Home / Europa / Metrotë në grevë, Londra zhytet në kaos

Metrotë në grevë, Londra zhytet në kaos

Miliona londinezë mbërritën vonë në punë të hëhën, ose nuk shkuan fare, në ditën e parë të një jave kaosi në udhëtim për shkak të një serie grevash në sektorin hekurudhor.

Rrëmuja ka nisur me grevën e metrove të Londrës, diçka që detyroi banorët e kryeqytetit të përdorin makinat personale, autobusë tejet të ngarkuar, biçikleta, e madje edhe varka për t’u përballur me kaosin në lëvizje.

Radhë të gjata u formuan para stacioneve të metrosë, ndërsa trafiku në rrugë ishte shumë i dendur. Kryqëzimi hekurudhor “Claphan”, më i përdoruri në Britani në ditë normale, u evakuua nga autoritetet për shkak të turmave të mëdha të mbledhura aty.

Shumë londinezë thanë për mediet se, për shkak të mbingarkimit të autobusëve dhe trafikut të tmerrshëm në rrugë, kishin vendosur që të shkonin në punë në këmbë, pavarësisht se në vend të 20 minutave me mjete transporti, do u duhej të ecnin për 2 apo 3 orë.

Greva e së hënës në metro, e cila transporton çdo ditë mesatarisht 4.8 milionë njerëz, është preludi i një jave grevash industriale që do të prekë hekurudhat dhe fluturimet. Sindikatat ankohen për shkurtimet e buxhetit dhe vendeve të punës, ndërsa pritet që kaosi në udhëtim të prekë të gjithë Britaninë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: