Home / Ekonomia / Rritet importi i naftës, cigares dhe birrës

Rritet importi i naftës, cigares dhe birrës

Dogana: Në gusht 2013, rritja e akcizës nga karburantet, 25,9%

Nga Zamir Alushi

Drejtoresha e Pergjithshme e Tatimeve Briseida Shehaj dhe Drejtoresha e Pergjithshme e Doganave, Elisa SpiropaliNafta, birra dhe cigaret mbushin me para arkën e doganës. Pas gjashtë muajve që ecnin me ulje, janë ngritur ndjeshëm zhdoganimet e mallrave të akcizës. Si rrjedhojë, Administrata Doganore gjatë muajit gusht 2014 arriti një ndër shifrat më të larta në vite dhe më të lartën në vitin 2014, duke arkëtuar 14,707 miliardë lekë, ose 2,251 miliardë lekë (22 milionë USD) më shumë se në gusht të vitit 2013. Gjatë këtij muaji, si rezultat i kërkesës së lartë nga sektori turistik, shënoi ngritje kërkesa për birrë importi. Sasi e birrës së importuar ishte 17,4% më tepër se një vit më parë. Gjithashtu, edhe grosistët e cigareve kanë importuar më tepër. Sipas Doganave, akciza e mbledhur nga ky zë u rrit me 13,9%. Duke analizuar periudhën tetor 2013 – gusht 2014, sipas shifrave të Doganave, janë arkëtuar 138,7 miliardë lekë nga 122,8 miliardë lekë të mbledhura në të njëjtën periudhë paraardhëse, me një rritje prej 15,9 miliardë lekësh, ose 13% më shumë.

Nafta

Importi i nënprodukteve të naftës dhe gazit, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2008 ishte 436971 tonë, ndërsa pëson një ulje të lehtë në vitin 2009 duke zbritur në shifrën 432132 tonë për të marrë një ngjitje në vitin 2010, kur u zhdoganuan 484392 tonë karburante. Me fillimin e efekteve të krizës globale, në vitin 2011, në tregun shqiptar futen më pak karburante se në vitin pararendës. Kështu, në këtë vit u zhdoganuan 457250 tonë karburante. Ndërsa në vitin 2012 u zhdoganuan akoma më pak, 431858 tonë nënprodukte të naftës dhe gazit. Për vitin 2013, gjatë tetëmujorit të vitit 2013, që shënon periudhën e përfundimit të qeverisjes së demokratëve, u zhdoganuan 358851 tonë karburante, duke fiksuar në grafik një pikë të ulët. Kundrejt muajit gusht 2013, sipas të dhënave të djeshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, u zhdoganuan 25.9% më shumë karburante. I njëjti trend ishte edhe në muajin qershor dhe korrik 2014, që duket se shënojnë një kthesë pas rënies së importeve të naftës në muajt e parë. Kjo erdhi sepse grosistët blenë sasi të mëdha karburantesh para vitit të ri, në mënyrë që të shmangnin taksat e vendosura me paketën e re fiskale.

Rekordi

Zhdoganohen 55038 tonë naftë – Muaji i kaluar karakterizohet nga importet e larta të karburanteve nga kompanitë e tregtimit me shumicë të naftës. Në muajin gusht 2014 u zhdoganuan 55038 tonë përkundrejt 43729 tonë të importuara në të njëjtën periudhë të vitit kaluar, me një rritje prej 25.9%. Importet e naftës kanë ardhur në ulje që nga vitit 2005, me përjashtim të vitit 2010, i cili ka shënuar blerje rekord në tregun e huaj të karburanteve. Ndërkaq, nga të dhënat e INSTAT del se, eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon për t’u përdorur në konsumin vendas.

Cigaret – Në gusht 2014, u zhdoganuan 344.17 tonë cigare përkundrejt 302.20 tonë të importuara në gusht 2013, me një rritje 13.9%

Birra – Në gusht 2014, u zhdoganuan 7122 h/l birrë përkundrejt 6066 h/l në muajin gusht 2013, me një rritje 17.4%.

Leave a Reply

%d bloggers like this: