Ekonomia

Pro dhe kundër rritjes së pagës minimale

Pas rreth katër vitesh, paga minimale në Shqipëri do të rritet. Vendimi do t’i takojë qeverisë sa i përket nivelit me të cilin do të rritet nëse do të jetë 23-24,000 lekë apo 26,000 lekë. Kjo e fundit mbrohet nga sindikata. Në të dy rastet, rritja do të shoqërohet me kosto për biznesin, veçanërisht për atë prodhues

 

I takon qeverisë tani të thotë fjalën e fundit se cila do të jetë paga minimale e re në shkallë vendi. Këshilli Kombëtar i Punës nuk arriti dot që të kishte një vendim të unifikuar në lidhje me shifrën finale. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Financave kanë propozuar nivelin 24,000 lekë, ndërsa sindikatat shifrën prej 26,000 lekë. Se cila do të jetë paga e re minimale në shkallë vendi, atë do ta mësojmë në vazhdimësi, pasi qeveria të marrë vendimin, i cili do të duhet më pas të botohet në Fletoren Zyrtare, për të marrë fuqi të plotë. Për herë të fundit, paga u rrit në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë nuk është indeksuar as me ndryshimin e çmimeve të konsumit. Shqipëria është ndër vendet me pagën më të ulët minimale në rajon (aktualisht në 157 euro). Për biznesin ky është konsideruar si një avantazh për të tërhequr sipërmarrësit e huaj, veçanërisht në fushën e prodhimit, duke qenë se konkurrenca në rajonin e Ballkanit është e fortë.
Por, ndryshimi i pagës minimale ka dy efekte. Nga njëra anë qëndron biznesi, të cilit do t’i rriten kostot e punës së biznesit. Vetëm për sigurimet shoqërore, rritja do të ishte 334 lekë. Në kushte të tilla, biznesi mund të detyrohet që të shkurtojë vendet e punës ose të ulë investimet, çka nuk do të ishte një lajm i mirë për ekonominë.
Në anën tjetër qëndron punëmarrësi, i cili do të kishte disa të ardhura më të larta. Drejtuesit e sindikatave argumentojnë se një pagë minimale më e lartë mbron kapitalin njerëzor nga shfrytëzimi i padrejtë dhe shton konsumin.
Por, këtë e kundërshtojnë bizneset, sipas të cilëve kjo rritje nuk do të ndihet nga punëmarrësit, pasi kostot shtesë do të
reflektohen te çmimet e ca më keq akoma mund të nxitet, me dëshirë edhe informaliteti.
Kjo gjë e bën diskutimin specifik. Një pjesë e ekspertëve e marrin në konsideratë këtë fenomen e disa të tjerë jo. Institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht Banka Botërore, thekson se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Një argumentim, i cili vendoset përballë atij mbi rritjen e pagës minimale.
Rritja e pagave minimale, në terma realë, ka qenë shumë e ulët në periudhën midis viteve 2000–2015, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregullues në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës.

 

Argumentet e qeverisë

Diskutimi për ndryshimin e pagës minimale ka nisur që në fillimin e vitit të kaluar.
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, përmes një letre, iu drejtua qeverisë për t’i kërkuar rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar, nga 22,000 lekë në 23,000 lekë. Argumentimet merrnin në konsideratë zhvillimet në sektorin e regjimit aktiv dhe të eksporteve; koniunkturën e tregut ndërkombëtar në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve; nivelin e kursit të këmbimit; dëshirën për të ndikuar në rritjen e konsumit dhe për të përmirësuar sado pak cilësinë e jetesës së të punësuarve etj.
Edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i pati dërguar një studim qeverisë shqiptare ku ofroheshin argumente mbi avantazhet e rritjes së pagës minimale.
Të gjitha argumentimet janë shqyrtuar si nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ashtu edhe Ministria e Financave.
Në një shkresë në dhjetor të vitit 2016, Ministria e Mirëqenies Sociale i ka kërkuar mendim Ministrisë së Financave ku propozonte caktimin e një page minimale në 24,000 lekë në muaj si varianti më i pranueshëm dhe për të cilin ishin përgatitur dokumentet e nevojshme dhe ishin zhvilluar edhe takime me partnerët socialë.
Kjo rritje është argumentuar duke pasur parasysh disa aspekte:
– Nevoja e ruajtjes së nivelit të jetesës së punonjësve që marrin një pagë minimale. Duke filluar nga viti 2013 e deri në vazhdim nuk ka pasur rritje të pagës minimale e as indeksim sipas çmimeve të konsumit.
– Plotësimi i detyrimit ligjor që rrjedh nga neni 4 i Kartës Sociale Europiane dhe Rekomandimi nr.135 i ILO-s, sipas të cilit paga minimale duhet përshtatur kohë pas kohe në përputhje me ndryshimet e kostos së jetesës dhe faktorëve të tjerë ekonomikë.
– Niveli i ulët i pagës minimale në vendin tonë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
– Mundësitë që ka aktualisht biznesi dhe sidomos ai fason që ka qenë kundër rritjes së pagës minimale. Kjo e argumentuar me faktin se industria përpunuese e fasoni, përgjithësisht tekstilet dhe lëkura, kanë rritur volumin e produkteve të tyre eksportuese.
Edhe në korrik të vitit 2016, në mbledhjen e Komisionit të Pagave dhe Pensioneve pranë MMSR-së, përfaqësuesit e organizatave të punëmarrësve propozuan që paga minimale të bëhej 24,000 lekë, ndërsa përfaqësuesit e punëdhënësve dhe kryesisht fasoni nuk ishin dakord.

 

Sindikata, pas kompromisit, propozimi shkoi në 26,000 lekë

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, përfaqësuesit e sindikatave shkuan me dy ‘skenarë’ në lidhje me pagën minimale.
I pari, i dërguar edhe përmes një rezolute në qeveri, propozonte një rritje në masën 30% të pagës minimale në Shqipëri, duke e çuar atë në nivelin 28,600 lekë.
“Skenari” rezervë fliste për të marrë në konsideratë edhe kompromisin, sipas të cilit niveli i pagës minimale do të zbriste në 26,000 lekë. Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, tha për “Monitor” se Këshilli nuk arriti dot që të siguronte kompromisin për të dalë me një vendim të unifikuar. “Në qeveri do të shkojnë të dy propozimet, si ai i yni, në 26,000 lekë, ashtu edhe i dy ministrive në 24,000 lekë. Ministria e Financave e mbështeti propozimin tonë, tani na mbetet të presim për të mësuar se cili do të jetë vendimi i qeverisë”, tha z. Nikollaj.
Vitin e kaluar, kjo konfederatë ndërmori një studim së bashku me Universitetin Europian të Tiranës për të matur efektet që do të kishte rritja e pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore.
“Paga minimale është një nga elementet më të rëndësishme në politikat ekonomike të një shteti. Ndaj duhet të mbahen parasysh edhe efektet që janë të shumta, si te punonjësit, nga pikëpamja psikologjike dhe ekonomike e motivimit për punë, por edhe te punëdhënësit, për rritjen e produktivitetit të punës, si dhe në ekonominë e vendit, e cila jep një frymëmarrje, me një trend rritje dhe sigurimi të vendeve të reja të punës të qëndrueshme. Tregu i punës në Shqipëri nuk është i mirëstrukturuar, pasi shumica e të punësuarve janë në bujqësi apo në shërbimet e tregut të fasonit, të cilët paguhen me pagë minimale. Ekonomia shqiptare vuan ende ndjeshëm nga informaliteti dhe kjo reflektohet dhe në skemën e pagesave. Nga të gjitha studimet e kryera tashmë është vërtetuar se paga minimale jep efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit. Ndryshimet në pagën minimale ndikojnë në punësim, shpërndarjen e të ardhurave dhe nivelin e çmimeve. Rritja e pagës minimale sigurisht që jep efekte në zbutjen e varfërisë. Rritja e pagës minimale jep ndikim në punësim dhe për orët që kryhet dhe në shpenzimin e firmave, në stabilizimin e çmimeve, njëkohësisht ajo jep ndikim edhe në skemën e re të pensionit, duke e mbështetur atë me sigurime të mjaftueshme shëndetësore dhe shoqërore. Punëtorët duke u paguar më shumë, detyrimisht ndryshojnë performancën e tyre të punës, rrisin produktivitetin në punë, krijojnë një treg pune të qëndrueshëm, duke rritur aftësitë për një punë më cilësore brenda së njëjtës kohë. Tregjet e punës me paga të ulëta kanë nivele të larta të punës së nivelit masiv. Nivelet e qarkullimit janë të larta, pasi punëtorët lënë punën për të kërkuar punë me paga më të mira, ose për shkak të varfërisë, ata e kanë të pamundur të realizojnë produktivitetin e duhur. Sjellim në vëmendje këtu vështirësitë, për t’u ushqyer, transportin, kujdesin dhe shkollimin e fëmijëve, shëndetin e familjeve të tyre etj. Si rezultat i kësaj, në vend të eliminimit të vendeve të punës, siç pretendojnë disa biznese jo inteligjente, rritja e pagës minimale mund të zvogëlojë lëvizjet dhe të rrisë qëndrueshmërinë e vendeve të punës. Një pagë e ulët minimale sjell shanse negative që qytetarët të bien në grackën e papunësisë dhe të kërkojnë vetëm përfitime sociale. Pra, rritja e pagës minimale automatikisht redukton privimin social dhe krimin. Paga minimale mbron dhe kapitalin human nga shfrytëzimi i padrejtë. Rritja e pagës minimale sjell efekte pozitive edhe për qeverinë, pasi ulen pagesat e ndihmave sociale. Nëse punëtorët paguhen më shumë për një orë pune, atëherë ata do të jenë në gjendje për të përmbushur nevojat e tyre themelore – ndihmë sociale apo asistenca”, thuhet në studimin e KSSH-së.
Në të është arritur në përfundimin shkencor dhe të bazuar në logjikë ekonomike se në realitetin e sotëm të ekonomisë shqiptare, për aq kohë sa ekziston një lidhje e drejtë midis rritjes së pagës minimale dhe rritjes ekonomike (rritja me 1% e pagës minimale rrit PBB-në me 0.07%). Njëkohësisht studimi rekomandon se rritja e pagës minimale bazohet edhe te Karta Sociale Europiane, e cila detyron që ajo nuk duhet të zbresë poshtë nivelit 60% të pagës mesatare neto kombëtare.

