Ekonomia

Shkresa e kompanive të karburanteve për Gjiknurin: Nuk po na pyesni, do pezullojmë shitjen e karburanteve

Unioni i Shoqërive Hidrokarbure Shqiptare i ka dërguar dje një shkresë zyrtare ministrit të Energjisë, z.Damian Gjiknuri, dhe për dijeni kryeministrit dhe Ministrive të Ekonomisë, Transporteve e Financave, ku kundërshtojnë prerazi rivendosjen e tarifave të larta për licencimin e pikave të gazit e karburantit prej 3 milionë lekësh për kryeqytetin dhe 1 milion lekë për rrethet e tjera. Sipas shkresës, niveli i licencimit në këtë masë për ne është shumë e lartë, arbitrar, i paarsyeshëm, si dhe i paargumentuar. Tarifa që ju kërkoni të miratoni nuk është e mbështetur në ndonjë studim paraprak, është e pajustifikuar, nuk përcakton shërbimin që do të ofrohet kundrejt kësaj pagese etj. Unioni ankohet se po veprohet në linjë të kundërt me nismën e qeverisë shqiptare për konsultim publik dhe të gjerë të ligjeve dhe akteve nënligjore.

Ata kanë paralajmëruar në këtë shkresë se nëse do të miratohet VKM-ja, kjo do të sjellë probleme në funksionimin e tregut të hidrokarbureve duke mos përjashtuar edhe mbylljen/pezullimin e shitjes së karburanteve deri në marrjen parasysh të mendimeve të shoqatës dhe pasqyrimin e tyre në VKM.

Në dhjetor të vitit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi në mënyrë të papritur dhe pa u diskutuar me grupet e interesit, të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë.

Pasi vendimi u çua në Kushtetuese, më 2 nëntor 2016, Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e grupeve të interesit, duke vendosur shfuqizimin e pikës 9 të kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.

Tashmë, Ministria e Industrisë po tenton ta rivendosë atë në nivelet 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milion lekë në rrethe. Miratimi i tarifës bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa të ardhurat prej saj i shkojnë bashkive përkatëse.

Nëse miratohet kjo tarifë, efekti i saj, do të transmetohet direkt te konsumatorët fundorë, përmes rritjes së çmimit të karburanteve, me 3-5 lekë litër.

Tarifat e mëparshme, që u pezulluan nga Kushtetuesja, u llogaritën nga shoqëritë hodrokarbure, të kishin një efekt prej 5-7 lekë për litër dhe që u reflektua në mesin e vitit të kaluar, por që u amortizua më pas nga mosndryshimi i çmimit në dhjetor, kur në bursa nafta kërceu mbi 50 dollarë për fuçi.

MË POSHTË LETRA E PLOTË

“Në vijim të takimit të datës 27 Shkurt 2017 në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë me Z. Dritan Spahiu, Drejtor i Politikave dhe Zhvillimit te Hidrokarbureve po ju drejtohemi me kerkesën e mëposhtme në lidhje me amendimin/përcaktimin e nivelit të ri të tarifës së liçencimit të tregtimit me pakicë. Rikujtojmë që niveli i tarifës së Licencimit i përcaktuar në pikën 9 të Kreut II të VKM Nr.970 Datë 02.12.2015 “Për Përcaktimin e Procedurave dhe të Kushteve për Dhënien e Licencave për Tregtimin e Naftës Bruto dhe Nënprodukteve të saj” u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me Vendimin Nr.86 datë 30.12.2016.

Fillimisht shprehim keqardhjen tonë për mungesën e bashkive kryesore në takim në mënyrë që të sqarohej se çfarë shërbimesh do të japi pushteti vendor në këmbim të rritjes së pagesës, argumentimi i nivelit të tarifës (3 000 000 lekë për Bashkinë e Tiranës si dhe 1 000 000 lekë për Bashkitë e tjera), konsultimin me grupet e interesit që lobojnë për mbrojtjen e interesave të biznesit në mëyrë që të gjitha palët të komentojnë dhe shqyrtojnë thelbin e kesaj tarife që kërkojnë të aplikohet dhe rrjedhojat që ajo sjell në biznes.

Ju vëmë në dijeni se të gjithë anëtarët e të dyja Shoqatave kryejnë veprimtari në tregun e hidrokarbureve duke përfshirë veprimtarinë e prodhimit, eksportimit, importimit, shpërndarjes, transportit, shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, dhe për këtë arsye konsiderohemi si “grupe interesi” sipas përcaktimeve qoftë të ligjit 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” si dhe ligjit 119/2014 “Për drejtën e informimit”.

Gjatë takimit u informuam nga Z. Spahiu se VKM 970/2015 i janë bërë disa amendime ku një prej tyre është përcaktimi i pagesës për Pushtetin Vendor si vijon: Pagesa për dhënien e licencës në vlerën 3 000 000 (tre milionë) lekë për Bashkinë e Tiranës si dhe 1 000 000 (një milion) lekë për Bashkitë e tjera. Niveli i licencimit në këtë masë për ne është shumë i lartë, arbitrar, i paarsyeshëm si dhe i paargumentuar. Tarifa që ju kërkoni të miratoni nuk është i mbështetur në ndonjë studim paraprak, është e pajustifikuar, nuk përcakton shërbimin që do të ofrohet kundrejt kësaj pagese etj.

Ne do ta konsiderojmë si jo të përshtatshme dhe në kundërshtim dhe me nismën e qeverisë shqiptare për konsultim publik dhe të gjerë të ligjeve dhe akteve nënligjore faktin nëse nuk merren parasysh mendimet e shoqatave për Nivelin e Tarifës së Licencimit. Ne besojmë se konsultimi me palët e interesuara nuk është thjesht një vlerë e shtuar në procesin ligjbërës por edhe një parakusht për një proces të vendimmarrjes demokratike dhe të përgjegjshme.

Kërkesa jonë vjen si rrjedhojë e shqetësimit të ngritur nga operatorët e tregut në lidhje me nivelin e licencimit, pasi parë në këndvështrimin tonë miratimi i VKM-së do të sjell probleme në funksionimin e tregut të hidrokarbureve duke mos përjashtuar edhe mbylljen/pezullimin e shitjes së karburanteve deri në marrjen parasysh të mendimeve të shoqatës dhe pasqyrimin e tyre në VKM.

Për sa më sipër, ju kërkojmë që të na organizojnë një takim me Ju, stafin tuaj dhe bashkitë kryesore në mënyrë që të diskutojmë mbi përcaktimin e nivelit të ri të tarifës së licencimit të tregtimit me pakicë.

Duke besuar se do ta merrni parasysh plotësimin e kësaj kërkese në një kohë sa më të shpejtë. Ju falënderojmë dhe ju vëmë në dijeni se mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button