Bota

Michael Moore: Trump nuk do të zgjidhet President nga Kolegji

Që prej mundjes së Hillary Clinton, progresistët në Shtetet e Bashkuara kanë debatuar rrugët dhe mënyrat sesi mund të ndalohet Donald Trump nga marrja e detyrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Përpjekjet për rinumërim e deri tek thirrjet drejtuar delegatëve që të votojnë Hillary Clinton dhe të rrëzojnë Donald Trump në Kolegjin Elektoral, janë dy nga skenarët e (pa)mundur për të ndalur miliarderin njujorkez.

E mes këtyre zërave është edhe regjisori i famshëm dhe kontravers, Michael Moore. Moore, fitues i disa çmimeve me dokumentarët e tij dhe autor i një serie të tillësh për sulmet e 11 Shtatorit, ishte ndër zërat e parë që parashikoi fitoren e Donald Trump, madje ishte ndër të vetmit që e parashikoi këtë fitore në disa shtete tradicionalisht demokrate.

Por tani Moore bën një tjetër parashikim; Donald Trump thotë ai nuk do të arrijë kurrë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai nuk është akoma President i Shteteve të Bashkuara. Nuk do të jetë deri në mbrëmjen e 20 janarit të 2017. Deri atëherë janë edhe gjashtë javë përpara dhe në gjashtë javë mund të ndodhë gjithçka”, deklaroi ai për “Late Night” me Seth Meyers.

Ai thotë se Donald Trump mund të mos kalojë Kolegjin Elektoral.

“Këto kanë qenë ndër zgjedhjet më të çmendura. Asgjë nga ato që prisnim nuk ndodhi, e kundërta ndodhi. Prandaj është e mundur që në këto gjashtë javë diçka tjetër, gjithashtu e papritur të ndodhë”, deklaroi regjisori.

Komentet e Moore mbërrijnë pak ditë pas daljes publike të një të zgjedhuri republikan në Kolegj, i cili u bë i pari që deklaroi se nuk do të votojë për Donald Trump.

“Kolegji Elektoral duhet të vendosë nëse një kandidaturë është e kualifikuar, nuk është demagog dhe i pavarur nga influenca të jashtme dhe zoti Trump na tregon vazhdimisht se nuk i plotëson këto standarde. Nuk i detyrohem asnjë partie. U detyrohem vetëm fëmijëve të mi për t’u lënë një komb tek i cili të kenë besim”, do të deklaronte Christopher Suprun, zjarrfikës i dalë në pension dhe përfaqësues republikan në Kolegj.

Suprun bëri publike se në vend të Trump zgjedhja e tij do të shkojë për guvernatorin e Ohajos, John Kasich.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button