IntervistaOpinion

Loja e interesave serbe në Tiranë

Doktor Sabit Brokaj, si gjithnjë, edhe këtë radhë është i drejtpërdrejt në analizën që i bën situatës politike në vend dhe në qëndrimin e prerë ndaj protestës që po bën opozita prej afro dy javësh në bulevardin përballë Kryeministrisë.

Pse mendon Dr. Brokaj se e vetmja kauzë e kësaj proteste është pengimi i vetingut dhe reformës në drejtësi, ndërsa shprehet i palëkundur se vetingu dhe reforma në drejtësi do të bëhen. “Duam apo s’duam ne, vetingu do të bëhet. E ka kotë Berisha dhe Basha që duan ta pengojnë. Kjo reformë është e pandalshme. Do bëhet si do çeçua. Dhe Çeçua ka biçak…” thotë Dr. Brokaj.

Në vijim të intervistës, Dr. Brokaj thekson se “Opozita nuk besoj se e ka mendjen tek qeveria teknike, që këmbëngul se do të na garantoka zgjedhje të lira e të ndershme, por e ka mendjen tek Vetingu”, thotë ai. Si komenton ai thirrjet për luftë të Bashës dhe një paralele me trazirat e vitit ‘97, autorët e krimit të atij viti të zi janë ende të pandëshkuar.

Ish-ministri i Mbrojtjes mendon se pas Bashës është dora e Berishës dhe interesat antishqiptare në përpjekjen e dëshpëruar për destabilizimin e vendit. Tkurrja e PD-së dhe pamundësia për të shkaktuar trazira të reja dhe destabilitet. Megjithatë Dr. Brokaj bën thirrje për vigjilencë kur shprehet se “krime dhe situata trazirash Berisha krijon, sepse këtë kujtesë na e dikton përvoja me këta persona të inkriminuar deri në fyt në këta 26 vjet. Si provokatorë deri në vrasje”.

Pse Dr. Brokaj e sheh normal koalicionin PS-LSI në zgjedhjet e ardhshme parlamentare…

– Doktor, një intervistë politike me ju aktualisht nuk mund të fillojë ndryshe, përveçse lidhur me protestën e opozitës dhe posaçërisht të Partisë Demokratike që po vazhdon prej afro dy javësh. Mendoni se ka kauzë kjo protestë?

– Po, kini të drejtë që duhet të flasim para së gjithash për këtë protestë. E unë mendoj se e ka një kauzë të rëndësishme kjo protestë. Por unë mendoj se kauza e vërtetë nuk është ajo që artikulohet natë e ditë nga Berisha, Basha e të tjerë gjoja për zgjedhje të lira dhe të ndershme në datën 18 qershor. Jo, kjo atyre u intereson më pak se çdo gjë tjetër, pasi ata janë identifikuar si dhunuesit më të mëdhenj të votës së qytetarëve dhe zgjedhjeve të lira. Gjatë këtyre dy javëve është vërtetuar katërcipërisht se kauza e kësaj të ashtuquajture protestë është ndalimi i procesit të vetingut, ndalja e reformës në drejtësi dhe gjithë reformave që kanë nisur të bëhen në këtë vend. Opozita nuk besoj se e ka mendjen tek qeveria teknike, që këmbëngul se do të na garantoka zgjedhje të lira e të ndershme, por e ka mendjen tek Vetingu. Pra, ajo, çfarëdolloj operacioni që të bëjë, synimin e vetëm ka krijimin e një situate të destabilizuar kur kanë mbetur edhe rreth tre muaj nga zgjedhjet. Po theksoj se PD synimin primar e ka që të mos bëhet Vetingu apo të shtyhet, në një kohë kur raportet politike të mund të ishin ndryshe. Pra, edhe qeveria teknike, edhe kërkesat e tjera, janë në funksion të pengimit të Vetingut.

– Sidoqoftë kjo protestë ka shkaktuar një tension politik…

– Jo, unë nuk mendoj kështu. Ajo çadër në mes të bulevardit është një turp për Shqipërinë e vitit 2017. Kjo protestë e tyre është jashtë një zhvillimi të caktuar politik. E ashtuquajtura “kauzë” e tyre nuk krijon tension as politik dhe as shoqëror. E kini vënë re se sa të qetë janë shqiptarët gjatë këtyre ditëve? Shumë të qetë dhe pa asnjë merak se do të ketë destabilizim. E them me bindje këtë, sepse jam në kontakt të vazhdueshëm me pjesën më të shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Nuk krijon, si të thuash, psikozën e luftës politike. Kjo “luftë” ekziston vetëm në mendjet e sëmura të Berishës dhe të Bashës. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë, ndaj dhe janë krejtësisht të qetë. Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në kushtet kur këta nuk merren pikërisht me mekanizimin e zgjedhjeve, që është Kodi Zgjedhor, kuptohet që është një kauzë false. Prandaj, me kauza false nuk ngrihet morali i kontingjenteve politike të PD ose të atyre që e mbështesin atë. Mua më çudit fakti që ka ende ca njerëz që vazhdojnë t’i shkojnë pas kësaj force politike…

– Të mos harrojmë Doktor se kjo protestë përkon me 20-vjetorin e trazirave të vitit 1997… Ndërkohë që Basha bëri thirrje ditët e fundit edhe për luftë e dhunë. Sa të rrezikshme janë këto thirrje luftënxitëse?

