Home / Opinion / Përse është fatkeqësi të kesh përballë një opozitë të tillë

Përse është fatkeqësi të kesh përballë një opozitë të tillë

Nga Bedri Islami

 

Është vërtet fatkeqësi të kesh përballë një opozitë të tillë. Një opozitë e cila kalon nga groteskja tek tragjikja dhe që, si asnjëherë më parë, përshfaq para njerëzve pikërisht atë që nuk duhet të përshfaqë.

Ka ende shumë njerëz që nuk mund ta besojnë se do të kisha dashur një opozitë të fuqishme. Duke qenë njëri ndër gazetarët e parë të rreshtuar kundër saj, jo për hobi, por nga agresiviteti dhe përmbysja e vlerave, megjithatë do e kisha dashur opozitën krejt ndryshe nga ajo që është dukur deri më tani, e sidomos ditët e fundit.

Nuk ka asgjë më tragjike për një vend kur aspiruesit e pushtetit dalin nën një dritë të tillë, e cila, si mos ma keq, na sjell afër tiparet e një klase politike që synon të jetë e tillë, por nuk është.

Thirrjet e Bashës për thyerje xhamash, shpim gomash, tërheqja zvarrë, nuk janë ndër ato gjërat që dikush në këtë vend, edhe ata që janë në të majtë dhe në të djathtë të tij, i marrin seriozisht. Edhe policia e shtetit të mos merret me thirrjet halucionante të një njeriu që nuk e di se çfarë bën, ku është dhe ku do të shkojë. Deliri i madhështisë, me të cilin, më shumë kërkon të trembë të vetët që presin si skifterët ta përmbysin, se sa të trembë një gazetar të vjetër si Thoma Gëllçi, apo një shtet që qeveriset nga një shumicë dërmuese parlamentare, është si ato ëndrrat e pas mesnatës me vampirë, nga të cilat zgjohesh i trembur.

Përse është fatkeqësi të kesh përballë një opozitë të tillë:

  1. Kur shefi juridik i opozitës është një figurë politike e parashutuar, më tepër si kukull politike e kurdisur se sa një njeri i gjallë, tek i cili, megjithë ndihmën e pashoqe të analistëve pranë tij, nuk sjell asnjë vizion, veç budallallëkut “ kam një sekret.. unë jam gati t’ ju udhëheq”, atëherë të kujtohet një thënie e vjetër se “ peshku qelbet nga koka”.

Shefi juridik i opozitës, megjithë mburrjen për t’i dhënë pushtetin popullit, një thirrje që të kujton vitin 1945, në të gjithë diskursin e tij politik, nuk ka më shumë se 200 fjalë, dhe, mendja mos ta dashtë, duket se prej shumë viteve nuk ka pasur në duar asnjë libër serioz, në mos tjetër, të paktën për të qenë njeri i elokuencës dhe i mendimit.

Është ndoshta i vetmi shef opozite që një vit para zgjedhjeve e di me siguri që do të humbë në zgjedhjet që po vijnë, dhe, duke pritur të shkrijë bora e lësistëve, bën petulla në udhëtimet Rinas – Amsterdam.

Kur një shef opozite, i pritur si shpresë, në tetë vite mban mbi supe vjedhje, vrasje e mashtrime të pashoqe, dhe pastaj, kur ka rënë nga fiku dhe e sheh se nuk do të hipë më në fikun e pushtetit, thërret “popullin”,duke e ditur se populli nuk e dëgjon, ai nuk është asgjë tjetër veçse zëri i çjerrur i një opozite që më shumë se sa ide ka çjerrje meskine e burracakërie.

Ngujimi në Çadër , e cila nuk është asgjë tjetër veçse ripërsëritje e çadrave paraardhëse, duke ngulmuar se këtu do të jemi deri sa të përmbyset qeverie, në të vërtetë fsheh frikë.

Ai ka filluar ta përfytyrojë çadrën e tij në mesin e bulevardit si një çadër lufte, por dalëngadalë po e kthen në një çadër ahengu.

  1. I gjithë diskursi politik i Bashës dhe i opozitës është në kërkimin e një qeverie teknike, sepse kjo e sotmja, një bandokraci, do i vjedhë votat.

Nuk ka asnjë ide tjetër. Është hequr dorë nga votimi dhe numërimi elektronik, por është kthyer përmbysja e Vettingut.

Në fakt qeveria teknike është alibia e Vettingut.

Vettingu mund të përmbysë shumë figura politike dhe mund të rikthejë disa nga “patatet” më të nxehte të krimit edhe një herë në tryezën e drejtësisë.

Shumë nga ata që janë përkrah Bashës janë elementë që preken direkt nga Vettingu. Pronat e tyre, krimet që kanë bërë, një ditë kanë drojën se mund të dalin në sipërfaqe. Raportet e aisbergut politik mund të përmbysen befas një ditë dhe mbi sipërfaqe të dalin shtatë të tetat e krimit.

Asnjë ide reale nuk është hedhur mbi tryezë. Vetëm idea e mohimit të zgjedhjeve, e vettingut dhe e ligjit për arsimin.

Përse duhet besuar opozita se mund të vepronte ndryshe dhe përse duhet akuzuar shumica qeverisëse se do i vjedhë votat?

Opozita ka dhënë tre shembuj të papërsëritshëm në vjedhjen e votave: vitin 1996, viti i fillimit të prapshtisë shqiptare dhe i krimit të vitit 1997, ku autore dhe realizuese është pikërisht opozita e sotme , dhe, vitin 2009, ku rishtas realizuese e krimit është kjo opozitë.

Shumica qeverisëse ende nuk ka organizuar zgjedhje parlamentare. Në vitin 2013, megjithëse në pushtet ishte kjo opozitë, qeverisja e sotme fitoi në mënyrë plebishitare.

Në zgjedhjet lokale të zhvilluara në tri bashki nuk ka pasur asgjë tronditëse, duke përjashtuar këtu humbjet spektakolare të opozitës.

  1. Basha, duke dashur të paraqitet si moderator dhe njeriu i vlerave moderne perëndimore, në fakt e hodhi poshtë këtë pelerinë dhe u shfaq ashtu si ishte paraardhësi i tij.

Por, e vërteta e vërtetë, kur Berisha kërcënonte e bubullonte diçka lëvizte nga vendi. I kishte edhe hije, megjithëse i çartallosur. Berisha bubullinte në kohën e duhur dhe e dinte përse.

Bubullimat e Bashës, kur ka afër vetes një soj politikanësh që vetëm njerëz të politikës nuk mund të jenë, të ngjajnë me bubullimat tek “Shkëmbi i Kavajës”, të cilat kurrë nuk trembën njeri, deri sa u kthyen në një këngë pleqërishte.

Opozita nuk ka asnjë vizion, mjerisht, asnjë ide, për fat të keq.

Ajo pret që Edi Rama të ulet nga zyra e tij, t’ia marrë dorën Bashës, t’ja dorëzojë çelësat e zyrës dhe t’i thotë, “tani më dënoni, se e kam hak”.

Edhe po të dojë Edi Rama të bëjë këtë, nuk e bën dot, sepse nuk është ai fituesi i vitit 2013.

Nëse ndonjëherë është fjala për popull, ai është pas vendimit plebishitar të qershorit 2013.

Ndërkohë opozita pret nën çadër të marrë pushtetin duke ngrenë qoftet e Ed Halimit, nën shijen e rakisë së Ristanit, turfullimit budalla të Mul Nokës, gërgërimës idiote të Palokës dhe një sharlatani politik si Kreshnik Spahiu.

Kjo është ballina e opozitës.

Ndaj them se është fatkeqësi të kesh një opozitë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.