Bota

Macron: Euro mund të dështojë pas 10 vitesh

Euroja mund të mos ekzistojë pas 10 vitesh, nëse Parisi dhe Berlini dështojnë të forcojnë monedhën e përbashkët të unionit.

Ky është paralajmërimi i kandidatit presidencial francez, Emmanuel Macron, duke shtuar se sistemi aktual sjell më shumë përfitime për Gjermaninë, në dëm të vendeve anëtare më të dobëta.

Macron ka shërbyer si ministër i Ekonomisë nën drejtimin e presidentit socialist François Hollande, deri kur dha dorëheqjen muajt e fundit të 2016-s për të krijuar një lëvizje politike të tijën, e më pas të garonte si kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen këtë vit.

“E vërteta është se ne duhet ta pranojmë bashkërisht se Euro është e paplotë dhe nuk mund të zgjasë më tej pa reforma madhore”, tha Macron, teksa mbante fjalim në Universitetin “Humboldt” në Berlin.

Duke folur në anglisht, ai shtoi: Euro nuk i ka ofruar Europës sovranitet të plotë ndërkombëtar kundrejt dollarit me rregullat e saj. Nuk i ka ofruar Europës një konvergjencë natyrore mes vendeve të ndryshme anëtare.

Franca duhet të implementojë reformat për tregun e punës dhe të ristrukturojë sistemin arsimor të saj për të rikthyer rritjen ekonomike, ndërkohë që Gjermania duhet të pranojë se, fokusimi te investimet në vend të masave shtrënguese do të forconte rritjet ekonomike anembanë Eurozonës, deklaroi më tej politikani i qendrës.

“Mosfunksionimi i Euros është në avantazhin e Gjermanisë, këtë më duhet të them”, u shpreh Macron, duke shtuar se mungesa e besimit mes Francës dhe Gjermanisë po bllokonte reforma të rëndësishme që do të mund të rrisnin solidaritetin mes 19 vendeve anëtare të Eurozonës.

“Euro, aktualisht është si një Markë gjermane e dobët – tha Macron. – ‘Status quo’-ja aktuale është sinonim me shpërbërjen e Euros në një hark kohor prej 10 vitesh”.

Ai propozoi krijimin e një buxheti të Eurozonës për të financuar investimet e orientuara nga rritja ekonomike dhe për të zgjeruar ndihmat financiare ndaj vendeve anëtare në vështirësi.

Gjithsesi, ky do të ishte si një mallkim për Kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe ministrin gjerman të Financave, Wolfgang Schauble, me konservatorët që përballen me zgjedhjet federale këtë vit dhe që deri më tani kanë pasur rezistencë për ndihmat e shpëtimit ndaj Greqisë, nga individë që thonë se të tilla pagesa e kthejnë Eurozonën në një “union transfertash”.

Macron, një avokat në Francë i integrimit më të thellë europian, ka ndërmarrë hapin e pazakontë të inkurajimit të mbështetësve të tij për të brohoritur Bashkimin Europian në mitingjet politike, ndryshe nga politikanët e tjerë që zakonisht mbledhin turmat “kundër Brukselit”.

39-vjeçari Macron është forcuar ndjeshëm në sondazhet e fundit, që e tregojnë atë si “alternativa e tretë” në zgjedhjet presidenciale dhe që për pak mund të sigurojë edhe pjesëmarrjen në balotazhin e muajit maj. Sondazhi i javës së kaluar tregoi se konservatori François Fillon udhëheq në garën presidenciale, ndërsa Macron dhe Marine Le Pen pritet ta sfidojnë atë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button