 

 


“Goditja nën brez” e biznesit

Nëse ka një sektor që do ta ndiejë fort ndryshimin e pagës minimale, ai është padyshim fasoni.
Më herët, përfaqësues të këtij sektori kanë thënë për “Monitor” se rritja e pagës minimale do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi. Një tjetër vend konkurrues është edhe Rumania, që ka një nivel të ulët pagash. Fondi i pagave në industrinë e fasonit llogaritet në rreth 70% të shpenzimeve.
“Me rritjen e pagës minimale, këto shpenzime do të rriten edhe më tej. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se në Shqipëri është vështirë të gjesh krah pune të kualifikuar për këtë sektor. Vetëm Tirana, sot për sot, ka nevojë për 10,000 forca pune”, thotë z. Florjan Zekja.
Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, numri i punonjësve të së cilës llogaritet në rreth 700, tha se biznesi i tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë, nuk do të prekej, pasi siç konfirmon nuk ka asnjë punëtor që e paguan me pagë minimale. Sipas tij, paga është një element i cili rregullohet nga vetë tregu dhe nuk është e nevojshme që të bëhet me politika diktuese e detyruese. Por, për sektorin e fasonit, një lajm i tillë do të ishte tejet negativ, pasi do të rriste tendencën për abuzime dhe informalitet. Liqejza tha se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. Në anën tjetër, do të nxiste ekonominë informale.
Rëndimi i situatës, shtoi Liqejza, mund të çojë deri atje sa të bëjë që firmat e huaja që punojnë me fasonin shqiptar të tërhiqen e të gjejnë tregje të tjera si Bullgaria (e cila ende ka pagë më të ulët në rajon) apo Maqedonia e cila ofron edhe zona të lira ekonomike. “Në këto kushte, mund të themi qartë se po pranohet me dashje nxitja e informalitetit”. Ai thotë se nuk është kundër vendosjes së një kufiri për pagën minimale, por këtë duhet ta bëjë tregu jo qeveria. Në anën tjetër, përcaktimi i tyre pa vendosur zyrtarisht minimumin jetik, është i pastudiuar.
“Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jo konkurrues”, thotë z. Liqejza.
E duket se në të njëjtën linjë janë eksportuesit, si dhe prodhuesit në vend.
Ndërsa Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, tha se në sektorin e eksporteve, ndikimi do të jetë negativ.
“Sot sipërmarrësit po të kenë hapësira të tjera për të rritur pagat e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, pasi është fakt i njohur që të gjitha bizneset eksportuese kanë nevojë për më shumë fuqi punëtore, kanë porosi më tepër se çfarë janë duke bërë për eksport, por janë përballë vështirësive në gjetjen e punonjësve.
Nëse do të kishte hapësirë për të rritur pagat, një biznes do ta bënte. Por, nëse i thuhet biznesit të rrisë pagat nga aq në kaq lekë, atëherë gjasat janë që të rrisim në mënyrë artificiale kostot e produkteve të prodhuara nga kompanitë eksportuese dhe në këtë rast, efekti do të jetë në reduktimin e eksportit, ose do të humbasim kontratat pasi nuk mund t’ia transferosh koston e shtuar në mënyrë administrative partnerit tënd të huaj.
Ose bizneset do të jenë të detyruar të reduktojnë punonjësit me rentabilitet të ulët, pra ata që punojnë në kufirin e pagës minimale. Ata do të jetë të parët që shkurtohen nga puna sepse mbajtja e tyre në punë do të rezultojë si kosto e shtuar.
Ekziston rreziku i kalimit të biznesit në një marrëdhënie informaliteti me punonjësit e tyre. Kjo përveçse do të jetë një informalitet i pastër kthehet në një marrëdhënie shumë të rrezikshme për sipërmarrësin, pasi mund të jetë i cenueshëm në çdo moment për mashtrim apo çështje të tjera.
Në këto kushte, çdo tentativë për të rritur pagat mbi baza administrative, me urdhra apo dekrete, është në kundërshtim me të gjitha ligjet e ekonomisë së tregut”, tha z. Zusi.
Por, nga ky vendim nuk do të dëmtohen vetëm eksportuesit, por edhe prodhuesit vendas, të cilët do të dalin në treg për shkak të rritjes së kostos së fuqisë punëtore.


Si ndryshon kostoja e punës

Ndryshimi i pagës minimale do të shoqërohet me rritjen e kostos së punës dhe me ndryshime në nivelet e pagesës së sigurimeve shoqërore. “Monitor” ka bërë një përllogaritje të kontributeve sipas tre niveleve të pagës minimale, 22,000 lekë që është aktualisht, 24,000 lekë që propozohet nga qeveria dhe 26,000 lekë që propozohet nga sindikata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button