Home / Politika / “E turpshme për BE-në nëse akuzat për Vlahutin janë të vërteta”

“E turpshme për BE-në nëse akuzat për Vlahutin janë të vërteta”

“Nëse është e vërtetë, është një turp i madh për Bashkimin Europian sepse ne ju kërkojmë juve të luftoni korrupsionin dhe krimin dhe nëse dikush prej nesh është me të vërtetë i përfshirë në diçka të tillë, atëhere për ne është një turp i madh”.

Ky ka qenë reagimi i ashpër i eurodeputetesa Doris Pack e pyetur për një reagim në lidhje me akuzat që i janë bërë ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Eurodeputetja kërkoi gjithashtu miratimin sa më të shpejtë të Reformës Zgjedhore dhe procesi në 18 qershor të jetë me standardet Europiane.

Ajo i bëri këto deklarata gjatë vizitës në Shqipëri ku mori pjesë në ‘Forumin Demokratik të Grave’.

DEKLARATA E PLOTË:

“Kam parë dhe ndjekur me kujdes gjithmonë se çfarë ka bërë qeveria. Ju e mbani mend që kam kritikuar sa herë ka patur diçka për t’u kritikuar, pavarësisht se kush ka qënë në drejtim të vendit. Sot jam këtu sepse po diskutojmë situatën e femrave në Shqipëri dhe në rajon. Por jam gjithashtu këtu, sepse ndjej shumë keqardhje për situatën aktuale në Shqipëri.

Po e ndjek me kujdes raportimin në media dhe kuptoj se sa e vështirë është situata në Shqipëri. Ajo që kam lexuar dhe ndjekur në media më ka trishtuar. Mendoj se ka mungesë vullneti përsa i përket dekriminalizimit dhe narkotrafikut. Mendoj gjithashtu se ka mungesë shumë të madhe vullneti për të luftuar krimin e organizuar. E kam ndjekur nga afër reformën në drejtësi dhe shpresoj që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Keni gjithashtu një reformë në administratën publike dhe as këtu nuk ka ndonjë rezultat të madh. Reforma zgjedhore do duhet të arrihet dhe miratohet para zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të jenë zgjedhje në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Më vjen me të vërtetë keq kur kam parë se në ditët e fundit, personat që janë dënuar me dënim të përjetshëm apo burgim 25 vjet, janë liruar si pa të keq. Nuk arrij ta kuptoj si mund të ndodhë diçka e tillë. Për të qënë e sinqertë, do ndihesha me të vërtetë e turpëruar nëse ato që thuhen për ambasadoren e BE-së në Tiranë do ishte e vërtetë. Nuk e di, por ajo që kam dëgjuar më ka inatosur shumë.

Nëse është e vërtetë, është një turp i madh për Bashkimin Europian sepse ne ju kërkojmë juve të luftoni korrupsionin dhe krimin dhe nëse dikush prej nesh është me të vërtetë i përfshirë në diçka të tillë, atëherë për ne është një turp i madh. Për ta mbyllur, jam shumë e trishtuar kur shoh se sa e lartë është papunësia për të rinjtë.

Shumë të rinj janë larguar nga vendi juaj sepse nuk shohin asnjë të ardhme nëse qëndrojnë këtu. Nuk besoj se do preferonin të shkonin në Gjermani apo SHBA sepse ky është një vend shumë i bukur që ka nevojë për ta. Por nëse nuk ka mundësi punësimi, unë i kuptoj ata. I bëj thirrje qeveritarëve që të ndihmojnë dhe të ndryshojnë këtë situatë. Nuk mund të ketë qellim më të mirë për një politikan, sesa t’i shërbejë të rinjve në mënyrë që ata të kenë një të ardhme më të mirë. Prandaj, ju duhet të krijoni vende të reja pune. Por nëse sistemi i drejtësise dhe pronësia nuk është e qartë, atëherë kush do investojë këtu? Nëse askush nuk investon nuk do ketë vende pune. E di që ju doni të kopjoni atë që Gjermania apo Hollanda kanë bërë me sistemin e arsimit profesional, por nëse nuk keni fabrika, ku mund të bashkëpunohet midis arsimit profesional dhe ndërmarrjeve, atëhere çfarë do ndodhë? Ka shumë gjëra për t’u bërë për vendin, për të rinjtë por edhe për femrat në mënyrë që të hapen vende të reja pune. Kjo është diçka te e cila duhet të fokusohen të gjithë politikanët, dhe jo të fokusohen te xhepat e tyre. Ju e dini që mua më pelqen Shqipëria, më pëlqen peizazhi, më pëlqejnë njerëzit, mikpritja juaj dhe shpresoj që ju të keni mundësinë ta bëni një vend me të vërtetë demokratik dhe një vend i cili lulëzon përherë e më shumë. Faleminderit!

Pyetje: A do të ndërmerrni një iniciativë për ti ngritur këto çështje edhe në Bruksel?

Pack: BE ka sjellë një progres-raport për vendin juaj i cili tregon qe nuk keni bërë shumë progres. Pak a shumë e dini se çfarë duhet të bëni në këtë aspekt. Ajo që sapo thashë është një përmbledhje e atyre gjërave që duhen trajtuar”.

One comment

  1. E TURPSHME PER BE QE E PERFAQSON TI MOJ SHTRIGE QE VODHE MINERAT E KROMIT DHE FLORIRIT NE BULQIZE ME KOMPANINE E TE ASHTUQUAJTURIT BURIT TEND SE BASHKU ME SALI BERISHEN PER 8 VJET DHE ME GENC POLLON QE I JEPJE TE PINTE NGA GJIRI I HAJDUTES.

Leave a Reply

%d bloggers like this: