Ekonomia

Udhëzimi, ndryshon procedura e bllokimit për bizneset e paregjistruara

Një udhëzim i ri për procedurat tatimore ka përcaktuar procedura të reja për bllokimin e mallrave për subjektet e paregjistruara në Qendrën Kombëtarë të regjistrimit.

Kur administrata tatimore identifikon persona që ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vendos masën e bllokimit të mallrave dhe detyron personin të regjistrohet menjëherë në Qendrën Kombëtare të Biznesit si tatimpagues i tatimit mbi vlerën e shtuar, përcaktohet në udhëzim.

Masa e bllokimit vendoset ose në vendin e konstatimit të shkeljes kur veprimtaria zhvillohet në një adresë fikse, ose mallrat bllokohen dhe transportohen pranë ambienteve të administratës tatimore, nëse nuk është e mundur të vendoset masa e bllokimit në vendin e konstatimit të shkeljes. Nëse mallrat janë duke u transportuar ose janë të ngarkuara në një mjet, masa e bllokimit vendoset, gjithashtu, edhe për mjetin.

Masa e bllokimit për mallin edhe për mjetin hiqet pas kryerjes së regjistrimit për veprimtarinë ekonomike, duke aplikuar masat dhe dënimin, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 121, të ligjit dhe përcaktimeve të këtij udhëzimi.

Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, përveç vendosjes së masës së bllokimit në vendin (adresën) ku konstatohet shkelja, u propozohet organeve kompetente pezullimi i lejes /licencës/autorizimit për ushtrim të veprimtarisë për një periudhë 6-mujore.

Në rastin kur personi regjistrohet në QKB si tatimpagues i TVSH-së, menjëherë sapo konstatohet si i paregjistruar, kjo i bëhet me dije organit kompetent përkatës, i cili e merr në konsideratë si fakt pozitiv në favor të tatimpaguesit, përgjatë shqyrtimit të propozimit për pezullimin e lejes/licencës/autorizimit.

Në momentin e konstatimit mbahet akti i konstatimit dhe procesverbali përkatës sipas të cilit vendoset masa e bllokimit. Në aktin e konstatimit shënohet çdo e dhënë identifikuese dhe përshkrim i qartë i rastit, përfshirë datën e identifikimit, të dhënat identifikuese të personit, adresa e plotë të tij, numri i telefonit dhe çdo e dhënë tjetër e disponueshme. Bëhet inventarizimi i mallrave dhe evidentohet në procesverbalin përkatës.

Bazuar në të dhënat e procesverbalit të inventarizimit të mallrave, menjëherë pasi regjistrohet tatimpaguesi pajiset me faturat tatimore me TVSH nga administrata tatimore dhe plotëson faturën sipas nenit 53 të ligjit dhe pikës 53 të këtij udhëzimi, e ngjashme me procedurën e lëshimit të faturës nga blerësi. Në rast se nuk është i mundur regjistrimi i menjëhershëm në QKB në momentin e konstatimit të personit që ushtron veprimtari ekonomike pa u regjistruar, masa e bllokimit nuk hiqet deri në momentin e regjistrimit në QKB.

Akti i konstatimit, procesverbali përkatës, një kopje e faturës së lëshuar për dokumentimin e inventarit të mallit i përcillet për ndjekje të mëtejshme strukturës përkatëse në Drejtorinë Rajonale Tatimore me qëllim kryerjen e vlerësimit dhe aplikimin e dënimit përkatës” Nëse tatimpaguesit i është vendosur masa e bllokimit dhe ai prish shenjat dalluese të vendosura për bllokim të veprimtarisë, ndaj tij merret masa e konfiskimit ndaj gjithë sasisë së mallit siç përcaktohet në nenin 122 pika 4 të ligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button