Bota

Kthimi i sovranitetit, Le Pen flet për “frangën” dhe “Frexit”

Vendin e parë në listën e saj të 144 zotimeve elektorale e zë “kthimi i sovranitetit të Francës”. Nëse do të arrijë të marrë pushtetin, Marine Le Pen premton të shkojë drejt e në Bruksel me një mesazh të qartë për udhëheqësit europianë.

Krahu i djathtë i saj, Florian Philippot sqaron se çfarë do t’u thotë udhëheqësja e “Frontit Nacional” krerëve të bllokut, po arriti të marrë vërtet në duar çelësat e Elizesë.

“Mesazhi i saj do të jetë: Njerëzit më kanë dhënë një mandat, me të cilin unë dua të rimarr sovranitetin e madh francez që ju na e keni vjedhur, si në rrafshin monetar, atë buxhetor, ashtu dhe në atë territorial me kufijtë aktualë e ata legjislativë. Ligjeve franceze do t’iu jepet përparësi në raport me ato europiane”.

Çfarëdo të thotë Brukseli, në thelb, ajo që Le Pen dëshiron është një Europë e ndryshuar.

“Nëse thotë po, e pas rezultatit të referendumit ne vendosim të qëndrojmë, kjo do të ndodhë sepse nuk do të jetë më BE-ja që njohim sot, por një Europë e lirë me shtete sovrane. Pastaj, po thanë jo, atëherë pas referendumit ne do të largohemi”, është komenti i Philippot për “Euronews”.

Le Pen e konsideron një dështim projektin europian. Shpërdorimi i pushtetit sipas saj, kriza e emigrantëve, seria e sulmeve terroriste, e së fundi Britania e Madhe që shërben si shembull, tregojnë që të gjitha se edhe Franca duhet të shkëputet nga blloku.

“Me euron humbën, – argumenton Philipott. – Monedha e përbashkët ka qenë një katastrofë krahasuar me frangën, dhe e tillë është edhe marrëveshja e Schengenit vet”.

Pas “Brexit”-it, simpatizantët e Marine Le Penit besojnë më shumë se kurrë edhe në mundësinë e një “Frexit”-i. Europës nuk i mbetet gjë tjetër për të bërë, veçse të ndjekë me ankth se cili do të jetë rezultati, deri tani kaq i paqartë, i zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button