Opinion

Fitorja e fundit e Driteroit ndaj Kadares

Nga Andi BUSHATI

Ndryshe nga Kadare, Driteroi nuk organizoi kurrë taborë të tërë për të propoganduar se ai kishte qenë kundërshtar i komunizmit, ai nuk përmendi kurrë histori me tentativa arratisjeje nga feri i diktaturës, ai nuk tregoi kurrë për vepra “anti” që i kishte mbyllur në kasaforta që do të hapeshin në ditën që regjimi do të binte, ai nuk guxoi kurrë të shkonte deri aty, sa të pretendonte se me vargjet e tij të ndjera, i kish propozuar një maskë udhëheqëit shqiptar, për ta bërë atë më të mirë për shqiptarët.

Lamtumira e fundit që iu dha Dritero Agollit, bilanci i shpejtë që u bë në ditët e ikjes së tij, nuk rihapi në Shqipëri (me ndonjë përjashtim të rrallë) të gjitha dilemat dhe pasionet, që ngërthejnë ata njerëz që kanë jetuar në dy kohë aq kundërthënëse me njëra -tjetrën.

Po t’i hidhje një sy të kujdesshëm mediave tona, debatit që gëlonte në rrjetet sociale, më shumë reagime do të gjeje për shkrimtarin që vazhdoi veprën e Naimit, për fisnikun që u njesua me shqiptarin e thjeshtë, për poetin që vizatoi Shqipërinë e përjetshme, sesa për njërin prej korifejve të socrealizmit tonë.

Megjithëse Dritero Agolli ka qenë për gati çerekshekulli në krye të një institucioni levë të partisë, si Lidhja e shkrimtarëve, megjithëse ai është zgjedhur për vite me radhë, deputet dhe anëtar i Komitetit Qëndror të PPSh, atij më shumë iu përmend fjala e mbajtur në ditën e vdekjes së Partisë së Punës dhe përballja ekstreme me komunistët nostalgjikë.

Megjithëse ai njihet si propogandisti që çoi me një trastë leshi nën gunë dheun e ideologjisë në Lidhje (Devoll, Devoll), megjithëse ai i thuri himn udhëheqësit që thoshte se do të hanim dhe bar për për të mbrojtur nderin e nënës (Nënë Shqipëri), megjithëse ai bëri qindra mijra vetë të shkreheshin ne lot me Elegjinë për Enver Hoxhën (Falmë, Enver që frymë dot s’të dhashë/Nga kjo frymë e gjallë e gjoksit tim/Zemrën time do ta nxirrja jashtë/Të ta jepja Ty me ngazëllim) u duk se Agolli nuk qe krijuesi i këtyre vargjeve që i thurnin lavde diktaturës së proletariatit.

Dhe këtu është tejet interesante të shihet se si kjo dukuri që u vu re këto ditë, por që e shoqëroi për dy dekada e gjysëm atë, bie në një kundërthënie që duket absurde, me atë që i ka ndodhur shkrimtarit tjetër të madh të 30 viteve të fundit të komunizmit, Kadaresë.

Pavarësisht se në duelin e paepur për mbizotërimin e skenës letrare, të këtyre dy përçuesve të vijës së partisë, Driteroi qe ku e ku më i ideologjizuar se Ismaili, shumë më pranë parimeve Zhdanoviste të Realizmit Socialist, tepër më konform vijës së partisë, në procesin që i është bërë atyre pas viteve ’90, ky raport duket i përmbysur.

Kadaresë i është kërkuar gjithnjë më tepër llogari nga kritika, i është qëmtuar gjilpëra në kashtë nga mediat, i është kaluar në filigran e gjithë jeta dhe vepra artistike, deri tek ndonjë varg rinor për Stalinin.

Natyrisht, “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Pse mendohen këto male” si poema, portreti i Enver Hoxhës tek romani  “Dimri i vetmisë së madhe” i kanë shërbyer dhe janë përdorur nga propaganda e regjimit komunist më shumë se çdo krijim tjetër, natyrisht që edhe vetë lideri komunist e kuptoi se portreti që i kishte vizatuar Kadare, e bënte atë më simpatik për perëndimin, sesa të gjitha veprat e tij të përkthyera së bashku, prandaj ai u investua në famën botërore të shkrimtarit, por sërisht, kjo nuk e bën sot Ismailin të duket më pranë regjimit sesa rivali i tij i përjetshëm.

Për këdo që ka jetuar në atë kohë, dhe që ka pritur me kërshërinë e pasioneve rinore botimet e reja të këtyre dy shkrimtarëve, një gjë ka qenë gjithnjë e qartë, Driteroi përfaqësonte sistemin, ndërsa Ismaili pikpyetjet mbi të, i pari zbriste frymën e fshatit në qytet, ndërsa i dyti tentonte ta arratiste qytetin në perëndim, njëri qe i fuqishëm, por ama i drejtëpërdrejtë, ndërsa tjetri shpesh alegorik, me disa shtresa dhe me shumë nënkuptime.

Edhe po të analizojmë veprat e tyre më “heretike”, ato që sot dikush tenton t’i shesë për shumë më tepër seç janë, bëmat e shokut Zylo kundër burokratëve, nuk mund të krahasohen kurrë me ngrehinën prej demiurgu që Kadare ndërton tek “Pallati i ëndrrave”.

Pra shkurt, për ne lexuesti e asaj kohe, në rivalitetin etern mes dy shkrimtarëve, garën e të qenit më pranë vijës së partisë, atëhere e fitonte pa diskutim Dritero Agolli.

Po pyetja është se pse ky raport u përmbys në kohën e re?

Pse shpesh të gjithë kanë tentuar të vënë në bankën e të akuzuarve Ismailin dhe i kanë “dhuruar” më shumë paqe dhe qetësi bashkëkohësit të tij.

Natyrisht një përgjigje e kësaj pyetjeje do të gjendej tek talenti dhe gjenialiteti, që sa më të mëdha që të jenë, aq më pasoja krijojnë për njeriun që i mishëron.

Por, raporti i zhbalancuar në gjykimin e rolit të dy shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë moderne shqiptare, nuk lidhet vetëm me andrrallat që burojnë nga forca krijuese e gjithësejcilit.

Ajo duhet kërkuar në tjetër shkak.

Ajo duhet qëmtuar në qëndrimet që ata mbajtën pas rënies së regjimit.

Ndryshe nga Kadare, Driteroi nuk organizoi kurrë taborë të tërë për të propoganduar se ai kishte qenë kundërshtar i komunizmit, ai nuk përmendi kurrë histori me tentativa arratisjeje nga feri i diktaturës, ai nuk tregoi kurrë për vepra “anti” që i kishte mbyllur në kasaforta që do të hapeshin në ditën që regjimi do të binte, ai nuk guxoi kurrë të shkonte deri aty, sa të pretendonte se me vargjet e tij të ndjera, i kish propozuar një maskë udhëheqëit shqiptar, për ta bërë atë më të mirë për shqiptarët.

Jo. Ai vendosi të përballet me furinë e përmbysjes, duke dashur të ruajë koherencën.

Nuk qe e rastit që në një nga poezitë e tij të botuara së fundi ai shkroi: ” Nuk jam nga ata të stisur poetë/Që jetën e tyre me laps redaktojnë”.

Pra, ndryshe nga Kadare, ai bëri paqe jo vetëm me të shkuarën e tij por dhe me anët e saj më të errëta.

Ai e vuri këtë bast.

Dhe është kjo zgjedhje që i dhuroi atij, një qasje më zbutur të kritikëve, në pjesën e tretë të jetës dhe një mirëkuptim falës, pas ndarjes prej saj.

Eshtë pikërisht ky raport me të vërtetën, që i kurseu atij, shumë nga furitë dhe akuzat herë herë të ekzagjeruara, me të cilat Ismaili u përball këto 25 vite.

Natyrisht, kjo ishte fitorja e tij e vogël, kundër rivalit të përhershëm. Një fitore që ndonëse nuk dihet sa do të rrezistojë në kohë, i siguroi atij, empathinë e bashkëkohësve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button