Home / Opinion / 8 dhjetori i ëndrrave dhe i dyshimeve

8 dhjetori i ëndrrave dhe i dyshimeve

Nga Bedri Islami

Në paraditen e 8 dhjetorit 1990 rastisi të isha në “Qytetin Studenti”. Shefi im i gazetës, Spiro Dede, më kishte thënë se mund të ishte mirë nëse do të bëja një shkrim-reportazh, por, nguli këmbë ai, “nuk ka gjë pse mund të jetë ndryshe”. Spiro Dede është njëri ndër dy shefat e mi si gazetar, së bashku me Namik Doklen dhe, me të dy, ishte e lehtë të punoje.

Në “Qytetin Studenti” ishte qetësi, por gri-ja e asaj dite dukej kudo. Më shumë se një qytet studentor, ishte një qytet i ngrirë. Gjithçka ishte e zbrazët, ndoshta edhe nga që të ftohtët sapo kishte filluar.

As mendja më e specializuar nuk do të thonte se kjo do të ishte një ditë pikëkthese në historinë e vendit, ashtu si edhe sot, askush nuk mund të thotë nëse ishte gjithçka e përgatitur dhe pritej vetëm “fitili”, apo ngjarjet rrodhën spontanisht, vrullshëm, marramendshëm shpejt.

Sistemi ishte në shthurjen e tij të madhe. Në janarin e atij viti ishte synuar të hidhej busti i Stalinit në Shkodër, më tepër se gjithçka një akt simbolik proteste, pasi askush nuk kishte ndër mend të mbronte një gjeorgjian që u kishte punuar qindin gjithë kombësive të një shteti të madh si Bashkimi Sovjetik. Kishte pasur lëvizje proteste në aq shumë raste, herë këtu e herë aty, sa që shumëkush e dinte se godina e ngritur në më shumë se 4 dekada, ishte gati në të shembur.

Nuk bëra asnjë shkrim asaj dite. Udhëtova drejt Shkodrës dhe vetëm në mëngjes herët, nga një telefonatë familjare, mësova se asaj nate po lëvizte boshti i një vendi.

Ngjarjet tashmë dihen: asnjëherë ky vend nuk ka patur më shumë shpresa se sa nga 8 dhjetori i vitit 1990 deri në marsin e vitit pasues. Asnjëherë më shumë ëndrra nuk ka pasur. Një shumicë dërmuese e njerëzve ishin stërlodhur. Pushteti atë që premtonte të ta jepte në darkë, ta hiqte në mëngjes.

Dhe dhjetori i vitit 1990 ishte padyshim dhjetori më ëndërrues që ka pasur ndonjëherë ky vend, për të sjellë pas vetes kaq shumë zhgënjime, pyetje e dyshime, të cilat, edhe në këto kohë të hapura të informacionit, kanë mbetur brenda enigmës së tyre.

Enigma e parë: ishte e përgatitur nata e 8 Dhjetorit apo gjithçka ishte spontane; shteti e dinte se çfarë po bëhej gati të ndodhte apo ishte aq sylesh sa që të mos e kuptonte? Kishte dijeni udhëheqja e lartë e Partisë së Punës apo vetëm dy a tre njerëz në hierarkinë e saj? Ishte e përgatitur që të fillonte pikërisht nga studentët, shumica e të cilëve, me pak përjashtime, vinin nga familje të lidhura me pushtetin, ndryshe nuk merrje dot të drejtën e studimit, apo kjo ishte zgjidhja e minutës së fundit? Ishte gjithçka nga padurimi studentor apo vetë brenda radhëve të tyre kishte filluar një lëvizje e re opozitare?

berishaUdhëheqja e lartë e PP-së ishte në dijeni se ishte “ në të plasur”. Informacione, të bëra të njohura më pas, të ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar Ramiz Alisë dëshmojnë për këtë. Dihet edhe përgjigja e këtij të fundit se “çfarë mund të na bëjnë studentët, për këtë mërzitesh ti”. Jam i bindur, nga zhvillimet e mëtejshme, se shumë nga trupa drejtuese e partisë – shtet nuk kishin informacione të tilla, ndoshta nga që rreziku i një lëvizje ekstreme nga brenda tyre do të ishte më me pasoja për ato elementë që mund të paraqiteshin me prirje liberale, aq sa mund të gjendeshin prirje të tilla.

