Home / Te ndryshme / Frika angleze për një “Britani të Vogël”

Frika angleze për një “Britani të Vogël”

britishOpinion

Referendumi për pavarësinë e Skocisë më 18 shtator po paralizon britanikët. Ata, shumë shpejt mund të mbeteshin jo vetëm pa vëllezërit e tyre malësorë, por edhe pa Bashkimin Europian.

Gjatë këtij muaji fillon të ndërtohet një zonë e presionit të ulët atmosferik në politikën britanike, me pasojë të mundshme një stuhi shkatërrimtare. Më 18 shtator mund të ndodhë që Mbretëria e Bashkuar, sikurse ne e njohim të gjithë prej vitit 1707, të pushojë së ekzistuari – nëse, sigurisht pra, katër milionë zgjedhësit skocezë, do të vendosnin me shumicë në plebishitin e tyre popullor, të shkëputeshin nga Britania e Madhe.

E drejta për referendum, atyre iu lejua qysh para dy vjetëve nga Kryeministri britanik, Cameron. Nuk janë të paktë ekspertët kushtetues, që e trajtojnë një koncesion të tillë nga ana e Cameron, si gabimin më të madh e me pasoja shumë të rënda që ai ka bërë. Vetëm se ai nuk kishte zgjedhje tjetër. Para zjarrit separatist që po vërshonte nga Veriu, shkrihej çdolloj rezistence.

Por si është ndarë perandoria ishullore pra për së brendshmi. Ndër katër shtyllat mbajtëse të Mbretërisë së Bashkuar – Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut – i lejohet vetëm njërës prej tyre, pa pyetur të tjerët, ta zgjedhë rrugën e vet drejt pavarësisë. “Pëlhura e shamisë mbajtëse të historisë së përbashkët, me ç’duket nuk mban më”, mund të thoshte ndokush: kuptimshmëria historike ka dalë nga binarët, e në vend të saj tashmë po shfaqen shkëndijat e ndarjes, molla e sherrit mes “këtej” dhe “andej”.

Më shumë panda në kopsht zoologjik, sesa “Toris” në Skoci

Lihet mënjanë historia, glorifikohen identitetet: të dyja përshkruajnë rrezikun për bashkësinë britanike. Pa u vënë re,  pikëpamja skoceze për çështjet politike shoqërore, është shkëputur nga ajo angleze, apo e thënë më mirë, nga Londra; po tentohet drejt vetëkonfirmimit.

Deri në vitin 1955, shumica e deputetëve skocezë në Dhomën e Ulët të Përfaqësuesve i përkisnin Partisë Konservatore – sot të ashtuquajturit “Tories”, përtej “xhufkave, siç titullohet edhe reportazhi i Theodor Fontane nëpër Skoci, përfaqësohen vetëm me njërin prej tyre. “Ka më shumë panda në kopshtin zoologjik të Edinburgit, sesa deputetë ‘Tory’ në Skoci”, thumboi së fundmi me shpoti, Kryeministri skocez, Alex Salmond.

Urrejtja për konservatorët në veri ka rrënjë të thella, qëkurse Margaret Thatcher në vitin 1979 ia hyri rrugës së politikave të ekonomisë liberale, duke mbështetur privatizimet masive dhe çlirimin e tregjeve financiare, duke atrofizuar industritë shtetërore si qymyrgurin, çelikun dhe ndërtimin e anijeve. Pasojat ishin kuota të larta papunësie, jo vetëm në Skoci, por ndërgjegjja presbiterane skoceze, duket se u ngacmua nga ky akt i  “vandalizmit social”, i cili iu faturua kësisoj konservatorëve.

Salmond betohet për një shoqëri më të drejtë

Kjo shkon deri në epokën aktuale. Në vend të Thatcher-it, sot flitet për “Austerity-Policy” (politikën e kursimit) të koalicionit të kryesuar nga Cameron, ku vihen re shkurtime në buxhetin social, shtoji këtu edhe tendencat për privatizimin në shërbimin kombëtar të shëndetit, të cilin skocezët e kanë shumë të shenjtë.

Nuk u dha asnjë argument në debatin e dytë televiziv mes Alex Salmond dhe Alistair Darling, të mbajtur para një jave, përveçse betimit të Salmondit për një “shoqëri të ndershme e të drejtë”, që ai e shpall vetëm nën flamurin e një Skocie të pavarur.

