Rajoni

Pesë vjet burg për pjesëmarrje në luftërat jashtë vendit

Parlamenti i Maqedonisë me shumicë votash miratoi ndryshimet në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime me burg për personat që në forma të ndryshme përfshihen në operacionet luftarake të ndonjë shteti tjetër.

Nikola Gruevski Premierminister Mazedoniens 19.06.2014

Sipas ndyshimeve të Kodit Penal, ai që rekruton, bën thirrje apo nxit në ndonjë formë tjetër shtetas të Maqedonisë që t’i bashkangjiten ndonjë formacioni ushtarak apo paraushtarak, që organizon stërvitje ushtarake dhe transporton persona të tillë, dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg. Me ndryshimet në Kodin Penal, gjithashtu do të shqiptohen dënime më së paku për 5 vjet burg, për individët të cilët ofrojnë mbështetjen e organizimit të dërgimit të shtetasve të Maqedonisë në luftërat jashtë vendit, apo në forma organizative apo financiare u ndihmojnë atyre për t’u përfshirë në luftime jashtë Maqedonisë. Do të dënohen edhe ata persona, të cilët në rrjetet sociale nxisin persona të tjerë të kryejnë veprën penale, pjesmarrje në konfliktet ushtarake jashtë vendit. Ndryshimet parashohin dënime prej 1 deri në 5 vjet burg edhe për personat, që ndihmojnë apo fshehin persona që kryejnë vepra penale, apo pengojnë personat e organizuar në zbulimin e autorëve të veprave penale.

Grubi: Ka individ dhe jo fe radikale

Deputeti i BDI-së Artan Grubi thotë se me ndryshimet në Kodin Penal, do të identifikohen individë të caktuar që luftojnë jashtë vendit në mënyrë që të mos etiketohen të gjithë besimtarët myslimanë në Maqedoni. “ Nuk mund të ekzistojë islami apo krishtërimi radikal, ka vetëm individë radikalë, që nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë” shprehet Grubi. Deputeti i koalicionit qeveritar nga radhët e partisë Liberal-Demokrate ,Pavle Trananov thotë se pjesmarrja e individëve nga Maqedonia në luftërat e huaja është një problem që po merr përmasa shqetësuese. Sipas tij nuk është i mjaftueshëm vetëm ndryshimi i Kodit Penal por nevojitet një mobilizim më i gjërë duke përfshirë këtu bashkësitë fetare, partitë plitike dhe sektorin joqeveritar. “ Nuk duhet të presim shumë nga dispozitat ndëshkuese të ligjit. Bëhet fjalë për përcaktime fetare, për besime dhe kjo e vështirëson edhe më shumë problemin. Në këtë drejtim mendoj se duhet t’i jepet një dimension më i fortë parandalimit. Në rast se bëjmë një strategji të të gjitha shteteve tërajonit, që bashkarisht t’i pengojnë dukuri të tilla, atëherë më lehtë do ta luftojmë këtë dukuri”, vlerëson Pavle Trajanov.

Ministria e Brendëshme ndjek situatën me seriozitet

Në Maqedoni deri më tani nuk është arrestuar asnjë “xhihadist” i dyshuar për pjesmarrje në luftërat në Siri dhe Irak, edhe pse jozyrtarisht flitet për një numër të konsiderueshëm të shtetasve të Maqedonisë që marrin pjesë në luftrën në Irak si përkrahës të organizatave IS dhe Al-Nusra dhe në luftën në Siri. Jozyrtarisht thuhet se në luftërat në Lindjen e Mesme, marrin pjesë së paku 30 shtetas nga Maqedonia ndërsa në media janë publikuar të dhëna mbi vrasjen e së paku 4 personave, shtetas të Maqedonisë, nga frontet e luftimeve, që zhvillohen në Irak dhe Siri, Ministria e Punëve të Brendëshme asnjëherë në mënyrë zyrtare nuk ka publikuar të dhëna mbi numrin e shtetasve të Maqedonisë nga frontet e luftrave që zhvillohen në Irak dhe Siri. Ministrja Gordana Jankullovska ka thënë se strukturat e kësaj ministrie kanë të dhëna operative, por ajo nuk ka pranuar të japë detaje më të hollësishme. Maqedonia në raportet e ndryshme ndërkombëtare dhe nga institucionet relevante ndërkombëtare të sigurisë, konsiderohet si një vend me prani të shtuar të predikuesve dhe organizatorëve të dëshmuar, që rekrutojnë të rinj të manipuluar nën petkun fetar për të luftuar në Siri dhe në Irak. Shkupi konsiderohet si pikë kyçe dhe tranziti për personat që shkojnë të luftojnë përkrah formacioneve IS dhe Al-Nusra. Dyshime ka edhe për disa shoqata joqeveritare që funksionojnë nën petkun fetar dhe që për çdo vit transferojnë miliona dollarë nga Maqedonia.

Bashkësia Islame jep alarm për situatën

Bashkësia Islame në Maqedoni kohë më parë dha alarmin se në Shkup ekzistojnë xhami, të cilat nuk janë nën kontrollin e saj. Kryetari i Bashkësisë Islame, Sulejman Rexhepi, ka shprehur dyshime edhe ndaj shoqatave të ndryshme, që merren me punë të cilat kryesisht nuk kanë të bëjnë me çështje të fesë. Sipas tij, në dy xhami të Shkupit, ka persona të imponuar, që predikojnë fenë e që për fat të keq janë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame. Rexhepi kritikon autoritetet që nuk marrin masa për këto shqetësime e që u lejojnë organizatave të ndryshme të merren me çështjet e fesë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë, qëllimi kryesor i ndryshimeve të Kodit Penal për ndëshkimin e personave, shtetas të Maqedonisë, që marrin pjesë në luftërat jashtë vendit, është përforcimi i sistemit të sigurisë kombëtare dhe lufta kundër kërcënimeve globale , vëçanërisht ndaj terrorizmit dhe raporteve të njëpasnjëshme të organizatave ndërkombëtare për krimet, masakrat, rrëmbimet dhe spastrimet etnike që po bëhen nga ana e xhihadistëve, nga luftëtarët e IS në Irak dhe Siri.

Ndryshimet e reja në Kodin Penal, sipas ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni, Pol Volers, janë hapi i duhur për Maqedoninë, sepse një numër i madh vendesh në rajon kanë ligje të ngjashme. “Terrorizmi është një problem në rritje në botë, është një problem global, që kërkon aksione të përbashkëta nga të gjitha vendet, sepse asnjë vend nuk mund të përballet vetë me këtë problem. Një legjislacion i tillë do të ketë një efekt sinjifikant tek njerëzit që shkojnë për të luftuar në aktivitete terroriste në të gjithë botën. Nuk themi se do të ketë efektin e njëjtë tek të gjithë, por do të ketë efekt dhe do t’i japë qeverisë edhe një armë më shumë për të luftuar kundër terrorizmit”, thotë Pol Volers.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button