Home / Arte / Ekspozita / “Skulptura e parkut” rikthehet në Korçë

“Skulptura e parkut” rikthehet në Korçë

Ngritja e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, mbledh studiues të artit nga e gjithë bota

skulptura“Skulptura e parkut”, quhet tema e simpoziumit që ka mbledhur dje në qytetin e Korçës artistë, arkitektë dhe studiues të artit. Këto dy dekadat e fundit parqet tona kanë pasur mungesa të skulpturave apo dhe në rastet që ka pasur të tilla kanë qenë të kritikueshme. Nëse në botë skulpturat e parqeve janë një art, i cili daton herët me një histori suksesi, Shqipëria është ende në përpjekje për të krijuar një traditë suksesi në këtë art. Ky diskutim mbi artin e skulpturës synon ngritjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor, duke regjistruar memorien historike të qytetit, format e ndryshme të shprehjeve artistike, por edhe të shpjegojë rëndësinë e një vepre arti në hapësirat urbane. Simpoziumi i skulpturës u krijua në vitin 2008. Bashkia e qytetit të Korçës ka pritur 32 skulptorë në simpoziumin ndërkombëtar “Skulptura e Parkut”, të cilët i kanë dhuruar qytetit 32 vepra të artit bashkëkohor në gur. Fillimisht Korça mirëpriti skulptorë nga Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Portugalia, Greqia, Rumania, Zelanda e Re, Hungaria, Spanja dhe Shqipëria, të cilët realizuan 32 vepra të artit bashkëkohor. Skulpturat janë vendosur në parkun “Rinia” në Korçë. Ky vend është kthyer në një mjedis të vizitueshëm, jo vetëm nga qytetarët korçarë, por edhe nga turistët. Në simpoziumin e vitit 2014 do të mbahen edhe laboratorë arti për fëmijët, në projektin “Të gdhendim të ardhmen”, mbështetur nga Ministria e Kulturës. Pjesëmarrës në këtë simpozium ndërkombëtar janë artistët Ayla Turan nga Turqia, Attila Rath Geber nga Hungaria, Antonis Myrodias nga Greqia dhe artisti shqiptar, Genti Tavanxhiu. Zhvillimi i simpoziumit bëhet në një ambient të propozuar nga Bashkia e qytetit të Korçës dhe mundëson qytetarët të bëhen spektatorë në çfarëdo momenti të punës së skulpturës, të shikojnë se si artistët, një bllok guri e transformojnë pak nga pak në një vepër arti. Ky është vetëm një nga aspektet e simpoziumit, pasi zhvillimi i tij konsiston kryesisht në punën e skulptorëve në kontakt të ngushtë njëri me tjetrin e përballje me të përditshmen. Nga ky aspekt, artistëve shqiptarë do t’u krijohet mundësia e krahasimit të dijeve, qoftë në aspektin teknik e teorik, si dhe eksperiencash në vite. Në përfundim të këtij aktiviteti, qyteti i shtohet një galeri natyrore veprash arti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.