Home / Politika / Berisha: 18 shkurti, lëvizje misionare; Balla: Sulmi i Nokës, vepër penale

Berisha: 18 shkurti, lëvizje misionare; Balla: Sulmi i Nokës, vepër penale

Ish kryeministri Sali Berisha është shprehur jashtë dyerve të sallës së seancave plenare se më 18 shkurt protesta do të jetë një uragan.

Ai e ka quajtur protestën e Partisë Demokratike një lëvizje misionare për t’u kthyer shqiptarëve shpresën dhe besimin.

“Rama po fshihet, por do të japë llogari shqiptarëve. Kjo qeveri është e pashpresë, sheshi më 18 shkurt do të jetë uragan. Misioni i protestës është historik, nxjerrja e Shqipërisë nga megakorrupsioni”, është shprehur Berisha.

Balla: Sulmi i Nokës, vepër penale

Nga ana tjetër, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla e ka cilësuar si një ngjarje “tejet të rëndë” sulmin e Nokës ndaj Braçes, që sipas tij përbën vepër penale.

“Sot kemi një rast tejet të rëndë, kur një deputet i PD ka goditur deputetin tonë Erion Braçe. Kemi të bëjmë me një vepër të rëndë penale, “goditje për shkak të detyrës””, ka thënë Balla jashtë sallës së Kuvendit.

Ai është shprehur se, nuk është aspak i vërtetë pretendimi se goditja e Nokës ka ardhur si pasojë e reagimit të Braçes ndaj fjalimit të Berishës, duke akuzuar deputetët demokratë për shkelje të rregullores së Kuvendit.

“Që këtu uzurpohet foltorja e Kuvendit, që këtu goditen deputetët me grusht pasi është dhënë porosia nga Luli dhe Saliu që të ndizet klima politike, kjo është çështje e tyre. Por këtu ta harrojnë se mund të shkelin rregulloren”, ka thënë Balla.

Ai ka bërë me dije se, pas pak do të mblidhet Byroja Parlamentare për të shqyrtuar kërkesën e disa deputetëve të PS që kërkojnë përjashtimin e Nokës për 10 ditë, “vendim pa të cilin nuk mund të ketë një vijim normal të punimeve”.

“I bëj thirrje Bashës që të heqë dorë nga urdhërat dhe keqpërdorimi i deputetëve të tij dhe të ndikojë edhe tek Berisha që deputetët e PD të mos kthehen në kamikaz që zbatojnë urdhërat”, ka shtuar Balla.

Paloka: Mazhoranca e mbërthyer nga frika

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka e ka quajtur pasojë të frikës që ka mbërthyer mazhorancën incidentin e verifikuar në seancë.

“Kjo mazhorancë është në situatë frike, se nuk ka si shpjegohet ndryshe kjo sjellje. Është pezulluar puna dhe drejtuesja e seancës nuk shpjegon dot arsyet”, ka thënë Paloka, i cili ka bërë fajtorë “deputetët tipikë” të sherreve, Braçe dhe Balla.

Duke mbrojtur kolegun e tij Noka, Paloka ka insistuar se kërkesa e PD është që të përjashtohen të gjithë ata që kanë shkelur rregulloren.

“Kjo vjen nga një situatë frike që ka mbërthyer mazhorancën e që e reflekton më mirë kryetari i tyre. Rama ka frikë, prandaj prej 1 muaji nuk paraqitet në Parlament dhe u jep urdhëra këlyshëve të tij”, ka shtuar Paloka.

Leave a Reply

%d bloggers like this: