Home / Sporti / Reali, hije mbi projektin e së ardhmes

Reali, hije mbi projektin e së ardhmes

Humbja me përmbysje nga Sociedadi sjell dyshimet e para. Dhe Ançeloti ngre zërin …

Reali i Madridit

Reali i Madridit

Duhet pranuar, është qesharake që të flitet për krizë vetëm në dy javët e para të kampionatit. Edhe pse humbja kundër Real Sociedadit erdhi në mënyrë shqetësuese, Reali ishte në epërsi 2-0 pas vetëm 11 minutash lojë, pastaj ndodhi “fundi i botës” deri te 4-2 final. Janë të shumtë elementet që lënë dyshime mbi reagimin e dobët të skuadrës së Ançelotit, e cila, brenda pak ditësh kaloi nga ëndrra e gjashtë trofeve sezonalë, në detyrën e vështirë për ta nisur çdo gjë nga e para.

Gushti cinik

Sezoni i Real Madridit kishte nisur në mënyrën më të mirë, fitoi Superkupën Europiane kundër Seviljes, duke treguar atë petk kampioni që u pa në fund të sezonit të shkuar. Për sa i takon pjesës tjetër, vetëm, ose thuajse lajme të këqija: ndeshjet miqësore pa fitore, sfida e dyfishtë me Atletikon, që pasoi me humbjen e Superkupës së Spanjës, që i privonte “merengesët” nga ëndrra e “gjashtëshes”, një fitore pa shkëlqyer në Liga kundër Kordobës dhe tani kjo humbje e shëmtuar kundër Real Sociedadit, i cili të enjten e shkuar u mund 3-0 nga rusët e Krasnodarit, duke u eliminuar nga Liga e Europës. Bilanci i këtij gushti nuk mund të konsiderohet pozitiv për Ançelotin dhe të tijtë.

Diaspora “merenges”

Ajo që ka shqetësuar shtypin spanjoll, janë zgjedhjet e pakta në stol që ka në dispozicion trajneri italian. Kanë ardhur Toni Kros, Hames Rodriguez dhe portieri Kejlor Navas, por janë larguar Morata, Diego Lopez, Di Maria e Ksabi Alonso, ky i fundit, një lojtar vendimtar për të ruajtur ekuilibrin në fushë, për të cilin flet shpesh Ançeloti. Lajmi se madrilenët kanë blerë në mënyrë të paparashikueshme Çiçarito Hernandez, ka sjellë pak optimizëm mes tifozëve. Në të vërtetë, këta të fundit prisnin në kryeqytet Radamel Falkaon, por duket se qëllimi ka qenë për të marrë një futbollist që të qëndrojë edhe në stol, si zëvendës i Benzemasë, pa bërë shumë histori. Ndërkohë pritet edhe rikthimi i Hese Rodriguez, por a do të mjaftojë?

Mendësia, një problem

Pas ndeshjes, Karlo Ançeloti ka reaguar ashpër për mënyrën e lojës së futbollistëve të tij në fushë. “Një humbje që nuk më pëlqen, sepse një skuadër si Reali, nëse fiton 2-0, duhet të ketë të njëjtën mendësi gjatë gjithë ndeshjes. – Përgjegjësia është e imja, por tani diçka duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë”. E papritur shitja e “Profesorit” Ksabi Alonso te Bajerni i Guardiolës, me të cilin debutoi para dy ditësh në Bundesligë, sipas Ançelotit nuk ka të bëjë fare me humbjen e shëmtuar në “San Sebastian”: “Nuk ka të bëjë fare. Problem ishte mendësia e të gjithë skuadrës, jo e një lojtari të veçantë”.

Derbi vendimtar?

Tani, dikush mund të mendojë se “për fat të mirë” ndërpritet kampionati për ndeshjet e kombëtareve. Kristiano Ronaldo është lënë pushim nga Portugalia e tij për ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe sigurisht do të jetë gati me rifillimin e kampionatit. Dhe për të duket se Reali ka një nevojë të madhe, edhe pse më 13 shtator vjen në “Bernabeu” Atletiko Madrid e Diego Simeones dhe është një derbi që tingëllon që tani si një sfidë vendimtare për skuadrën e Ançelotit. Nëse në javën e tretë, Barcelona e Luis Enrikes duhet të fitojë në shtëpi ndaj Atletik Bilbaos dhe Reali të humbë derbin, do ta shihte veten 6 pikë pas katalanasve dhe 4 ndaj “Colchoneros”, kundërshtarët kryesorë për titullin Kampion. Atëherë ndoshta po, mund të flitet për një krizë.

PEPE

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, është akoma i dëshpëruar nga humbja 4-2 nga Sociedadi. “Ne duhet t’u kërkojmë falje tifozëve, ishte një ditë e vështirë për ne. E tërë skuadra duhet të fajësohet. I dëshpëruam tifozët. Vështirë është të shpjegohet si humbëm.”

ÇIÇARITO

Çiçarito Hernandez është një lojtar i Real Madridit. Karlo Ançeloti e zgjodhi para Falkaos, duke ia “rrëmbyer” edhe Juventusit. Sulmuesi meksikan është huazuar nga Mançester Junajtid me të drejtë blerjeje për 22 milionë euro.

Leave a Reply

%d bloggers like this: