Kosova

Përurohet spitali 7 milionësh në Vushtrri, hapja bëhet edhe me këndimin e Kuranit nga një hoxhë

Spitali i Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, tashmë ka infrastrukturën dhe pajisjet më moderne. Kështu u tha në inaugurimin e punimeve të këtij spitali, investim ky i Emirateve të Bashkuara Arabe, në të cilin u investuan 7 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ishte prezentë në inaugurimin e këtij spitali, tha se ky është një simbol i miqësisë së dy vendeve Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai tha se objekti dhe pajisjet moderne, të këtij spitali duhet të shfrytëzohen në mënyrë cilësore dhe të jenë në shërbim të qytetarëve.

Ndërsa falënderoi për përkrahje Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët siç tha ai si miq, i kanë ndihmuar gjithmonë Kosovës.

“Është një hap i rëndësishëm, në përgatitjen gjithëpërfshirëse të infrastrukturës shëndetësore për të mundësuar reforma të rëndësishme dhe të suksesshme, për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në këtë rrugëtim spitali “Sheikh Zayed”, me 6 departamentet e tij dhe pajisjet moderne, do të jetë pa dyshim një pikë referuese, për mbi 400 mijë banorë në Vushtrri dhe rrethinë. Si një ndër projektet më madhore të shëndetësisë kosovare të pasluftës, ky spital paraqet dorën e fundit të pajisjeve dhe infrastrukturës moderne”, tha ai.

Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në Podgoricë, Hafsa Abdulla Al Ulama tha se ky spital është simbol i miqësisë së dy vendeve Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndërsa i pyetur për mungesë të stafit në spitalin i cili sot u inaugurua, ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se shumë shpejtë do të zgjidhet dhe ky problem.

Përveç emrit të spitalit, ajo që ishte interesante është hapja e këtij spitali, i cili është bërë me këndimin e Kuranit nga një hoxhë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button