Home / Politika / A do të jetë Ilir Meta presidenti i ardhshëm i Shqipërisë?

A do të jetë Ilir Meta presidenti i ardhshëm i Shqipërisë?

Nga Bedri Islami

Zaret po hidhen. Këtë vit, krahas parlamentit të ri, do të kemi edhe një president të ri. Ëndërrimet kanë filluar, dilemat po ashtu. Në pikëpyetje janë vënë disa emra, shumë prej të cilëve figura të njohura politike, herë pas here pëshpëritet edhe ndonjë emër që, ndonëse do të jetë rrjedhojë e një mendimi politik, nuk do të jetë i “dorës së parë”.

Njeriu rreth të cilit janë përmbledhur më shumë mendime është shefi i integristëve socialistë, Ilir Meta, por edhe ndonjëri afër tij.

A do të jetë Ilir Meta presidenti i ardhshëm i Shqipërisë? Kjo nuk është më e rëndësishme, aq më tepër që, pas heshtjes së tij dhe flakërimit publik të njerëzve afër tij, ai nuk mendon se ky post do i shkonte tani për tani energjive dhe synimeve të tij. Posti i të parit të shtetit, kështu si është katandisur nga presidenti aktual, edhe pse mund të jetë i lakmuar, nuk përbën në të vërtetë forcën e një njeriu që duhet të ishte në atë vend.

Le të jemi të qartë: asnjëherë më parë ky post nuk është katandisur në këtë derexhe dhe nuk është kthyer në një avangardë politike e opozitës në këto përmasa sa kësaj here. Edhe në kishte pasur dikur një shkallë të natyrshme serioziteti dhe të marrurit seriozisht me të, gjithçka ka humbur. Në fakt askush nuk gëzohet se i foli presidenti dhe askush nuk është i habitur me veprimet e Nishanit. Më shumë se një njeri në krye të shtetit, ai e ka kthyer Presidencën në një shtojcë komike të selisë së PD-së, sa që i ka hequr të gjitha ngjyrimet e ligjshme që do të duhej të kishte. Edhe “ qokat” e deklarimeve të tij nuk merren seriozisht, gjë që e di edhe ai vetë, sa që edhe publikimin e tyre e bën tinëzisht, të shkruar e të pashpallur, sipas një liste që i afron familja e tij politike.

Në të gjithë këto vite, Nishani mendoi më shumë për çastin kur do të kthehet në partinë e tij, se sa për atë që duhej të bënte si kreu i shtetit. I zgjedhur rastësisht në atë post, sipas dëshirës së çastit të shefit të tij politik, Berisha, ende nuk e beson se është aty dhe, megjithëse një pjesë të emërimit e bëri nën partinë e tij dhe pjesën tjetër jashtë partisë së tij, ai mbeti “kapteri” besnik i partisë, me të gjitha atributet që mund t’i ketë dhënë ajo.

Nishani, pas qershorit, do të kthehet aty ku e filloi karrierën e tij si ushtarak, në ish-Shtëpinë Qendrore të Ushtarakëve, kthyer në një strukturë politike ushtarake, PD. Kjo është e drejta e tij, kësaj i shërbeu besnikërisht dhe do të vazhdojë të bëjë këtë deri në ditën e fundit kur mundimshëm do të ngjisë shkallët e Presidencës.

Por pas vetes lë një institucion i cili ka humbur krejtësisht besimin. Edhe të vetët nuk e besojnë më. Një njeri që gjithnjë bindet, edhe kur e di se po bëhet qesharak, humbet edhe tek të vetët. Sado të mendojë se një ditë ai do të merrte përsipër rolin e liderit të PD-së, kjo është një ëndërr e mbyllur. Pas humbjes së qershorit të vitit 2017, gjë thuajse e ditur nga çdo strukturë e PD-së, kushdo mund të jetë lideri i ri i opozitës, por vetëm Nishani nuk do të jetë. Opozita duke e bërë qesharak atë në drejtimin e opozitës, nuk do të rrezikojë të bëhet edhe qesharake, pasi është bërë tragjike, për hatër të një njeriu që i shërbeu, pa e ditur pse duhet të shërbente.

Loja me presidentin do të jetë më e vështira që do të njohë Shqipëria në këtë mes viti. Pazaret do të jenë të rënda dhe të vështira. Në mos kanë filluar, ata do të fillojnë së shpejti dhe përmes tyre do të bëhet aritmetika e zgjedhjeve të ardhshme. Do të jetë një lojë e heshtur, herë me dy porta e herë me tri të tilla, do të ketë zemërime të çastit e kthjellime, do të hidhen në lojën mediale emra të ndryshëm, rrethrrotullime dhe kthime në pikën fillestare.

