Home / Opinion / 3 marsi – festa kombëtare e Bullgarisë

3 marsi – festa kombëtare e Bullgarisë

Selim Hoxhaj

Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri

Sot Bullgaria shënon Festën e saj kombëtare. Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Marrëveshja e paqes, e cila i dha fund Luftës Ruso-turke. Lufta çlirimtare për Bullgarinë është një vazhdim logjik i rilindjes kombëtare dhe i luftërave për pavarësinë e popullit bullgar në kohën e sundimit pesëshekullor osman. Karakteristike për këto luftëra është, se ëndrra për pavarësi gërshetohet me ide të ndikuara nga Revolucioni i madh francez – për rregullim demokratik të shtetit të ardhshëm. Heroizmi i popullit gjatë Kryengritjes së prilli të vitit 1876 dhe shpartallimi i saj i egër e bënë çështjen bullgare ndërkombëtare. Në mbrojtje të bullgarëve u ngritën personalitete si Viktor Hygo, Dostoevski dhe Oskar Uajld, politikanë të shquar si Xhuzepe Garibaldi dhe lideri i liberalëve britanikë Uiljam Gladstoun.

Në fund të vitit 1876 në Stamboll u thirr një konferencë, ku të dërguarit e fuqive të mëdha evropiane i propozuan Perandorisë osmane t’i japë Bullgarisë autonomi të gjerë. Refuzimi i qeverisë osmane çoi në ndërhyrjen e Rusisë, e cila në prill të vitit 1877 i shpalli luftë Turqisë. Ofensiva filloi në dy fronte: në Kaukaz dhe në Ballkan. Përfshirja e Rumanisë në luftë në anën e Rusisë u dha mundësi ushtrive ruse të kalojnë lumin Danub dhe të depërtojnë në jug në territoret bullgare. Krahas ushtrisë ruse luftuan dhe vullnetarët bullgarë. Popullsia bullgare ndihmoi për furnizimin e rusëve, për kalimin e tyre nëpër rajonet e vështira malore, mblidhte të dhëna të zbulimit.

Perandoria osmane u përgjigj me një ushtri madhështore për kohën e saj, e armatosur dhe e stërvitur në mënyrë moderne. Një prej betejave më të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të veprimeve luftarake ishte për grykën Shipka në malin Stara planina. Aty në muajin gusht një repart i ushtrive ruse bashkë me vullnetarët bullgarë luftuan kundër ushtrisë së Sulejman pashës, e cila dominonte për nga numri i saj. Por rusët dhe bullgarët demonstruan heroizëm të paparë dhe mbrojtën grykën që kishte rëndësi vendimtare për luftën.

Një përfundim të suksesshëm kishte edhe një beteje tjetër e rëndësishme – ajo për qytetin Pleven në Bullgarinë Qendrore Veriore. Pas sulmeve heroike dhe rrethimit të vazhdueshëm nga ana e ushtrive ruse dhe rumune në fund të nëntorit të vitit 1877 Pleveni ra dhe asgjë tjetër nuk ishte në gjendje të ndaloi sulmin e çlirimtarëve. As acari i tmerrshëm, as rrugët e pakalueshme malore. Trupat ruse, të ndihmuar nga popullsia vendase kaluan malin, befasuan dhe shpartalluan njësitë turke në operacionet vendimtare pranë Sofjes, Shipka – Shejnovo dhe Plovdivit.

Më 3 mars në Shën Stefani pranë Stambollit u nënshkrua marrëveshja paraprake e paqes, e cila u dha pavarësi trojeve me popullsi dominuese bullgare. Nën presionin е disa shteteve perëndimore Marrëveshja e Shën Stefanit ishte revizionuar nga Kongresi i Berlinit në korrik të vitit 1878. Kështu nga Bullgaria Veriore dhe qarku i Sofjes u krijua Principata Bullgaria. Trojet në jug të malit Stara pllanina nën emrin Rumelia Lindore u veçuan në një krahinë autonome në Perandorinë osmane. Trojet në Maqedoni dhe Trakinë e Endrinës për shumë vite mbetën nën pushtetin e drejtpërdrejtë të Portës së Lartë. Kauza e përgjithshme evropiane për të drejtat e bullgarëve, e cila i dha shtytje Luftës çlirimtare përcaktoi dhe rezultatet e mira përfundimtare pas saj. Një vit pas çlirimit Principata Bullgaria miratoi Kushtetutën e saj–një prej më demokratikeve për Evropën e atëhershme. Në rrugë demokratike zhvillohej dhe Rumelia Lindore, e cila në vitin 1885 u bashkua me Principatën Bullgaria. Për Bullgarinë filluan vitet e modernizimit dhe vrullit në sferat e ekonomisë, shkencës dhe kulturës.

Sot  Bullgaria prej 10 viteve është anëtare e Bashkimit Evropian dhe të NATO-së, faktor  stabiliteti në Ballkan dhe zhvillon marrëdhënie të fqinjësisë së mirë  me të gjitha vendet e rajonit.  Disa vite pas rivendosjes së shtetit bullgar në simbolet kombëtare u shtua  mbishkrimi “Bashkimi e bën fuqinë” dhe kjo parullë  vlen edhe në ditët tona  dhe sidomos  për vendet ballkanike, që duhet të bashkohen që të  arrijnë përparim.

 

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: