Home / Arte / Libri / Vorea Uko, vargje për Enver Hoxhën

Vorea Uko, vargje për Enver Hoxhën

Studiuesi arbëresh, Agostino Giardano, thotë se në dorëshkrimet e mbetura nga poeti Vorea Ujko ka gjetur vargje ku i thurte lavde regjimit komunist

VoreaUjkoÇfarë këngësh/ midis malit dhe fushës/ këndova brenda makinës/ gjatë tërë udhëtimit… Vorea Ujko shkruan kështu në vargjet e fundit të poezisë natyra në Firmo, ku ndau jetën. Domenico Bellizzi zgjodhi pseudonimin Vorea Ujko për ta vënë në fund të poezive të tij të ndjera apo shkrimeve atdhetare përtej Adriatikut. Sot Ujko radhitet përkrah poetëve më të rëndësishëm italio-shqiptarë të shekullit XIX së bashku me Girolamo De Rada (1814-1903) e Giuseppe Serembe (1844-1901). Vargjet e Voreas janë të lidhura ngushtësisht me eksperiencën e tij si arbëresh edhe pse nuk kanë ngjyrimet nacionaliste që gjenden te poetët e tjerë shqiptarë në Itali. Agostino Giardano është njohur me Ujkon fillimisht përmes vargjeve. I tërhequr nga stili i tij i ndjerë Giardano i ka kushtuar studime të tëra veprës së arbëreshit. Letërsia arbëreshe dhe personazhe që e bënë këtë letërsi kanë qenë në qendër të kumtesave të mbajtura në Prishtinë gjatë ditëve të Seminarit të Albanologjisë. Një kumtesë mbi veprat e Vorea Ujkos nga poeti dhe studiuesi Agostino Giardano ka sjellë debate në konferencë. Giardano ka treguar se në dorëshkrimet e Ujkos kishte gjetur shkrime që i thurnin lavde Enver Hoxhës, dhe kishte qenë në mëdyshje në duhet t’i botonte apo jo. “Një kopje të dorëshkrimeve e kishte Lidhja e Shkrimtarëve të Tiranës”, është shprehur Giardano, i cili ka shtuar se në letërsinë e pas Domenico Bellizzi, përveç mallit për Shqipërinë dhe vargjeve për Enver Hoxhën gjen dhe kuptimin e fjalëve liri, demokraci dhe pavarësi. “Shqiptarizmi i tij fillon aty ku përfundon arbëreshizmi i Jeronin de Radës”, – është shprehur studiuesi Giardano. Kumtesa e studiuesit arbëresh ka ngjallur debate mes studiuesve në Konferencën e Albanologjisë, mbi adhurimin që poeti arbëresh ka shprehur për Enver Hoxhën, duke qenë se ka qenë edhe prift dhe dihet qëndrimi që komunizmi në Shqipëri mbajti ndaj fesë. Sipas Giardano-s, Ujko ka qenë gjithnjë në kundërshti mes poetit dhe priftit. Ujko e ka vizituar Shqipërinë duke ecur në tokat shqiptare, ndryshe nga De Rada i cili e ngriti gjithë letërsinë e tij për Shqipërinë përmes imagjinatës. Letërsia arbëreshe ka qenë e njohur në Shqipëri edhe gjatë kohës së komunizmit, dhe pse studiues dhe njohës të kësaj letërsie shprehen se ka pasur censurë. Tashmë është koha kur të njihet më mirë kjo letërsi, dhe vizioni i njerëzve që e bënë atë. Vargjet për Enver Hoxhën nuk ia heqin Ujkos petkun e poetit, që prej larg mbajti gjallë gjuhën shqipe, duke e përsosur atë në vargje.

“Ndjemë, o e paharruara/Mos qaj/se mjafton sa qave/për bijtë gjatë shekujve/ Ti e di, nënë Shqipëri/Që unë s’kam asnjë faj/nëse jetoj larg teje/
ashtu ka qenë fati i shkretë/E është e kot t’i kujtojmë hallet/ Erërat kanë fryre mbi mua/ Dëborërat kanë rënë mbi mua/si dhe mbi kokën tënde/Por mes erërave e dëborërave/fytyra jote e largët/ me forcoi e me ngushëlloi…”, shkruan Ujko. Poeti vdiq në një aksidenti automobilistik më 26 janar 1989. Po dje studiuesi Giardano ka promovuar në ambientet e Seminarit të Albanologjisë librin e tij me poezi “Telat e zemrës”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: