Home / Politika / Dade pret ambasadorin maltez: Opozita s’mund të mbahet peng nga individë që i tremben drejtësisë

Dade pret ambasadorin maltez: Opozita s’mund të mbahet peng nga individë që i tremben drejtësisë

Kryetarja e komisionit të Jashtëm, Arta Dade, priti të mërkurën ambasadorin e Maltës, Godwin C. Pulis, vendi i te cilit drejton Presidencën e BE-së.

Pasi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Malta i ka dhënë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në avancimin e procesit të integrimit në BE, Dade shprehu gatishmërinë e maxhorancës për të diskutuar për të ashtuquajturat “shqetësime të opozitës”, por kjo duhet bërë vetëm përmes parlamentit, i cili duhet të përmbyllë strukturat për Vetingun dhe të vazhdojë punën për reformat, tha ajo.

Kontributi i opozitës është i mirëpritur. Por, opozita nuk mund të mbahet peng nga individë që i tremben drejtësisë së paanshme e profesionale, si edhe nga ata që kanë qenë faktor frenimi në proceset integruese e mbijetojnë në politikë përmes konfliktualitetit e destabilizimit”, u shpreh Dade.

Ambasadori Pulis tha se Malta ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit në përgjithësi dhe e integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në veçanti. Deri para pak kohësh Shqipëria iu afrua me hapa shumë të shpejta hapjes së negociatave, por fatkeqësisht ky avancim u ndal nga zhvillimet e fundit.

Malta, e interesuar drejtpërdrejt për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, do të vazhdojë të lobojë në favor të Shqipërisë edhe tani që ka Presidencën, por ju duhet të punoni për të eliminuar shqetësimet që kanë vendet anëtare dhe të përpiqeni të krijoni konsensus për sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe kushteve të shprehura nga Komisioneri Hahn, theksoi ambasadori. “Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë”, shtoi Pulis.

Leave a Reply

%d bloggers like this: