Kosova

AAK: Krerët e shtetit po bëjnë eksperimente me Demarkacionin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se krerët e shtetit po bëjnë eksperimente me Demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas AAK-së, ka një kohë shumë të gjatë që ata e kanë marrë mesazhin se ky version i Demarkacionit me Malin e Zi, ka probleme serioze dhe është në dëm të Kosovës, por pavarësisht kësaj, ata nuk po lënë gurë pa lëvizur që ta kalojnë pikërisht këtë version.

“Ata, ka kohë që kanë abuzuar edhe me qëndrimin ndërkombëtar për këtë temë, i cili ka qenë i qartë, që Demarkacioni duhet të marrë zgjidhje, dhe këtë qëndrim e kanë interpretuar sikur Komuniteti Ndërkombëtar, po e mbron versionin e kësaj Qeverie për demarkacionin. Qeveria ka dështuar ta kalojë këtë marrëveshje tash e një vit e gjysmë, dhe kjo nuk është bërë vetëm për shkak të Opozitës, por edhe të mosbindjes së një grupi, jo të vogël, të deputetëve shumicës parlamentare”, thuhet në një komunikatë të AAK-së.

E tani, sipas AAK-së, tani përpjekjet që të riciklohet një marrëveshje, e cila “defacto” ka dështuar, më tepër janë sjellje të një pushteti autoritar.

“Zbulimi i fundit i Kryeministrit që të krijojë Komision për matjen e territorit, është i padëgjuar dhe krejtësisht i papranueshëm, prandaj përshëndesim tërheqjen e disa anëtarëve të tij dhe inkurajojmë edhe anëtarët tjerë që ta braktisin këtë Komision artificial. Demarkacioni shënohet në kufi e jo në brendi të territorit”, thuhet më tej në komunikatën e AAK-së.

Në këtë drejtim, AAK thotë se mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj, se marrëveshja aktuale e demarkacionit duhet të rinegociohet dhe të miratohet një tjetër marrëveshje, e cila nuk dëmton territorin e asnjërit shtet dhe nuk lë probleme të hapura me Malin e Zi!

“Qeveria duhet të llogaris se do të përballet më një kundërshtim të fuqishëm politik e qytetar!”, përfundohet në komunikatën e AAK-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button