Kosova

Komisioni për demarkacionin: Kosova nuk humb territor

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës publikoi raportin e tij ku konstatohet se Kosova nuk humbet territor nga marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve.

Komisioni u krijua përpara një muaji nga vetë qeveria e Kosovës pas këmbënguljes se opozitës se marrëveshja e demarkacionit, e arritur 25 gushtin e 2015-s, i kushtonte Kosovës mbi 8000 mijë hektar tokë.

Por pas verifikimit të kujdesshëm të të dhënave dhe gjetjeve shkencore të ofruara nga institucionet përkatëse, paneli i ekspertëve doli në përfundimin se ndryshimi në sipërfaqen e tokës nga plani i Ahtisarit me matjet e fundit, është i papërfillshëm.
Kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u kujdes të sqaronte se “puna e Komisionit ishte e pavarur dhe larg ndikimeve politike”.

“Ekzistojnë kufijtë administrativë midis Kosovës dhe shteteve që kufizohet Kosova, padrejtësisht të vëna nga Serbia. Të gjitha vendimet e marrëveshjes bazohen në dokumente ndërkombëtare, institucionet tona janë zotuar se do t’i zbatojnë, që është marrëveshja tekniko ushtarake e Kumanovës, Plani i gjithëpërfshirës i Marti Ahtisaarit, Rregullorja e UNMIK-ut, marrëveshja për demarkacionin e nënshkruar me 25 gusht 2015, konstatimi i departamentit amerikan që kohë më parë shqyrtoi vijën kufitare të Kosovës me Malin e Zi dhe tha se Kosova nuk humb territor”, u shpreh Hivzi Islami, kryetar i komisionit për matjen e territorit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj reagoi menjëherë përmes një postimi në “Facebook” ku tha se komisioni i matjes së territorit është një marionetë e kryeministrit Isa Mustafa dhe se anëtarët e tij nuk kanë ndërgjegje sepse janë argatë të qeverisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button