– Shikoni, kjo parti, pra PD-ja qysh në shfaqjen e saj e ka nisur me gjak dhe me dhunë, duke filluar me dy prillin në Shkodër, me zgjedhjet e përgjakura të 26 majit, me trazirat e përgjakura të pranverës së 97-s, me grushtin e shtetit në shtator 98… Dhunë dhe gjak është historia e saj. Ndaj mendoj se kërcënimet për dhunë, me ata njëqindmijtë që do të bënin çudira etj., ato deklarime të Bashës e Berishës fshehin frikë, por shpërfaqin koshiencën dhe mendjen kriminale të tyre. Sali Berisha është shumë më tepër se një kriminel ordiner. Ai një fatkeqësi kombëtare. Por unë mendoj se kjo ka mundësi të ngjasë. Nuk gjen as në Mamurras, siç thoshte Berisha dikur, që me 300 veta mund të rrëzonte qeverinë. Ju siguroj që as 30 nuk i bën dot që të ushtrojnë dhunë sot në vitin 2017. Megjithatë, krime dhe situata trazirash Berisha krijon, sepse këtë kujtesë na e dikton përvoja me këta persona të inkriminuar deri në fyt në këta 26 vjet. Si provokatorë deri në vrasje. Pra, mund të presësh çdo gjë prej tyre. Ata i fryjnë natë e ditë zjarrit dhe përçarjes kombëtare dhe kjo është fatkeqësi për ta, pasi e kanë humbur tërësisht kredibilitetin në popull dhe nuk po gjejnë vrimë ku të futen nga rrebeshi që po vjen me zbatimin e reformës në drejtësi.

– Basha është shprehur vazhdimisht se me Ramën kryeministër nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj dhe kërkojnë largimin e Ramës si kusht. Sa normale është kjo kërkesë?

– Është një absurditet. Për Ramën kryeministër mund të kesh pakënaqësi dhe vërejtje sa të duash. Por të kërkosh që të largohet Rama si kryeministër, që nuk ka asnjë precedent penal dhe nuk ka mbi vetë asnjë akuzë që ta penalizojë dhe ky të pasohet nga një person si Basha, mbi të cilin rëndojnë akuza të rënda penale për të cilat ai duhet të përgjigjet para drejtësisë, kjo është një marrëzi që nuk mund ta pranojë asnjë mendje normale njerëzore dhe është një fyerje e madhe për qytetarët e këtij vendi. Pse e them këtë? Sepse Basha dhe Saliu janë vrasës. Si mund të harrojnë qytetarët e këtij vendi se atje ku ata kanë ngritur çadrën, Saliu si kryeministër dhe Basha si ministër i Brendshëm vranë katër njerëz gjashtë vjet më parë. Dhe ky krim është i pandëshkuar edhe sot e kësaj dite dhe që të mos ndëshkohen kurrë dalin kundër vetingut që të mos funksionojë drejtësia. Tjetër. Është po ky Bashë që ka kryer një akt të pashembullt tradhtie kombëtare, me zë dhe me figurë, ka shitur qindra kilometra katror të hapësirës sonë detare Greqisë. Pa folur edhe për vepra të tjera penale.

Sabit Brokaj

Sabit Brokaj

– E megjithatë, Lulzim Basha vazhdimisht po flet dhe paraqitet te ndjekësit e tij si kryeministër i vendit pas Ramës. Ju nuk kini pse ta kontestoni për këtë, është e drejta e tij nëse partia që ai drejton merr votat e nevojshme dhe fiton zgjedhjet e ardhshme…

– Kjo është sa për të qeshur, aq edhe për të qarë. Ky është një karagjozllëk i neveritshëm. Ai nuk i fiton kurrë votat e nevojshme, ashti si PD pas 22 marsit 1992 nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje. E pra ky njeri kaq i inkriminuar kërkon të bëhet kryeministër i vendit! A nuk ka ironi më të madhe dhe fyerje më të madhe për shqiptarët e mençur dhe patriotë të këtij vendi?! Si mund të pranohet të na udhëheqë një person i tillë grotesk? Lulzim Basha është një Don Kishot i pështirë dhe krejtësisht i pabesueshëm në ato që thotë e bën ditë për ditë. E kini dëgjuar Bashën si thotë: Unë do të jem kryeministër i Republikës së re dhe do të mendoj natë e ditë vetëm për qytetarët! Pikë e zezë! Berisha, Lulzim Basha dhe shumë drejtues e politikanë, edhe gjetkë, por veçanërisht në PD dhe rrotull saj, janë objekt i Vetingut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Kjo është provuar. Ka gati dy vjet që po luftojnë me të gjitha forcat, me të gjitha mënyrat, kanë përdorur të gjitha mënyrat, që ta shmangin Vetingun ose ta deformojnë. Kështu që, ky është një veprim tjetër i tyre kundër Vetingut, natyrisht shumë i sforcuar, por nuk kanë ç’të bëjnë sepse po e ndjejnë litarin që po u ngushtohet.

– Ju mendoni se vetingu do të bëhet?

– Pa asnjë dyshim. Përderisa këtë çështje e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët, sidomos SHBA dhe BE, vetingu do të bëhet. Janë akorduar paratë për këtë proces, janë caktuar njerëzit… Duam apo s’duam ne, vetingu do të bëhet. E ka kotë Berisha dhe Basha që duan ta pengojnë. Kjo reformë është e pandalshme. Do bëhet si do çeçua. Dhe Çeçua ka biçak dhe këtë radhë e ka marrë vërtetë seriozisht këtë punë. Ndërkombëtarët kanë vendosur të bëjnë këtu shtet ndaj dhe në shumë raste e kanë mbështetur përpjekjen e Ramës. Ata po luftojnë që procedura në Parlament të kalojë dhe të mos bëjnë ndonjë lojë votash. Kaq është vëmendja e ndërkombëtarëve, të cilët janë mësuar me palaçollëqet e politikës shqiptare. Por këtë radhë mua më duken më të vendosur se kurrë ndonjëherë më përpara. Me sa duket edhe atyre u është sosur durimi, ndërsa e kanë mësuar dhe janë bindur se kush është pengesa në rrugën e progresit.

– Po i rikthehem edhe njëherë Bashës. Ju mendoni se pas tij apo mbi të është Berisha?

Pse, ju kini dyshim për këtë? Basha është thjesht një prej karagjozve. As që diskutohet që pas tij dhe mbi Bashën është Berisha që luan të gjitha fijet. Ai komandon, thur plane, jep urdhra natë e ditë për destabilizimin e vendit. Por mund të shkojmë edhe më tej: Pas Berishës janë interesat antishqiptare të armiqve tanë tradicionalë dhe shekullorë. Unë kam folur gjithnjë hapur dhe kam theksuar se janë interesat e huaja, kryesisht serbe që komandojnë Sali Berishën. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë iluzion as tek ju si gazetar dhe në gjithë opinionin shqiptar. Ua kam thënë edhe herë të tjera se Sali Berisha është lojtar i interesave serbe në Shqipëri. Se ku venë interesat serbe në Shqipëri, të gjithë e dinë. Berisha e ka provuar konkretisht rolin e tij në skenarin antishqiptar lidhur me konfliktin në Kosovë, lidhur me furnizimin e serbëve me naftë, lidhur me situatat destabilizuese që krijonte në Shqipëri, kur duhet të ishte vëmendja e përqendruar dhe mbështetja për Kosovën. Kjo është tashmë shumë e njohur dhe ma merr mendja gjerësisht e pranuar. Kjo situatë, natyrisht që u shërben interesave serbe, sidomos në këtë periudhë kur politika serbe dhe ajo ruse kanë ndërmarrë një ofensivë për ta trazuar Ballkanin. Kjo është nësinkron me këto interesa.

– Tani edhe një pyetje të fundit, Doktor: Duket se PS dhe LSI do të hyjnë sërish bashkë në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërkohë që ka zëra kritikë që kërkojnë që këto dy forca të shkojnë ndarazi në zgjedhje. Si do ta komentonit këtë fakt?

– Më duket se kjo do të jetë një zgjidhje imponuar nga rrethanat aktuale dhe mbase kjo do të ishte një zgjidhje normale. Dhe në këtë proces unë mendoj se ka një logjikë politike që imponon zgjidhje të tillë. Aq më tepër kur përballë ke një opozitë tërësisht destruktive dhe pa alternativë qeverisëse. Përderisa koalicioni funksionoi për katër vjet dhe reformat filluan të ecin, është normale që ky bashkëpunim të vazhdojë. Natyrisht që ka edhe do të ketë fërkime dhe mospërputhje mendimesh e veprimesh, por këto mendoj se janë të ndreqshme në rrugë e sipër.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button