Politika

Ikën Alket Hyseni, largimi pas negociatave Rama-Lu

Zbatimi i reformës në drejtësi ka shënuar një zhvillim të ri, pasi drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni dha dorëheqjen të enjten në mesditë.

Alekt Hyseni është sulmuar vazhdimisht nga opozita si njeri shumë i afërt i kryeministrit, çka sipas saj e paragjykonte besueshmërinë e procesit të vettingut. Alket Hyseni e ka theksuar këtë qëndrim të opozitës si një argument të përdorur nga ata që nuk e duan reformën në drejtësi.

“Jam i përgjegjshëm se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shqiptarëve  që ky proces të zhvillohet sa më shpejt ndjej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eliminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga vettingu”, shkruan Alket Hyseni në kërkesën paraqitur kryeministrit dhe ministrit të Financave.

Drejtoria e Pastrimit të parave që drejtohej nga Alket Hyseni, e varur nga ministri i Financave, ka një rol kryesor në hetimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mazhoranca thotë se kjo ishte arsyeja që emri i Hysenit sulmohej nga opozita, por edhe nga parti brenda koalicionit.

Largimi i Hysenit u paralajmërua nga Top Channel ditën kur njoftoi se kjo çështje ishte diskutuar me një grup deputetësh nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button