Bota

Ligji i ri për mediat, protesta të dhunshme në Poloni

Përshkallëzojnë në dhunë protestat para Parlamentit polak në Varshavë kundër ligjit të ri që kufizon lirinë e mediave.

Policia përdori gaz lotsjellës e forcë fizike për shpërndarjen e mbështetësve të opozitës, të cilët që nga mbrëmja e së premtes bllokuan zonën pranë dhomës së ulët të parlamentit, duke penguar hyrjet e daljet prej andej. Efektiveve ju desh të ndërhynin për t’u hapur rrugën zyrtarëve të qeverisë që do të largoheshin pas diskutimeve disa orëshe në parlament.

Qeveria populiste e së djathtës kërkon të kufizojë numrin e gazetarëve që do të lejohen të mbulojnë zhvillimet e parlamentit. Sipas ligjit të ri që do të hyjë në fuqi në 1 janar, vetëm 5 rrjete të përzgjedhura televizive do të mund të hyjnë në dhomën e ulët për të ndjekur punimet e për të kryer intervista.

Për opozitën bëhet fjalë për një hap të ri drejt autoritarizmit. Për shkak të pakënaqësive lidhur me ligjin, deputetët e opozitës vonuan votimin e buxhetit, që u zhvillua më vonë jashtë sallës kryesore për herë të parë që prej vendosjes së demokracisë në 1989-n.

Ndërsa përfaqësues të partisë në pushtet pretendojnë se prania e kuorumit bënte që votimi të konsiderohej i vlefshëm, opozita thotë se ai është i paligjshëm dhe kërkon një rivotim javën e ardhshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button