Home / Ekonomia / Ligji i ri i strehimit social, së shpejti në qeveri

Ligji i ri i strehimit social, së shpejti në qeveri

Projektligji për strehimin social pritet që së shpejti të kalojë për miratim në qeveri, ndërsa është duke iu dhënë ‘dora e fundit’ komenteve finale. Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban strategjia e miratuar tashmë për strehimin së bashku me ligjin e ri od të shërbejnë si kuadër rregullues për këtë çështje.

Për vitin 2017 është parashikuar që një fond prej 560 milionë lekësh për të garantuar kushte të përmirësuara jetese një strehim të përballueshëm. Ministria parashikon: përmirësimin e kushteve të jetesës për 740 qytetarë të komunitetit rom dhe egjiptian; strehimin e të paktën 135 familjeve të pastreha nëpërmjet programit tonë për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit në bashki të ndryshme të vendit ; subvencionimin e interesave të kredive me interes 0 dhe 3% për rreth 4,300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët që prej vitit 2009; mbulimin e qirasë në masën 50 deri në 100% të vlerës për 210 familje nëpërmjet instrumentit financiar të bonusit të strehimit; ofrimin e grantit të menjëhershëm për 20 familje i jepet për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës, si dhe pagesën e qirave të 174 familje që janë prekur nga zbatimi i projektit të rrugës Transballkanike, në Vlorë dhe projektit të Unazës së Madhe, në Tiranë.

Ndër ndryshimet që parashikohen në projektligjin e strehimit social janë: dyfishimi i programeve të strehimit, (ku përfshihet edhe programi i strehëve të përkohshme); dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale edhe familjet pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit, i  cili do të jetë i kombinuar me fondet që MZHU planifikon me ato të bashkive; krijimi i pronarit social, si mundësi që subjektet private, duke hyrë në marrëdhënie me bashkinë, të japin me qira banesat e tyre; krijimi i fondit social (sigurimi i banesave si fond i përhershëm i bashkisë), rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimi në fond banesash  si dhe sigurimi i një strehimi të përshtatshëm për komunitetet vulnerabile.

Përveç programeve ekzistuese janë shtuar edhe tre të reja, duke e zgjeruar në këtë mënyrë kategorinë e përfituesve në nevojë.

Pra në total do të jenë gjashtë:

a) Programi i banesave sociale me qira;

b) Programi i banesave me kosto të ulët;

c) Programi i banesave ekzistuese ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri;

d) Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;

e) Programi i strehëve të përkohshme dhe

f) Programi i banesave të specializuara.

Programet e reja u japin mundësi bashkive të krijojnë fondin e strehimit për të dhënë banesa sociale me qira, si edhe të përshtatin kërkesat për strehim të qytetarëve, në një nga këto programe, mbështetur në kushtet ekonomike, sociale dhe familjare të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.