti britanik ka qenë ndalesa më e fundit e rrugëtimit promocional për thrillerin e Luftës së Dytë Botërore, ku Pitt interpreton oficerin kanadez të shërbimeve të inteligjencës Max Vatan, ndërsa  Cotillard, militanten e rezistences franceze Marianne Beausejour.

Rrëfimi i filmit nis në 1942-shin, në Afrikën Veriore ku Vatan dhe Beausejour bashkojnë forcat për të vrarë ambasadorin gjerman. Gjatë misionit ata hiqen si një çift të martuarish, por më vonë bien vërtet në dashuri me njëri-tjetrin. Marrëdhënia megjithatë ndërlikohet e vihet përpara një sprove të fortë kur lindin dyshime mbi besnikërinë e Beausejour.

Yjet i priti një turmë e madhe fansash në Leicester Square ku ata nuk kanë ngurruar të bëjnë “selfie” me adhuruesit e vet e të japin autografe.

Pitt i ka qëndruar larg eventeve publike që prej ndarjes nga Angelina Jolie në muajin shtator. Asokohe u fol për një episod në avion, ku 52-vjeçari kishte pasur një shpërthim nervash në sy të fëmijëve, por këtë muaj u shfajësua nga çdo pretendim për abuzim me ta. “Allied” do të shfaqet në kinematë botërore në 23 nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.