Politika

FMN: Qeveria të ndërhyjë pas hetimeve

FMN-BANKA-02_21Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë për herë të parë publik qëndrimin mbi vjedhjen e bujshme në Bankën e Shqipërisë.

Nga Top Channel

Në një intervistë për Top Channel, shefi i misionit të FMN Nadeem Ilahi thotë se është e rëndësishme të pritet rezultati i hetimeve, para se autoritetet të ndërhyjnë.

“Kjo është një çështje kriminale, që po hetohet nga Prokuroria. Shqipëria ka ligje të qarta për vepra të tilla dhe pikëpamja jonë është, që procedurat e këtyre ligjeve dhe gjetjet e hetimit duhet të respektohen përpara se njerëzit të gjykojnë kush është fajtor dhe kush jo. Pra, ne po presim, ashtu si autoritetet, të shohim rezultatet e hetimeve dhe shpresojmë që autoritetet të ndërhyjnë dhe të marrin masat përkatëse, bazuar në përfundimet e hetimeve. Praktikisht, në këtë stazh është shumë e vështirë të hedhësh fajin mbi dikë për këtë çështje”, tha kreu i misionit të FMN, Nadeem Ilahi.

Skandali i bujshëm i vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve nga vetë punonjësit e bankës ka shkaktuar zemërim në një pjesë të opinionit publik, që kërkon largimin e Këshillit Mbikëqyrës dhe veçanërisht guvernatorit, si përgjegjës i drejtpërdrejtë për vjedhjen.

“A duhet të dorëhiqet apo largohet kupola drejtuese e bankës. Sërish theksoj se hetimi është i papërfunduar dhe të japësh gjykim mbi këtë është e parakohshme. Duke thënë këtë, ka gjithashtu një ligj, që ekziston sot për Bankën e Shqipërisë, i votuar nga Parlamenti. Ai ligj ka si kolonë kryesore pavarësinë e bankës, por gjithashtu ka instrumenta të cilat sigurojnë mbikëqyrjen e saj përmes Parlamentit. Pra, qëndrimi ynë është që ai ligj duhet të respektohet për çdo vendim mbi drejtuesit ekzekutiv dhe Këshillin Mbikëqyrës të bankës. Kjo është ajo që duhet bërë në këtë situatë”, tha Nadeem Ilahi.

Por, a do të thotë kjo se FMN nuk do ishte e lumtur, nëse Parlamenti ndërhyn për të riformatuar Këshillin Mbikëqyrës apo drejtimin administrativ të bankës?

“Sërish e theksoj. Ka një ligj ekzistues për Bankën e Shqipërisë, që duhet të respektohet. Në të njëjtën kohë, nëse ligji ka dobësi, të cilat nuk sigurojnë mbikëqyrjen e duhur apo nuk garantojnë transparencën e nevojshme, kjo mund të rregullohet për një periudhë të caktuar kohore. Dhe, forcimi i sistemeve të tilla apo përmirësimi i ligjit është gjithmonë një ide e mirë. Ky është rekomandimi ynë. Por, çështja kryesore është se në qendër të ligjit për Bankën e Shqipërisë në këtë vend është ideja, se Banka e Shqipërisë është e pavarur dhe kjo pavarësi duhet ruajtur në çdo ndryshim ligjor apo ligj të ri, që do të sillet në fuqi”, theksoi më tej përfaqësuesi i FMN, Ilahi.

Zyrtarë të lartë të mazhorancës, përfshirë ata më kritikët ndaj guvernatorit, kanë deklaruar disa herë në publik se do të respektojnë pavarësinë e Bankës Qendrore dhe se, çdo ndërhyrje për rifomatimin e organeve drejtuese të saj, si Këshilli Mbikëqyrës apo drejtimi ekzekutiv, do të bëhet vetëm përmes ligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button