Bota

Pasuesi i Flynn, nën/admirali refuzon ofertën e Donald Trump

Emri i parë i Donald Trump për ta patur në krahun e tij si këshilltar të sigurisë pas largimit të Michael Flynn, ka hedhur poshtë ofertën.

Nën/Admirali në pension, Robert Harward i ka thënë jo ftesës së Presidentit. Shtëpia e Bardhë doli me një deklaratë duke justifikuar refuzimin me çështje familjare dhe një karriere në sektorin financiar privat të Harward, por mediat amerikane thonë se shkak i refuzimit ka qenë këmbëngulja e tij për të përzgjedhur vetë stafin, këmbëngulje që nuk është pranuar nga Donald Trump.

Vetë Harward i qëndroi versionit të Shtëpisë së Bardhë. Duke folur nga Abu Dhabi, ku ndodhet si shef ekzekutiv i Lockheed Martin, 60-vjeçari tha se oferta e marrë nga Shtëpia e Bardhë ishte mëse e kënaqshme, por për çështje personale e refuzoi atë.

Megjithatë, ai as pohoi dhe as mohoi nëse i ka kërkuar Presidentit që të ketë stafin e tij në këtë post.

“Për këtë duhet të flasë Presidenti. Nuk më takon mua”, iu përgjigj ai pyetjes së adresuar nga Associated Press.

Michael Flynn u shkarkua nga detyra pas raportimeve se ende pa marrë postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, kishte diskutuar në disa telefonata me ambasadorin rus çështjen e sanksioneve, duke shkelur ligjin që u ndalon personave që nuk kanë marrë ende postin zyrtar që të përfshihen në çështje të politikës së jashtme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button