Dy gjëra janë para vetes: ose një president i fuqishëm, mentar dhe i aftë t’i bëjë ballë lojës së rëndë të politikës, ose vazhdimin e nishanizmit presidencial, pra vendosjes së një figure sa për të qenë dhe shkatërrimit të mëtejshëm të staturës politike të presidentit të Republikës, për të kthyer edhe më tej në një post qesharak. Lëvizjet që janë bërë në Kushtetutën e vendit dy herët e fundit e kanë bërë edhe më pak të dëshirueshme këtë post për krerët e lartë partiakë, pasi dispozitat e tyre janë të reduktuara maksimalisht, por domosdoshmëria e një lëvizje pro presidencës së fuqishme është dobiprurëse për vendin.

A mund të kemi një president të fuqishëm?

Në pamjen e parë këtë mund ta bëjnë vetëm dy figura politike: Edi Rama dhe Ilir Meta. Dy partnerë në qeverisje, të cilët, aq sa janë sot afër njëri-tjetrit, aq mund edhe t’i kthejnë shpinën dhe të shohin diku tjetër. Nëse kështu ka qenë një herë, mund të bëhet përsëri. Më shumë se nga malli, të dy e duan njëri-tjetrin nga halli. Edi Rama synon rishtas drejtimin e qeverisë, ai është lideri i forcës më të madhe politike në vend, synimet e tij janë të qarta, ambicia e tij politike, po ashtu.  Askush nuk e përmend emrin e tij si shefi i ri i “Pallatit” presidencial, megjithëse do të kishte qenë një zgjidhje e shkëlqyer e një kohe tjetër. Ilir Meta është shefi i partisë së domosdoshme në qeverisje. E do apo nuk e do Ilir Metën, zgjidhja është me të. Kundër tij mbetesh në opozitë. Ai joshet dyanësh, edhe nga “sirenat” PD-iste, edhe nga “ vërshëllimat” socialiste. Kur njëra palë zemërohet me të, kjo do të thotë se ai është afër palës tjetër. Nuk besoj se ai mendon se kjo është dita e tij presidenciale. Mund të bëhet, po të dojë. Bile shumë vetë pranë qeverisë tuten që ta pranojë këtë post dhe të vazhdojnë bashkëqeverisjen, por pa të. Askush të mos mendojë se kjo bëhet për parime, është thjeshtë luftë tenderash brenda qeverisjes, të cilët mendojnë se pa të, pra, pa Metën, ndarjet mund të jenë më të lehta.

Nëse nuk do të kemi as Ramën e as Metën president, cili do të jetë?

Është thënë shpesh se posti i presidentit duhet t’i takojë forcës së dytë politike në qeverisje. Në këtë rast, LSI-së. Në pamjen e parë është kështu, por nuk është rregull i domosdoshëm. Edhe kur u zgjodh Nishani, LSI ishte në qeverisje dhe mund të kishte kërkuar postin e presidentit, por jam në dyshim edhe nëse është pyetur për zgjedhjen e minutës së fundit berishiane. Ose as i ka interesuar ose tani mund t’i interesojë fort, jo edhe aq për postin, por për raportet që do të krijohen dhe mesazhet që do të përcjellë.

Është e mundur që të delegohen përsëri marioneta politike, të cilat, qysh tani, duke e nuhatur shansin, kanë filluar të hedhin vickla dhe të dëshmojnë besnikëri ndaj shefit më shumë nga sa pritej?

Rreziku i kthimit të precedentit “Nishani”, kur presidenti zgjidhet në minutën e fundit, nga mendja e sëmurë e një njeriu, që nuk kërkon njerëz t’i shërbejnë vendit, por lolo t’u shërbejnë zotërinjve, mund të përsëritet, ose më saktë, është afër përsëritjes.

Mundësia e zgjedhjes së presidentit përmes votës popullore, sado është e bukur, është utopike. Duhet përmbysur edhe një herë Kushtetuta e vendit, sepse një president i zgjedhur nga populli do të thotë që vendi të jetë një Republikë Presidenciale e jo një Republikë Parlamentare. Sepse nuk mund ta zgjedhësh nga populli dhe të ketë të njëjtat kompetenca si tani. Atëherë do të ishte tallje e dyfishtë. Ideja e hedhur është më shumë politike, e momentit, për të dëshmuar “masivitet”, pra një ide populiste, pasi edhe ata që e bëjnë publike, e dinë krejt mirë se është e parealizueshme.

Mund të jetë herët të flitet për një president të ri, por nuk është herët të mendohet për një president të ri.

Nëse do të mendohet për një figurë të fuqishme, e vështirë ta gjesh, por jo e pamundur, është koha e matjes së pulsit, e diskutimit politik dhe e mendimit praktik. Gjeni një njeri që mendon me kokën e tij, jashtë kokave të nxehta politike, që ka krijuar emrin e tij jashtë jush e herë herë edhe kundër jush; një figurë politike statura e të cilit të ketë besimin njerëzor dhe që të mos ketë frikë t’ua hedhë çelësat nëse zullumet tuaja janë të pakapërdishme.

Nëse është fjala për rizgjedhjen e një njeriu që do të pasojë Nishanin, me gjithë çka ai, është shumë herët. Lëreni për ditën e fundit, le të bëjë dikush një propozim përmes telefonit, dhe çështja zgjidhet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: