MaqedoniaRajoni

Shkup, nis takimi i ministrave të Energjetikës në praninë e Eurokomisarit Hahn

Në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e vendimeve nga Samiti i Parisit dhe pritjet nga Samiti i ardhshëm në Trieste të Italisë në kuadër të të ashtuquajturës “Procesi i Berlinit”.

Ministrat e Energjetikës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në praninë e Eurokomisarit për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë filluan takimin që udhëhiqet nga zëvendëskryesminitri i Maqedonisë për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e vendimeve nga Samiti i Parisit dhe pritjet nga Samiti i ardhshëm në Trieste të Italisë në kuadër të të ashtuquajturës “Procesi i Berlinit”.

Pas takimit me ministrat e Energjetikës, në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, do të mbahet një takim joformal i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve ballkanike të përfshirë në “Procesin e Berlinit”, ku do të marrin pjesë Eurokomisari Johannes Hahn, nënsekretari shtetëror Italian i Punëve të Jashtme, Vincenzo Amendola dhe Sekretari i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal, Goran Svillanoviq.

Në këtë takim do të bisedohen çështjet nga fusha e bashkëpunimit rajonal në segmente të ndryshme, por me theks të veçantë të sfidave të përbashkëta rajonale, prosperitetin ekonomik dhe lidhjen e ndërsjellë, qeverisjen e të drejtës dhe anti-korrupsion, në funksion të integrimit të të gjitha vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian.

Në margjinat e mbledhjes do të nënshkruhen dy marrëveshje mes Komisionit Evropian dhe Institucioneve Ndërkombëtare Financiare – Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Investuese Evropiane (BIE) dhe Koncernit Bankar KfW, në kuadër të Programit për efikasitet rajonal energjetik (REEp Pplus) – Regional Energy Efficiency Programme) dhe Fondit për Rritje të Gjelbër (GGF – Green for Groëth Fund), përmes të cilëve do të financohen projekte që do të realizohen në rajon.

Më herët, Eurokomisari Johannes Hahn, zhvilloi takim me kryeministrin teknik, Emil Dimitriev, ndërsa pasdite pritet të zhvillojë takime edhe me udhëheqësit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë, me të cilët do të diskutojë situatën aktuale në vend dhe për bisedat për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor të vitit të kaluar.

Kjo është vizita e parë e Eurokomisarit Hahn në Maqedoni pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Në adresimin e tij para Këshillit të Evropës nga fundi i janarit, Hahn deklaroi se pret në vend të formohet shpejtë qeveri e mbështetur prej shumicës së gjerë parlamentare, e cila do të zbatojë reformat urgjente dhe do të vazhdojë të hapërojë drejt perspektivave evropiane dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button