Ekonomia

Tatimet: Biznesi i vogël të korrigjojë gabimet me deklarimet e shitje/blerjeve; Afati deri më 10 shkurt

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i është drejtuar përmes një njoftimi zyrtar sipërmarrësve të kategorisë së biznesit të vogël me TVSH dhe pa TVSH, duke iu kërkuar që të rishikojnë edhe një herë deklarimet e tyre për shitje/blerjet.
“Nga të dhënat aktuale në sistemin elektronik, mbështetur në vetëdeklarimin tuaj, rezulton se ka parregullsi në mbajtjen dhe deklarimin e totalit të blerjeve dhe shitjeve për vitin 2016”, thuhet në njoftimin zyrtar të DPT-së.
Nga ana e administratës tatimore, biznesit të vogël me dhe pa TVSH do t’u lihet afat brenda datës 10 Shkurt 2017 që të deklarojnë dhe korrigjojnë pasaktësitë lidhur me totalin e blerjeve dhe shitjeve për vitin 2016, përpara vlerësimit të tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke zbatuar një strategji të re komunikimi me bizneset, duke iu dhënë atyre mundësinë që të vetëkorrigjohen, përpara sesa ata të ndërmarrin vlerësimet dhe analizat e tyre sipas riskut.

Si bëhet vetëkorrigjimi
Ligj nr. 112/2016, datë 3.11.2016, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” parashikon procesin e kontrollit tatimor dhe vetëkorrigjimit.
Sipas ndryshimeve ligjore, Njoftimi i kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor të shkruar në njoftim, përveç kur kontrolli kryhet si rezultat i kërkesës së tatimpaguesit për rimbursim tatimor. Në rastin e kryerjes së vizitave fiskale, të cilat janë kontrolle të shkurtra të kryera gjatë një periudhe të shkurtër kohore për të verifikuar saktësinë e deklaratave e të pagesave, si rregull vetëm për një periudhë të caktuar tatimore dhe vetëm për një lloj tatimi, njoftimi i vizitës fiskale i dërgohet tatimpaguesit të paktën 10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të vizitës fiskale.”.
Ndryshimet e reja parashikojnë që në njoftimin e kontrollit tatimor duhet të jepet data dhe ora kur fillon dhe kur përfundon kontrolli tatimor. Kohëzgjatja e nevojshme e kontrollit përcaktohet nga të dhënat e analizës së riskut.
Me njoftimin e kontrollit tatimor, tatimpaguesit i jepet mundësia të deklarojë çdo të dhënë për transaksione të padeklaruara, për të cilat nuk është paguar tatim. Ky deklarim kryhet në Drejtorinë Rajonale Tatimore, nëpërmjet një formulari-pyetësor që i vihet në dispozicion së bashku me njoftimin për kontroll, brenda 30 ditëve kalendarike, por përpara fillimit të kontrollit tatimor.
Tatimpaguesi deklaron dhe paguan menjëherë tatimin ose kontributin përkatës së bashku me kamatëvonesën, të llogaritur në përputhje me nenin 76 të këtij ligji.
Për detyrimin tatimor të deklaruar përpara fillimit të kontrollit tatimor sipas pikës 3, të këtij neni, aplikohet dënim administrativ në masën 50 për qind të tatimit ose kontributit.
Nëse dënimi i aplikuar sipas kësaj dispozite është më i madh se dënimi që aplikohet për shkeljen sipas dispozitës përkatëse të kreut XIV, të ligjit, atëherë aplikohet dënimi më i ulët. Nëse tatimpaguesi nuk deklaron sipas pikës 3, të këtij neni, përpara fillimit të kontrollit prezumohet që nuk ka për të deklaruar dhe për çdo detyrim tatimor apo shkelje të konstatuar gjatë kontrollit aplikohen dënimet administrative sipas këtij ligji.”.
Tatimpaguesi mund të dorëzojë deklaratë të re tatimore, me ndryshime, në rastet kur deklarata tatimore fillestare është e pasaktë dhe me mangësi.
Deklarata e ndryshuar prej tatimpaguesit mund të dorëzohet brenda 36 muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare, me kushtin që kjo deklaratë të mos jetë kontrolluar më parë nga administrata tatimore.
Përjashtimisht përcaktimit të paragrafit të parë të kësaj pike, një deklaratë e kontrolluar mund të ndryshohet nga tatimpaguesi në çdo rast kur ai ka për të deklaruar një detyrim tatimor më të madh se detyrimi që ka rezultuar nga kontrolli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button