Ekonomia

Rivlerësimi i pasurive, ligji kthehet në kuvend

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme i parashikuar për të përfunduar në shkurt është shtyre deri më 31 maj të këtij viti. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave do të rishohë ligjin sot me ndryshimet përkatëse. Kjo shtyrje e aplikimit të ligjit vjen si shkak i numrit të lartë të kërkesave nga qytetarët. Zyrtarisht mësohet se deri në fund të janarit, numri i aplikimeve pati shkuar në 27,000.

Vlerësuesit shprehen se kjo jep pak më shumë frymëmarrje dhe se procesi do të bëhet më me qetësi. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka deklaruar se në total janë 4 milionë pasuri në të gjithë vendin e këtu përfshihen si ndërtesat, ashtu edhe tokat.

Për vitin 2016, vlerësohet se janë rreth 6,000 aplikime të regjistruara nga Agjencia për Shërbimet e Integruara Publike (ADISA).

Sipas të dhënave zyrtare, muajt që kanë pasur numrin më të madh të aplikimeve kanë qenë shtatori (kohë në të cilën hyri në fuqi vendimi i qeverisë “Rama”) dhe janari. Ndërsa pritet që gjatë shkurtit, numri i aplikimeve për të vlerësuar pasurinë të jetë edhe më i lartë.

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa.

Rivlerësimi, hapat që ndiqen

Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim”. Më pas, individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.

Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë.

Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë, rivlerësimi bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit.

Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Nga e drejta e rivlerësimit përfitojnë të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar atë, përfshirë edhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë më parë rivlerësim i saj.

 

Efektet financiare

Ligji pritet të ketë efekte financiare në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2016, të cilat nuk janë saktësisht të matshme për vetë faktin se procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1% është bërë edhe në vitin 2011-2013, çka do të thotë që baza e tatueshme nuk është e njëjtë me atë që ka qenë në atë periudhë.

Qeveria, bazuar edhe te të dhënat e dërguara nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2015, ka bërë një përllogaritje mbi të ardhurat e munguara:

– Të ardhurat e munguara nga tatimi i individëve për transferimin e pasurive të paluajtshme, janë në masën rreth 2,1 miliardë lekë në vit, ose rreth 1,06 miliardë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.

– Të ardhurat e munguara nga tatimi i subjekteve tregtare për transferimin e pasurive të paluajtshme janë në masën 74,6 milionë lekë në vit, ose 37,3 milionë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button