Kronika

Golemi refuzon edhe ftesën e dytë, komisioni: Je para shkarkimit!

Seanca

Braçe: Nuk e pranojmë refuzimin. Inspektorja: Do të përgjigjem me shkrim. Po më bëni presion

Nga Zamir Alushi

Eli-GolemiPërplasja mes Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, vazhdoi mbrëmë me refuzimin e ftesës së dytë për t’u paraqitur në seancën dëgjimore. “Akuzat e padrejta dhe pretendimet e paligjshme dhe veçanërisht letra e dërguar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, janë dukshëm përpjekje për të ushtruar presion të kundërligjshëm një funksionari të zgjedhur publik. Detyrat dhe etika më kërkojnë të refuzoj me korrektesë institucionale.”

Braçe: Nuk e pranojmë refuzimin

Seanca e paradites dështoi, sepse inspektorja Golemi refuzoi kërkesën e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për një seancë dëgjimore në lidhje me përgjegjësitë administrative përballë vjedhjes së 713 milionë lekëve të reja nga Thesari i Shtetit. Arsyeja e dhënë prej saj me shkrim, vetëm 30 minuta para nisjes së parashikuar të seancës, ishte: “Nuk përfaqësoj Bankën e Shqipërisë!”. Në kushtet kur inspektori propozohet, emërohet dhe shkarkohet vetëm nga Kuvendi, për kreun e Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, ky refuzim është i paprecedentë. Duke folur para deputetëve, kryetari i komisionit, z. Braçe, tha se refuzimi i inspektores është një akt i rëndë, i paprecedentë dhe i pandodhur në 23 vitet e fundit. “Banka e Shqipërisë është banka e shtetit shqiptar, nuk është bankë private apo një sulltanat, ku gjithsecili zgjedh të refuzojë apo të përgjigjet kur do ai, jo kur kërkon dhe përcakton qartësisht Kuvendi. Inspektori i Bankës së Shqipërisë thotë se nuk përfaqëson BSH-në dhe për këtë arsye nuk paraqitet në seancën dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë. Por inspektori qenka i gatshëm t’i përgjigjet me shkrim çdo çështjeje të ngritur nga deputetët e këtij komisioni. Ky është absurdi. Zonja në fjalë e njeh ligjin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë? Ky është problemi që ne kemi me të. Ky është një akt i rëndë i paprecedentë, i pandodhur në 23 vite në Parlamentin e Shqipërisë dhe natyrisht, cenon shumë rëndë atributet kushtetuese të Parlamentit në raport me BSH-në”, sqaroi Braçe. Më tej, z. Braçe bëri të ditur se komisioni ka në dispozicion raportet e inspektorit të përgjithshëm të BSH-së, që nga viti 2010 dhe e kupton se cila ka qenë arsyeja që ka detyruar inspektoren e përgjithshme të mos paraqitet në Kuvend. “E para, pengesa për të kryer detyrën në mënyrë të plotë dhe ligjore brenda Bankës së Shqipërisë dhe e dyta, mospërmbushja e rregullt e detyrës prej inspektores”, theksoi z. Braçe. Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat sqaroi se nga raportet del qartë se departamenti i kontrollit që varet drejtpërdrejt nga inspektori i BSH-së, ka edhe një varësi të dytë drejtpërdrejt nga guvernatori i BSH-së, ashtu siç del qartë se roli kushtetues dhe i pavarur i inspektorit është cenuar rëndë vit për vit në ushtrim të detyrës së tij dhe është vënë në varësi institucionale të burimeve njerëzore dhe të financave nga guvernatori i BSH-së dhe për më keq akoma, është penguar të kryejë detyrën e tij. Sipas z. Braçe, Kuvendit të Shqipërisë i janë fshehur nga ana e BSH-së për 14 vite me radhë raportet e inspektorit, teksa nënvizoi se kulmi ndodh kur inspektorja refuzon t’i përgjigjet Kuvendit. “Jemi para një problemi shumë të madh, mosfunksionimin e këtij institucioni. Para një refuzimi të inspektorit të Bankës së Shqipërisë për t’u pyetur para Komisionit të Kuvendit që e zgjedh dhe e shkarkon. Jemi para një prej pikave që shërben për shkarkimin e inspektorit, siç është funksionimi joetik i rregullores. Inspektori ka detyrim ligjor për t’u paraqitur para komisionit. Inspektori iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në krahun e majtë të guvernatorit në seancën me dyer të mbyllura, e tani nuk do. Kjo nuk ka ndodhur në 23 vite. Nëse e pranojmë këtë gjest, do të tregonte rënien e republikës”, tha Braçe. Braçe u kujdes të sqarojë në nisje të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, se kjo seancë dëgjimore, dhe të tjerat e parashikuara për t’u mbajtur me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, nuk do të ndikojnë hetimin e prokurorisë. “Ne kërkojmë përgjegjësinë administrative të secilës hallkë për drejtimin e Bankës së Shqipërisë”, tha kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

Golemi: Përgjigjem me shkrim

“Kam shprehur gatishmërinë e plotë për të informuar me shkrim komisionin”, u shpreh Golemi më pas në një deklaratë për shtypin. “Në zbatim të plotë dhe në përputhje me dispozitat ligjore, në cilësinë e inspektorit të përgjithshëm, kam raportuar periodikisht në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mbi përmbushjen e detyrave nga inspektori i përgjithshëm dhe departamenti i kontrollit. Në përgjigjen që i kam dërguar kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, unë nuk kam refuzuar të përgjigjem përpara komisionit, përkundrazi kam shprehur gatishmërinë e plotë për të informuar me shkrim komisionin, për çdo çështje që është brenda kompetencave të inspektorit të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, në respektim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi”, njoftoi Golemi.

Kërkesa e dytë

Deputetët kanë vendosur që t’i bëjnë edhe një kërkesë të dytë inspektores së Bankës së Shqipërisë për t’u paraqitur në seancë dëgjimore ditën e enjte. Nëse edhe sot, inspektorja Elivar Golemi nuk do të paraqitet, atëherë do të diskutohet vendimi për të kërkuar shkarkimin e saj nga Kuvendi. “Ju nuk jeni thirrur në cilësinë e përfaqësuesit të Bankës së Shqipërisë. Refuzimi juaj është antiligjor, në thyerje të rëndë të etikës dhe pa precedentë të tjerë në 23 vite. Komisioni për Ekonominë dhe Financat i Kuvendit, ju fton edhe një herë nesër, në orën 11:30, të paraqiteni para këtij komisioni për të dhënë dëshminë tuaj lidhur me përmbushjen e detyrës në krye të departamentit të kontrollit të Bankës së Shqipërisë”, shkruhet në ftesën e firmosur nga Braçe. Në përgjigje të saj, Golemi thotë se ka raportuar gjithë aktivitetin e saj në Këshillin Mbikëqyrës në 500 faqe informacion që është “sekret bankar i rezervuar” dhe që i është dërguar Komisionit të Ekonomisë. Ajo këmbëngul se, sipas ligjit, raporton vetëm në Këshillin Mbikëqyrës. Ndërkaq, ajo shton një arsye tjetër të refuzimit të saj. “Dëshmia është koncept procedural penal, jo administrativ. Dëshmia jepet para prokurorit, gjykatës ose komisionit hetimor parlamentar”, deklaron Golemi arsyen e mosparaqitjes në Komisionin e Ekonomisë. “Në të kundërt, komisioni ju kujton se jemi në kushtet e nenit 54, pika 2, që referon në nenin 47, pika 2 germa c, e ligjit ‘Për Bankën e Shqipërisë’”, theksohet në këtë letër, ku i kujtohet Golemit se rrezikon shkarkimin në bazë të ligjit për bankën.

Inspektori i përgjithshëm dhe inspektorët e departamentit të kontrollit kanë për detyrë:

Inspektori

Kontrolli

Inspektori ushtron kontroll kontabël të brendshëm, si dhe kryen kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë.

Raportimi

Inspektori kontrollon dhe i paraqet Këshillit Mbikëqyrës raporte për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore, kontabël dhe kontrollet.

Certifikimi

Inspektori kontrollon raportet periodike financiare të Bankës së Shqipërisë dhe, në qoftë se janë përgatitur në mënyrën e duhur, nxjerr certifikatë.

Shkarkimi

Inspektori i përgjithshëm largohet vetëm me vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kur vërtetohen një ose disa nga shkaqet e përshkruara në nenin 47 të ligjit.

Tre anëtarë kërkojnë shkarkimin

Edhe tre anëtarë të Komisionit të Ekonomisë kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të inspektores.

Deputeti Ervin Koçi tha se është një thyerje e hapur e etikës. “Ne si komision duhet t’i propozojmë Kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve për shkarkimin e saj”, tha Koçi. Ndërsa Majlinda Bufi u shpreh: “Unë jam pro mendimit për ta shkarkuar”. “Mendoj që përgjegjësitë ligjore inspektori i ka shumë të qarta dhe nuk ka bërë detyrën siç e kërkon ligji. Inspektori duhet të shkojë të shërbejë diku tjetër, në ndonjë vend të Afrikës”, u shpreh deputeti Arben Çuko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button