Home / Europa / Itali, ortek mbi hotel; 30 persona nën borë

Itali, ortek mbi hotel; 30 persona nën borë

Lëkundjet e vazhdueshme të tokës në Italinë qendrore kanë rezultuar fatale për personat që po qëndronin në hotelin Rigopiano, në rajonin e Abrucos.

Vërshimi i një orteku si pasojë e tërmeteve besohet të ketë shkaktuar një numër të madh viktimash në hotelin ku gjendeshin të paktën 30 vetë.

Ekipet e shpëtimit luftuan me kushtet e këqija të motit përgjatë gjithë natës, për të mbërritur në zonën e katastrofës vetëm mëngjesin e së enjtes. Sipas mediave italiane, nga hoteli i gllabëruar prej ortekut janë nxjerrë trupat e parë, ndërsa 2 vetë janë shpëtuar. Çatia e strukturës u shemb pjesërisht dhe banorët ne Farindola sinjalizuan shërbimet e emergjencës.

Por, stuhia e borës bllokoi rrugët, duke e bërë tejet të vështirë aksesin në zonë. Një seri tërmetesh goditën Italinë qendrore të mërkurën, një zonë e shkatërruar nga lëkundjet vdekjeprurëse të tokës vitin e kaluar.

Shërbimi gjeologjik raportoi se 3 tërmete të forta me magnitudë 5.3, 5.7 dhe 5.6 ballë të shkallës Rihter u regjistruan brenda një ore me pasojë vdekjen e një personi dhe zhdukjen e një tjetri. Gianluca Valsensise, një sizmiolog në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë parlajmëroi se rreziku për një tjetër lëkundje të fortë në zonë ishte i lartë.

Në total pati 10 tërmete të magnitudës mbi 4 ballë në një rreze prej 10 kilometrash rreth Amatriçes së shkatërruar nga lëkundjet e dhunshme të muajit gusht, ku gjetën vdekjen shumë persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.