Home / Kryeartikull / Të ikësh ndershmërisht
Andrea Stefani

Të ikësh ndershmërisht

Një herë, vetëm një herë në jetë e kam takuar gazetarin Andrea Stefani. Ndodhi para disa muajve, kur rastësisht në njwrën nga rrugët e Tiranës, u ndeshëm përballë njëri tjetrit dhe, si duket , nga fotografitë, e njohëm njëri-tjetrin.

Ishim, dhe jemi, të dy bashkëpunëtorë të së njëjtës gazetë, DITA, nuk e di nëse Andrea ishte edhe anëtar i kolegjiumit të saj, por ajo kishte qenë media që na kishte bashkuar dhe na kishte hapur një rrugë të lirë për të thënë atë që mendonim.

Andrea ishte gazetar i njohur në Shqipëri. Impulsiv, ndoshta më impulsiv se sa mund të pritej, i përpirë në mendimet e tij, ndoshta nganjëherë deri në atë bartje që nuk mund të shkonte më tej, në bisedë ai ishte i qetë, do të thoja disi i ftohtë, dhe asgjë nga ajo që vërehej në shkrimet e tij nuk mund të shfaqej përmes fjalëve në një takim të rastësishëm.

Disa ditë më parë kishim pasur dy replika ndaj njëri-tjetrit; njëra kishte lidhje me nocionin e kombit dhe përfytyrimin ndaj heroit të tij, dhe, tjetra, ishte një përgjigje e tij lidhur me nacionalizmin, ku nuk e di ende pse na kishte bërë bashkë në një shkrim Kadarenë edhe mua.

Rrinim në këmbë në qoshen e një rruge dhe pastaj u ulëm të pinim një kafe. Në të vërtetë pimë çaj. U kthyem dhe i rikthyem tek tema që kishim pasur mes nesh dhe, ndërsa më jepte të drejtë për përceptimin tim ndryshe të heroit të një vendi, nuk mund të pajtohej kurrësesi se një kombi të vogël nacionalizmi i bën nder, si isha shprehur unë në replikën time.

Ishte e vështirë të ishe i një mendje me gjithçka ai kishte thënë në shkrimet e tij, por, po ashtu, ishte e vështirë të zemëroheshe për këtë.

Në portretin e tij kishte diçka rebeluese. E gjithë qënia përcillte rebelimin, që nga flokët, mënyrën se si fliste, lëvizjet e befasishme, por edhe mirësia e paskajshme për të të bërë rrugë në mendimin tënd.

Mund të debatoje me të, por nuk mund të ziheshe.

Nuk e dija se ishte i sëmurë. As që më shkonte në mendje se pas atij pasioni qëndronte një trup i cili po brehej nga një sëmundje e pashërueshme dhe asgjë e tij nuk e shprehte këtë.

Fliste me të njëjtin pasion, por qetësisht, tepër qetësisht, dhe asaj dite, por edhe tani, kur ai nuk është më, nuk mund ta mendoj se pasioni i vinte nga që shpejtonte të ishte edhe më tej i pranishëm dhe se qetësia i vinte nga brejtja që po vinte në trupin e tij.

Nuk patëm komunikime të tjera. Shkëmbyem numrat e telefonëve, adresat në internet, thamë se do të takohemi përsëri dhe do të kemi një bisedë tjetër, ndoshta më të gjatë, por nuk bëmë as njerën e as tjetrën.

Në vend të saj kishim edhe një replikë nga larg për luftën nacional çlirimtare dhe më vjen keq që nuk i shkuam deri në fund, pavarësisht se të dy mendonim ndryshe.

Tani nuk është më. Na duhet , mjerisht, t’i themi lamtumirë. Lajmi i dhënë , përmes DITA, ishte kaq i befasishëm për mua, sa që edhe tani më duket e vështirë ta besoj. Si duket, pasioni për jetën nuk kishte qenë i mjaftueshëm për të qenë ende pjesë e saj.

Një bisedë, në një takim të rastit, nuk është më shumë se sa një bisedë. Nuk ishim miq, nuk kishim as kohë të ishim. Me shumë nga mendimet e tij isha krejt një mendje, me disa të tjera, nuk isha. Kjo ndodh rëndom mes njerëzve.

Por biseda në vete me mbeti në mendje. Jo se ramë në një mendje. Përkundrazi, ne mbetëm të dy , pak a shumë, në mendimet tona.

Më mbeti në mendje aftësia e tij për të të dëgjuar deri në fund me kujdes, jo i rrëmbyer, jo kryeneç, si ndodh shpesh herë me analistë të ndryshëm; jo mospërfillës, megjithëse ishte deri në fund në sinorët e mendimit të tij.

Kam menduar jo pak herë se sa e lehtë do të ishte nëse njerëzit, edhe pse nganjëherë lëvizin në kahe të ndryshme, nuk do të lejonin që këto kahe të bëhen të kundërt.

Andrea ishte një njeri i tillë. Këmbëngulës, i ndryshëm, që kurrë nuk synonte të bëhej i kundërt, që në gjuhën tonë mediale do të thonte armik.

Do i mungojë medias sonë një zë i tillë, i veçantë, shprehës, që nuk synonte të njësohej në shumësin e anonimëve, por që edhe guxonte t’i binte ndesh edhe asaj që mund të mendohej ndryshe.

Është një lajm që të trondit ky i largimit të Andrea Stefanit.

Sidoqoftë, ashtu si jetoi, ashtu edhe u largua.

Ndershmërisht.

Në këtë kohë të trazuar, dallavaresh dhe kalkulimesh, të largohesh ndershmërisht, nuk është pak.

Është shumë, do të thoja.

Njeri i pakorruptuar, që synonte dhe i lejonte vetes t’i binte edhe murit politik, u largua pa zhurmë, pa i thënë askujt se në cilin hall ndodhej, duke botuar edhe para pak ditësh idetë e bindjet e tij, dhe, kur duket se gjithçka ishte e paskajshme në kalimin e saj, la pas emërin e tij, që për shumë kohë do të jetë ndër më të çmuarit e gazetarisë së pas viteve ’90.

Pushofsh në paqe, Andrea.

BEDRI ISLAMI

Leave a Reply

%d bloggers like this: