Politika

Maqedoni, ndërmjetësimi i Ramës: Krerët e partive shqiptare në Tiranë

Kriza politike paszgjedhore në Maqedoni spostohet në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ka thirrur në negociata sekrete krerët e katër partive shqiptare që morën deputetë në zgjedhje. Të gjtha partitë kanë pranuar ftesën dhe kanë mbërritur në Tiranë. Burime për Top Channel thonë se Tirana po kërkon të bashkojë të gjithë faktorin shqiptar.
Edi Rama lëshoi mesazhe të drejtpërdrejta për partitë shqiptare në Maqedoni, të cilat kanë në dorë formimin e qeverisë së re në Shkup, pas zgjedhjeve të kësaj të diele. Nga pritja me diplomatët e akredituar në Tiranë, ai kërkoi që ata të flasin me një zë për të rivendosur çështjen shqiptare brenda kornizave të Marrëveshjes së Ohrit dhe që të luftojnë për barazi të plotë të dy popujve brenda shtetit të Maqedonisë.
“Meqë Maqedonia është në përfundim të një procesi zgjedhor, i përgëzoj të gjithë të zgjedhurit pa përjashtim, por ata shqiptarë në mënyrë të veçantë. Uroj që të gjejnë forcën që të çojnë përpara një axhendë të përbashkët, për të arritur cilësisht bashkëjetesën demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas. Për ta rivendosur në krye të axhendave të tyre të përveçme partiake Marrëveshjen e Ohrit si emërues të përbashkët dhe për të kërkuar me një zë që programi i qeverisë së re, cilado qoftë ajo, të futet në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Rama.
Por, përveç mesazheve publike, Top Channel ka mësuar se kryeministri po realizon edhe takime kokë më kokë me të gjithë krerët e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni. Këtë e konfirmojnë burime nga Shkupi, por edhe nga qeveria. Të gjitha partitë kanë pranuar ftesën dhe përfaqësuesit e tyre kanë mbërritur në Tiranë.
Shefi i qeverisë shqiptare kërkon të ketë një lexim sa më të qartë të situatës pas votimeve dhe synon që të nxisë ndërveprimin mes tyre për një qasje të përbashkët ndaj interesit madhor të barazisë mes dy popujve, si një parim bazë i Marrëveshjes së Ohrit. Këtë, ai e tha edhe publikisht.
“Partitë shqiptare në Maqedoni kanë identitetin e tyre dhe programet e tyre. Ato nuk janë të detyruara që të bien dakord me njëra-tjetrën për gjithçka, por janë të detyruara nga interesi i të gjithë shqiptarëve pa dallim, që të flasin me një zë të vetëm për të vetmen gjë që nuk mund të ndahen: parimin e barazisë së plotë mes dy popujve në liri, të drejta, detyrime në suazën e shtetit të përbashkët të Maqedonisë”, deklaroi Rama.
Tirana duket sikur nuk kërkon që të mbajë krah, por, deri tani, ajo çka dihet është se Ali Ahmeti ka nisur kontaktet me Gruevskin. Ky i fundit, për rekordin negativ të të drejtave të njeriut, rolin e tij autoritar në rritje dhe “flirtimin” me Rusinë duket se nuk është më i favorizuari i Europës. Megjithëse burimet nuk e thonë, ai është gjithashtu jo më i preferuari i Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button