Hidhet shorti për 9 anëtarët e KED-së
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese që votoi kundër Vettingut për ta rrëzuar si ligj antikushtetueses, është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni i parë i parashikuar nga reforma në drejtësi.
Bashkë me të janë zgjedhur edhe 8 anëtarët e tjerë që janë përfaqesues të gjykatave dhe prokurorisë.
Por procesi nuk shkoi pa u vënë në dyshim nga përfaqësuesit politikë. Deputetja socialiste, Vasilika Hysi ngriti dyshimin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka eliminuar nga gara disa magjistratë, duke i vlerësuar kriteret në mënyrë preferenciale.
Megjithatë, ky moment u kalua, pasi të gjitha institucionet e tjera, përfshi Kuvendin, nuk i dhanë të drejtë në interpretimin e ligjit.
Gjatë hedhjes së shortit, i vetmi institucion që nuk u përfshi aty ishte organi i akuzës, i cili kishte sjellë kandidatë aq sa vende duhet të merrte Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Apelit.
Sipas rregullave të reja, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka për detyrë të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Shorti, që u cilësua nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta si një moment i rëndësishëm i fillimit të reformës në drejtësi, dha këtë rezultat:
Anëtarët nga Gjykata Kushtetuese: Besnik Imeraj dhe Vladimir Kristo (Altina Xhoxhaj, anëtar zëvendësues).
Anëtarët nga Gjykata e Lartë: Mirela Fana (Artan Zeneli, anëtar zëvendësues).
Anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme: Rovena Gashi.
Anëtarët nga prokuroritë e Apelit: Gentian Trenova dhe Fatjona Memçaj.
Anëtarët e KLD-së nga Gjykatat e Apelit: Brikena Ukperaj Lubonja, Ervin Metalla.
Anëtar nga gjykatat administrative: Kastriot Selita (Gentian Medja, anëtar zëvendësues).