Argument i rrezikshëm për ata që mbrojnë Unionin – si do ta përballojë pra Skocia atëherë pavarësinë e vet? – ia ktheu ai duke pyetur mbrapsht: çfarë do t’u mbeste skocezëve, çfarë dëmesh të tjera të kredos së tyre politike, duhet të marrin ata me vete, nëse do i mbeteshin besnikë Unionit, por jo besnikë principeve të tyre të shenjta?

Skocezët duan dorë të lirë mbi buxhetin

Që qeveria qendrore britanike në Londër, në vitin 2010 trashëgoi një barrë borxhesh të rënda nga laburistët, që i shtrëngon ata në marrjen e masave radikale në shpenzimet publike – ky mendim nuk vihet fare në diskutim, pasi Salmond dhe të tijtë janë tashmë të bindur se, kursimet do prekin para së gjithash shtresat e ulëta, pa dyshim shtresat më të neglizhuara të shoqërisë; e kjo të irriton.

Qeveria në Edinburg, deri më tani jeton nga një formulë financimi londineze, që i shtyn ata në epokën e “austeritetit”, duke kërkuar sakrifica të mëdha nga politika skoceze: nëse do të lihet i paprekur buxheti i shenjtë social, atëherë duhet që zërave të tjerë, si: arsimi apo mbështetja ndaj tregut të punës, t’u vihet viza. “Na jepni kompetenca të plota mbi rezervat tona, – thërret fort kampi i luftëtarëve pro-pavarësisë – dhe ne do të nxjerrim më të mirën e të gjitha kohërave”!

Nëse realizohet, kjo është më e keqja. Pasi pasuria potenciale e Skocisë rrjedh nga një burim tërësisht jo i besueshëm e i qëndrueshëm; nafta e Detit të Veriut. Shkencëtarët po debatojnë se sa prej këtyre rezervave, do të jenë akoma të gatshme për shfrytëzim dhe deri kur do mbajnë. Fakt është se me çdo fuçi naftë që nxirret, pakësohet edhe më shumë sasia totale e rezervave.

Skocezët nuk impresionohen nga shifrat

A i shkon kjo për shtat postulatit të pavarësisë? Në asnjë mënyrë. Nuk mund t’i vihesh përballë me pyetje e llogari, edhe problemit të pazgjidhur të monedhës së ardhshme skoceze. Këtu vlen ajo çka shkroi dikur Descarte (Dekarti) në veprën e tij “Ligjëratë mbi metodën”: “nëse shoh se sa shumë pikëpamje mund të ofroj për të njëjtin objekt, që pretendohet nga shkencëtarët, pa sjellë asnjë prej tyre në të vërtetë, atëherë unë përbuz gjithçka të mundshme, duke e cilësuar thuajse të gabuar”.

Kështu janë edhe pasuesit e pavarësisë skoceze: Me të dhëna që për të gjithë mund të ishin të pavërtetuara, ata nuk impresionojnë askënd – ata vetëm se ndezin shpresat për një të nesërme të pavarur. “Atëherë gjithçka do të bëhej më mirë”, thotë Salmond, “atëherë – kështu mund të mendojë ai – me siguri se mund të jetohej edhe pa shpenzime publike e taksa të ulëta. Kampi i Po-së është një “lëvizje besimi”, për të cilën kundërshtarët, besnikët e Unionit Britanik, ngjajnë si përfaqësuesit e një status-kuoje pa fantazi, pa vizion. Pasi historia e përbashkët, nuk i tërheq më. Një handikap.

Rënien e Skocisë, Alex Salmond mund ta argumentojë edhe me idenë se Britania e Madhe nën udhëheqjen e konservatorëve, me shumë gjasa u heq atyre edhe një pjesë të BE-së. Referendumi mbi anëtarësinë e Britanisë së Madhe në BE, që është parashikuar të mbahet në 2017, sillet vërdallë si një fantazmë në këtë debat mbi pavarësinë e Skocisë, dhe po ua degjeneron plotësisht konceptin “Unionistëve”.

Cili skocez entuziast ndaj BE-së, do të gdhihet të nesërmen në një shtrat me këta aventurierë euroskeptikë, konservatorët? 18 shtatori është një datë për përcaktim fatesh në historinë e Britanisë. Nëse Skocia shkon në rrugën e vet, “Britanisë së Madhe”, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të quhej tashmë “Britania e Vogël”. E paimagjinueshme, por e mundshme. A.P.

Marrë nga “Die Welt”

Leave a Reply

%d bloggers like this: