Muzike

Eno Peci dhe “La Traviata”, së shpejti në TKOB

Teatri i Operës dhe Baletit hap sezonin e ri artistik shtator-dhjetor

Teatri i Operas dhe BaletitTeatri i Operës dhe Baletit hap sezonin e ri artistik në fillim të shtatorit, për të vijuar deri në mbyllje të këtij viti kalendarik. Sezoni i shkuar, i cili përkoi edhe me ardhjen në krye të institucionit të drejtorit të ri Ilir Kerni, mund të quhet një sezon i suksesshëm për sa u përket shfaqjeve dhe audiencës nga ana e TKOB. Ngjitja në skenë e sopranos Ermonela Jaho me “Madam Butterfly”, baletet “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni” që risollën pas 20 vitesh në skenën shqiptare koreografin e njohur shqiptar që jeton në Paris, Angjelin Prelocaj, dhe një sërë aktivitetesh të tjera e bën Operën një nga institucionet artistike më të frekuentuara të sezonit që shkoi. “Sezoni artistik për periudhën shtator-dhjetor do të vazhdojë të jetë shumë i ngjeshur dhe me shfaqje të larmishme dhe do të përfshijë aktivitete artistike të shumta, produksione të rëndësishme dhe personazhe të njohur, të cilët janë pritur shumë mirë nga publiku”, – thuhet në njoftimin e TKOB. Në kalendarin e këtij sezoni do të jenë opera si “La Traviata” e Verdit, e cila pritet të vijë me një produksion tërësisht të ri, “La Boheme”, “Toska” e Puçinit, “Cosi fan Tutte” nga Mozart, etj. Do të rikthehet këtë sezon dhe baleti Coppelia, i cili u ngjit në skenë sezonin e shkuar. Baleti premierë “Midis Vjenës dhe Salsburgut” do të ngjisë në skenë balerinin e njohur Eno Peci. Koreografi italian Daniel Cardioso do të ngjisë në skenë baletin “Table”, “Impact” dhe “Risveglio dell’umanità” me pjesëmarrjen e koreografëve Stefanescu/Cosi, dhe të balerinit shqiptar Dorian Grori. Nuk do të mungojnëkoncertet simfonike, si dhe mbrëmjet Gala me të ftuar të veçantë. Ansambli popullor do të vijë me këngët dhe vallet e bukura të folklorit tonë në disa koncerte, të cilat do të zhvillohen jo vetëm në skenën e TKOB-it por edhe në shesh dhe nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Projekti “Edukimi përmes artit” do të synojë të afrojë brezin e ri me artin klasik shqiptar dhe atë botëror, apo folklorin tonë. Në kuadër të këtij projekti do të vendosen në skenë disa shfaqje si baletet “Balloja e Diplomës” dhe “Hirushja”, si dhe do të organizohen ture dhe ekspozita për të shpjeguar procese të ndryshme të krijimit dhe vendosjes në skenë të një vepre të veçantë. “Balloja e diplomës” më 19 shtator, do të shfaqet në Tetovë. Projekti “Koreolabos” i cili synon t’u japë mundësi koreografëve të rinj, nuk do të mungojë edhe këtë sezon. TKOB do të bëhet pjesë e aktiviteteve me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator. Kori, orkestra apo solistë të këtij institucioni do të jenë pjesë e një turi në qytete si Durrës, Tiranë, apo Shkodër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button