Politika

Prapaskenat e takimit me Erdogan, çfarë premtoi Nishani në Turqi kundër njerëzve të Gylenit në Shqipëri

Vizita zyrtare në Turqi e kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani, është shfrytëzuar sërish nga Presidenti, Recep Tayyip Erdogan për të paraqitur edhe njëherë kërkesën e Ankarasë që Tirana të bashkëpunojë në luftën kundër organizatës FETO, të Fethullah Gylenit. Dhe konfirmimi që ka marrë nga Nishani, mësohet të ketë qenë pozitiv. Kaq ka mjaftuar që Erdogan ta falenderojë Shqipërinë për këtë vullnet të shprehur.

Siç njofton Anadolu Agency, Presidenti i Turqisë në fjalën e mbajtur në konferencën e përbashkët për shtyp ka vënë në dukje se në takimin me homologun shqiptar është biseduar edhe rreth asaj që ai e ka cilësuar si organizatën terroriste Fetullahçi (FETO).

Por kjo temë e bisedës dypalëshe, raporton “BalkanWeb” për arsye ende të paqarta, nuk është bërë publike nga pala shqiptare. Në njoftimin e Presidencës nuk është përmendur në asnjë rresht, fakti se mes Nishanit dhe Erdogan të jetë diskutuar kjo çështje.

Duket se kjo është edhe arsyeja që pala turke vendosi sot ta bëjë publik këtë fakt. Anadolu Agency, duke cituar Erdogan raporton se Presidenti i Turqisë është shprehur gjatë takimit me Nishanin se Turqia ka marrë mbështetjen e kreut të shtetit shqiptar për të bashkëpunuar në luftën kundër FETO-s.

“Është e drejta jonë të kërkojmë që Shqipëria të pastrojë territorin e saj nga elementët të cilët janë kërcënim për Turqinë. Jemi në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe për sigurinë. Vendi jonë është duke dhënë përvojën dhe kontributin e tij ndaj policisë së Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.

gylen_1474703068-1895475

Në këtë fushë zhvillojmë trajnime të ndryshme. Këto trajnime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Gjatë takimit me Nishanin folëm edhe për organizatën terroriste FETO si dhe luftën kundër saj. Unë e falënderoj personalisht dhe në emër të popullit tim për ndihmën e dhënë ndaj nesh në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar ndër të tjera Erdogan, raporton Anadolu Agency.

Siç ka lënë të kuptohet në fjalën e tij, Presidenti i Turqisë ka falenderuar Shqipërinë për ndihmën e dhënë në lidhje me luftën kundër FETO-s, por pa dhënë shumë detaje. Se cilat janë rezultatet e kësaj lufte dhe cili ka qenë kontributi konkret i Shqipërisë, kjo nuk dihet ende. Fakti që pjesë e delegacionit zyrtar të Nishanit ka qenë edhe kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, e shton edhe më tepër misteret, raporton “BalkanWeb”. Për më tepër që Presidenca shqiptare u mundua ta fshihte këtë detaj nga njoftimi për shtyp.

Pas tentativës së 15 korrikut për grusht shteti në Turqi, Ankaraja zyrtare i dërgoi një kërkesë zyrtare Tiranës, të quajtur ndryshe si “Lista Gylen”, ku siç edhe u raportua në media bëhej fjalë për një listë personash që mbështeten financiarisht dhe janë përfaqësues të Fethullah Gylenit në Shqipëri, duke drejtuar veçanërisht institucione arsimore. Edhe aso kohe pala shqiptare heshti për këtë fakt, ç’ka e detyroi ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Hidayet Bayraktar ta pranonte në media ekzistencën e kësaj letre.

Edhe më herët, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nga sheshi i Namazgjasë ku ndodhej për fillimin e punimeve të xhamisë së re të kryeqytetit, lëshoi alarmin: nxirrni jashtë Shqipërisë Lëvizjen Gylen. Erdogan nuk e përmendi me emër lëvizjen e Gylenit që qëndron dhe jeton në SHBA, dhe të cilin pasi e kishte aleatin më të madh e ka shpallur një terrorist. Sherri mes tyre ka filluar pas protestave në parkun Gezi, kur struktura e Gylenit shumë e fortë në Turqi filloi të nxjerrë përgjime për korrupsionin e familjes së Erdoganit dhe ministrave të tij.

Që prej verës së vitit 2013 ata janë në një luftë të hapur. Dhe për të vazhduar këtë luftë Erdogan ka zgjedhur edhe tiranën ku sipas analistëve turq fondacioni Gylen ka rrjetin më të përhapur nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Pasi tha se për nxjerrjen jashtë të vllazërisë Gylen ai kishte folur dhe me homologun e tij Nishani dhe me kryeministrin Rama, Erdogan deklaroi nga Tirana në maj 2015, me një stit autoritarist, duke kërkoi përjashtimin e armiqve të tij nga Shqipëria. Ai i quajti ata “Strukturë paralele terrorriste”. “Ne i zëvendësojmë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka zhvilluar në Shqipëri. Këtë duhet ta keni të qartë”, – tha aso kohe Erdogan, pasi përmendi fondet e dhëna për xhamitë e Korçës, Elbasanit, Prezës dhe Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button