Ekonomia

Vendimi për pensionet, sa rriten për çdo kategori

Pensionistët në të gjithë vendin nga 2 marsi do të tërheqin rritjen e pensionit në masën 3 për qind. Vendimi për rritjen e pensionit që u miratua sot në mbledhjen e Qeverisë e njoftoi ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Sipas vendimit, shtesa për të gjitha kategoritë do të tërhiqet në fillim të muajit mars.

Ministri Ahmetaj tha se fondi i rritjes do të jetë 2.6 miliardë lekë. Fondi vjetor që qeveria do të shpenzojë për rritjen do të jetë 3 miliardë lekë.

“Rritja e pensioneve do të jetë 3 për qind, me një vlerë prej 2.6 miliardë lekësh për periudhën dhe 3 miliardë lekë për vitin. Rritja e pensioneve fillon më 2 mars dhe nesër (sot) kalon në qeveri vendimi shoqërues për rritjen e pensioneve me 3 për qind”, u shpreh Ahmetaj.

Shtesa 3 për qind e pensioneve do të sjellë rritje të pensioneve të qytetit, nga 443 lekë deri në 773 lekë. Për pensionet në fshat, rritja do të variojë nga 286 lekë deri në 367 lekë në muaj.

Aktualisht, pensioni minimal në qytet është 14.785 lekë, me rritjen 3 për qind ai do të jetë 15.228 lekë. Shtesa për pensionin minimal të pensionistëve të qytetit do të jetë 443 lekë. Pensioni maksimal i pleqërisë për qytetin është 25.770 lekë, me rritjen parashikohet të arrijë në masën 26.543 lekë.

Shtesa për pensionin maksimal të pensionistit në qytet llogaritet 773 lekë në muaj. Nga rritja do të përfitojnë edhe pensionistët në fshat. Ministria e Financave do t’i dërgojë qeverisë për miratim edhe vendimin me llogaritjet për rritjen e pagave.

Rritja e pagave nis në prill. Përfitues do të jenë punonjësit e administratës që do t’u rriten rrogat me 7 për qind, ndërsa rrogat e ulëta 36 për qind. Për mësuesit, pedagoët, mjekët, infermierët, policët dhe ushtarakët, rritja e pagave do të jetë 10 për qind.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button