Njohja me disa nga materialet e atyre muajve, korrik – dhjetor 1990, dëshmojnë se e gjithë gjendja shpërthyese njihej nga një pakicë drejtuese dhe lejohej po prej saj. Disa vendime të kohës, njëri nga të cilët ai që nuk e cilësonte më aktin e arratisjes si tradhti, ishte një hapje rruge, por vetë kupola nuk mund të hapte të gjithë rrugën. Ajo, si duket, bëri trazimin dhe më pas, të tjerwt e hapën atë.

Enigma e dytë: Pse 8 dhjetori? Ishte një ditë e zgjedhur rastësisht, një ngecje në sistemin e organizimit të një planifikimi të ngadaltë dhe të frikshëm njëkohësisht për planifikuesit, apo u gjet rastësisht një “defekt” elektrik në “Qytetin Studenti”?

Defekte të tilla kishte pasur kurdoherë. Jo vetëm në 8 dhjetor. Jo vetëm asaj nate. Jo vetëm në atë qytezë studentore, por kudo. Megjithatë, asgjë nuk kishte lëvizur. Shumë njerëz dilnin në terrinën e krijuar në rrugicat e rrugët e qyteteve ku banonin dhe shanin, si i thonë, me të parë e të fundit, gjithë pushtetin. Disa vite më parë jo do të ishte harakiri. Tani po bëhej e zakonshme.

8 Dhjetori nuk u zgjodh rastësisht. Partia –shtet ishte para shumë zhvillimeve dramatike. Droja që kishte ardhur pas ngjarjeve në Rumani, i kishte bërë të mendonin për kokën e tyre. Çuditërisht ato ditë në gazetën “Zëri i Popullit”, gazetari i njohur, miku im i mirë, Astrit Nuri, kishte bërë një shkrim provokativ me titullin “Kush tha se koha e komunistëve ka mbaruar”, dhe, mjeshtërisht, kishte dhënë mesazhin se të gjithë po e presin këtë fund. Astrit Nuri kishte bërë një blasfemi, do të qortohej nga “lart”, por shkrimi përhapi një të vërtetë se njerëzit e duan këtë fund.

Pra, sa më shumë që shkohej drejt fundit të dhjetorit, aq më shumë ngjallej dyshimi i përsëritjes së skenarit rumun, që po ashtu kishte ndodhur në dhjetorin e një viti më parë.

Me përjashtime të vogla, studentët që e filluan asaj nate protestën e tyre, aq sa ishin ëndërrorë, aq nuk ishin në dijeni të asnjë veprimi që bëhej diku larg, në një ndërtesë që ata synonin ta shembnin. Ata ishin ëndërrorë, përballë kishin një trupë politike të regjur me lojwrat e politikës, të cilët, edhe pse po e përhapnin zjarrin vetë, këtë herë përmes një defekti elektrik, shpresonin që në këtë zjarr të ngrohnin duart dhe të mos digjeshin gështenjat.

Enigma e tretë: Si doli Azem Hajdari në krye të kësaj lëvizje demonstrative.

Megjithëse ai është shpallur Hero i Demokracisë, më shumë nga akti i vrasjes së tij, për shumicën e shqiptarëve, ai vazhdon të mbetet njeriu më enigmë në Lëvizjen e Dhjetorit dhe, njëkohësisht, njeriu që nuk duhej të ishte aty.

Azemi ishte studenti me armë, i cili kishte lidhjet me të qeta dhe jo pa gjë pas, me Sigurimin e Shtetit. Nuk ishte banor i atij qyteti dhe lidhjet e tij me studentët ishin të jashtënatyrshme, kjo edhe për shkak të moshës së ndryshme. Më shumë se njeri i politikës, më pas ai do të cilësohej si njeri i sherreve, i hyrjeve dhe daljeve në partinë që drejtoi pak ditë, herë do të shpallej njeriu që organizoi vrasjet e 2 prillit në Shkodër, akuzë nga vetë partia e tij, herë hero: herë do e mallkonin dhe tani dërgojnë lule.

Vetëm një herë në jetë e kam parë Azem Hajdarin, mw 1 prill 1991. Menjëherë pas zgjedhjeve të 31 marsit, ku PD-ja kishte fituar qytetet dhe Partia e Punës kishte fituar fshatrat, por që ishte ende shumicë. Shkodra, ku PD-ja kishte humbur vetëm në një zonë, ishte e trumhasur, e mekët dhe në pritje.

Në rrugën kryesore të qytetit shëtisja me mikun tim gazetar, Jani Malo, kur, pikërisht në qendër të qytetit, ku ishte asaj kohe selia e PD-së, njerëzit po grumbulloheshin dhe po fliste Azem Hajdari. E gjithë fjala e tij ishte thirrje për luftë.

-Çfarë thotë ky gomar, thashë pak me zë të lartë, nuk e di ky se kjo është fitore e Pirros dhe nuk ia vlen të derdhet gjak?

Jani Malo më tërhoqi nga krahu dhe më tha të bëj kujdes, se njerëzit janë gjaknxehtë dhe nuk dihet se çfarë ndodh.

2 Prilli filloi nga fjala e Azem Hajdarit. Nuk do të kishte ndodhur. “Lideri” i dhjetorit nuk e di se çfarë roli kishte pasur në natën e 8 Dhjetorit dhe kush e kishte dërguar, por mw 1 prill në Shkodër atë e dërgoi krimi i një dite më pas.

Kam lexuar shumë për dërgimin e tij në lëvizjen studentore. Shumë gjëra janë në mjegull. Nuk e di se kush e dërgoi, por jam i bindur se, nëse do të kishin dashur të dërgonin një më të prapshtë, nuk do të mund ta kishin gjetur.

Enigma e katërt: Kush e dërgoi Sali Berishën.

Që Sali Berisha nuk ka shkuar me kokën e tij, kjo tashmë dihet, pasi , më herët ai është thirrur nga Xhelil Gjoni dhe është dërguar për të qetësuar lëvizjen studentore, të cilës po i printe “ një tropojan”. Ai shkoi aty sëbashku me Besnik Mustafajn. Mustafaj njihej si një intelektual “kundër”, i cili, jo vetëm dëgjonte, por edhe fliste. Dy vite para dhjetorit 1990, një natë, ndërsa ishim sëbashku në Shkodër, Mustafaj do të ishte njeriu i parë “brenda pushtetit” që do të më fliste aq shumë kundër Enver Hoxhës dhe regjimit dhe i kam qenë gjithnjë mirënjohës, veçanërisht për besimin.

Berisha njihej si intelektual dhe mjek i mirë, por çfarë kërkonte ai për të shuar një lëvizje studentore?

Fjalimet e para të tij, sidomos pjesët ku flet për Ramiz Alinë, janë si dy pika uji me citimet që i bëri Enver Hoxha kur e propozoi si presidentin e ardhshëm të vendit. Cilësimet e tij për Enver Hoxhën, si njeriu që bëri luftën nacional çlirimtare, ishin po ashtu një reminishencë e Alisë…

Të dy burimet kanë një adresë: Ramiz Alinë.

Në natën e 8 Dhjetorit, kur ai ishte fillikat në shtëpinë e Alisë, askush nuk e di se çfarë është biseduar, sapo del, Mustafaj i thotë se, eja të shkojmë, mbaroji edhe kjo punë. Berisha i përgjigjet, “Përkundrazi, tani filloji”.

Kur ishte nisur të “qetësonte” studentët, ai kishte menduar se ishte një rrugë e shkurtër. Kur doli nga selia e Alisë tha se ishte vetëm fillimi.

Sikur, si i thonë, “me këmbë të kalit ta kishin kërkuar” studentët nuk do të mund të gjenin një lider më mjerueshëm mizor, determinues, të ankthshëm, frymëmarrës, mbi të cilin, vitet që erdhën pas dhjetorit 1990, bartën kaq shumë krime, shumica e të cilëve nuk janë thjeshtë politike.

Berisha rehabilitoi dhe thirri në skenën e politikës së tij, krahas ëndërrorëve, edhe shumë figura të lidhura ngushtë me Sigurimin e Shtetit, dhe të devotshëm ndaj këtij sigurimi; ai thirri në skenë dhe rehabilitoi të gjithë strukturën e UDB-së , e dënuar në Shqipëri dhe i dërgoi edhe në mjedise të rëndësishme politike, dalngadalë ai zuri frymën e çdo shprese dhe i dëboi ëndërrimtarët e dhjetorit të vitit 1990 me kamxhikun e dhunës dhe të shërbimit të tij sekret…

Leave a Reply

%d bloggers like this: