Home / Ekonomia / Rritja e pagës minimale, fasonët: Dëmtohemi. Sindikatat e duan 26 mijë lekë

Rritja e pagës minimale, fasonët: Dëmtohemi. Sindikatat e duan 26 mijë lekë

“Si asnjëherë tjetër përfaqësuesit më të rëndësishëm të institucioneve tona, të sindikatave dhe të punëdhënësve janë mbledhur për të diskutuar pagën minimale. Në krahun tim të djathtë janë punëdhënësit”, tha ministri Klosi.

Përfaqësuesit e biznesit propozojnë që paga minimale për sektorin privat të rritet në 24 mijë lekë nga 22 mijë lekë që është aktualisht.

“Të gjitha industritë pranojnë rritje të pagës minimale me 2000 lekë të reja”, tha Luan Bregasi.

Por sindikalistët janë kundër.

“Rritja sa propozon biznesi po ta shpërndajmë në katër vite është më pak se indeksimi i inflacionit dhe rritjes ekonomike. Ndaj e kundërshtojmë. Kërkesa jonë ka qenë për 30 përqind, kompromisi i fundit është 26 mijë lekë”, u shpreh Kolë Nikolla.

Përfaqësuesit e biznesit dhe sindikalistët kanë përplasje edhe sa i përket një propozimi të veçantë të paraqitur nga punëdhënësit.

“Për fasonët kemi këtë propozim, meqenëse punojnë me kontrata të nënkontraktuara në fillim të vitit dhe kjo u rrit koston,  sivjet të bëhet 1000 lekë rritja ndërsa vitet e tjera të ndjekë normën e inflacionit”, thotë Bregasi.

“Nuk ka logjikë ekonomike paga ka katër vjet që nuk ndryshon nëse biznesi ka lidhur kontrata vjetore ne jemi pjesë e kapitalit të biznesit dhe e dimë këtë problem por dimë edhe favoret që i ka bërë qeveria këtij sektori me paketa të veçanta”, shprehet Nikolla.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj kërkoi vendosjen e një balance që nuk dëmton konkurrencën dhe thithjen e investimeve të huaja në vend.

“Për 1000 lekë të reja rritje buxheti përfiton 0.7 mld lekë në vit dhe unë si ministër financash nuk do të diskutoja fare këtu, jo 23 24 por 25. Kjo është të mendosh me gjysmën e trurit. Duhet të mendojmë për aspektin e konkurrueshmërisë dhe investimeve të huaja. Nëse një rritje e madhe e pagës minimale na dëmton, të fokusohemi tek rritja tradicionale që të japim sinjal të dyfishtë edhe tek punëmarrësit edhe tek punëdhënësit”, thotë ministri Ahmetaj.

Paga minimale është rritur tradicionalisht me 5 deri në 10 për qind me përjashtim të katër viteve të fundit kur nuk pati asnjë dyshim.

Leave a Reply

%d bloggers like this: