Opinion

ATDHEMOHUESIT

Nga Bedri Islami
Presidenti maqedonas shpalli hapur platformën e tij antishqiptare në të njëjtën linjë me shefin e tij politik, Gruevski.
Asnjëherë më parë, as në kohën e regjimit rankoviçian, liderët politikë sllavo-maqedonas nuk kanë pasur guximin të dalin kaq haptas, brutalisht dhe egërsisht kundër shqiptarëve, që padrejtësisht banojnë në një shtet ku i hodhi cungimi, aq më tepër kundër gjuhës shqipe dhe së vërtetës shtetformuese të shqiptarëve.
Nëse deri tani loja e “Marrëveshjes së Ohrit” ishte një farsë e njohur, tani, mohimi i saj, është në fakt një shpallje lufte.
Por shënimi im nuk ka të bëjë me grushtshtetin e presidentit Ivanov. Ai, si kukull politike, vendosi ashtu si e kurdisën. Tani, në një pjesë të maqedonasve, jo rastësisht, janë ndezur epshet nacionaliste, të cilat, as më shumë e as më pak, shprehin verbërinë politike ndaj popullsisë shqiptare, e njëkohësisht, synojnë të mbyllin krimet e bëra në vitin e fundit, jo vetëm ndaj shqiptarëve.
Nacionalizimi maqedonas më shumë i ngjan sot perdes që synon të mbyllë krimin.
Ka disa ngjashmëri të pabesueshme mes opozitës në Tiranë dhe politikës së Gruevskit, të cilat nuk janë thjeshtë një fatalitet, por shumë më tepër se sa kaq. Ata të bëjnë të mendosh se mes dy forcave politike është shumë më tepër se sa një rastësi politike.
Le t’i analizojmë disa prej tyre:
1. Partia e drejtuar nga nacionalisti Gruevski dhe ajo e drejtuar faktikisht nga zoti Berisha, në thelbin e tyre janë thellësisht antievropiane. Asnjëherë më parë, dy forca politike të së djathtës, siç pretendohet të jenë, nuk janë kaq shumë agresive ndaj mendimit politik evropian, egërsisht kundër synimeve për të qenë pjesë e botës perëndimore dhe përcjellëse të një fryme prosllave dhe mohuese.
Gruevski njihet prej shumë kohe si një antievropian i thekur dhe këtë e ka bërë edhe duke ua marrë paratë botës së saj financiare. Prej shumë kohe ai ka shkelur mbi të gjitha parimet e lirisë, të të drejtave të njeriut dhe qytetarisë, duke e kthyer pushtetin e tij në një makth për lirinë.
Që nga dalja në opozitë, krejt haptas, e më herët mjaft manipuluese, forca politike e drejtuar nga Berisha, PD-ja, që ka vendosur në drejtimin juridik një sozi të njeriut pa formë si Basha, ka shpallur kredon e saj politike, duke shpallur armiq dhe të korruptuar çdo elitë perëndimore, e cila jo rastësisht, duke e ditur këtë sjellje politike, i ka vënë kushtet prej të cilave do ishte e vështirë të lëvizje. E megjithatë, ajo ka lëvizur. Mediat e shkruara dhe portalet e opozitës, sidomos të pinjollit mistrec dhe të korruptuar, Berisha, kanë shpallur armiq të gjithë forcat perëndimore, të cilat kanë kërkuar dhe kërkojnë procese të thelluara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për çlirimin e hapësirave politike të zëna prej kohësh nga njerëz të cilët dëmet e sjella në botën shqiptare, i kanë të shumëfishuara.
2. Partia e Gruevskit realisht është e mbështetur fuqishëm në klanet serbe brenda saj dhe orientimin e saj proserb e prorus e ka jashtëzakonisht dominues. Jo vetëm nga lidhjet e krijuara prej shumë kohësh, por edhe nga perceptimi i politikës putiniste si domosdoshmëri, partia e drejtuar prej tij është kthyer në një shtojcë të forcave politike proruse e proserbe.
Në partinë e Gruevskit mjaft ish-pjesëtarë të shërbimit të fshehtë serb kanë bërë karrierë të njohur politike, disa nga të cilët kanë qenë drejtues të rëndësishëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme apo të shërbimit sekret maqedonas.
Shpesh herë, jo rastësisht, të njëjtin frymëzim politik e gjejmë edhe në opozitën e tashme. Drejtues të saj të rëndësishëm, jo vetëm të së djeshmes, por edhe të tanishëm, lidhjet dhe frymëzimet e tyre i kanë pikërisht nga relacionet e krijuara me shërbimin e fshehtë serb dhe, nëse dikur, fakti që kishe qenë i dënuar si bashkëpunëtor i UDB-së, ishte një alibi për të ardhur në pushtetin demokratikas, sot lidhjet me strukturat financiare serbe të krijuara nga shërbimi i tyre sekret janë vazhdimësi e së djeshmes.
Drejtuesit më të rëndësishëm të opozitës asnjëherë nuk kanë sqaruar faktin se si në lidhjet e tyre më të fuqishme politike e financiare kanë qenë të pranishëm dhe shpesh herë determinues elementë të politikës së fshehtë serbe ose të lidhur ngushtë me to.
Që nga janari i vitit 1991, kur për herë të parë një pjesëar i familjes Bulatinoviç erdhi në Tiranë dhe dorëzoi tek Azem Hajdari hisen e ndjeshme të dollarëve, si pjesë e ndihmës për të “shembur komunizmin”, këto lidhje nuk kanë heshtur asnjëherë. Në pikat më determinuese ato kanë qenë edhe përcaktuese, si thyerja e embargos, duke furnizuar makinerinë vrastare të Millosheviçit, tregtia ilegale e armëve, qëndrimi thellësisht armiqsor ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas, ndaj Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, bashkëpunimi i Gazidedes me shërbimin e fshehtë serb dhe Arkanin, grushti i shtetit në shtatorin e vitit 1998, njkohësisht me ofensivën serbe në zonën e Dukagjinit, etj, etj.
Kjo ndërlidhje është edhe tani, megjithëse e heshtur dhe në forma të tjera.
Rasti Fazlliç, miku i shtëpisë së ish-kryeministrit Berisha, që tani ia ka harruar derën e shtëpisë, dhe miku i fshehtë i L.Bashës, bizneset e përbashkëta i vazhdojnë përmes “kunetërve”, mentaliteti politik në krijimin e situatave dhe delegimi i së keqes përmes tellallëve, shfrytëzimi i shtetit përmes pinjollëve familjarë, reagimi i egër ndaj shtetit të së drejtës, refuzimi për të njohur shtetin e tyre, janë në të njëjtën linjë me atë të Gruevskit.
3. Droja ndaj krimit që kanë lënë pas vetes.
Në Maqedoni, njëra ndër kërkesat themelore të partive politike shqiptare është vazhdimi i punës së Prokurorisë Speciale, që nuk u pranua nga Gruavski, i cili, nëse gjërat do të shkojnë si duhet, do të jenë objekt i kësaj prokurorie.
Në Shqipëri , krejt haptas, opozita kundërshton Vetingun dhe ligjet e miratuara, duke e shpallur haptas synimin për përmbysjen e tij.
Është e njëjta lojë politike në të dy anët.
Politika e Gruevskit është e mbushur me krime. Krime financiare, krime politike, krime kundër jetës së njeriut.
Të gjitha aferat mund të hapen nga Prokuroria Speciale dhe shansi më i madh për hapjen e tyre do të jetë nëse ai nuk është në pushtet. Që nga afera e përgjimeve të paligjshme e deri tek vrasjet në Kumanovë, duke patur në mes qindra akte vjedhje të pamëshirshme. Hapja e tyre do të ishte fundi për nacionalistin maqedonas, i cili, si askush tjetër ka luajtur me termat “popull”, “për popullin”, “popullit pushtetin”, ndërkohë që këtë popull e ka rrjepur deri në palcë.
E njëjta gjë shfaqet në Shqipëri. E njëjta tabllo. Vetingu mund të hapë Gërdecin dhe pas Gërdecit fshihet familjarisht, me të gjithë çka bëjnë pjesë në të, që nga ai që e ngriti krimin dhe deri tek ata që deshën ta fshihnin. Mund të rihapet 21 janari dhe në të janë të përfshirë thellësisht dy liderët, i vjetri, i vërteti, dhe i riu, firifiu. Është e lehtë të ndjekësh një masakër nga tarraca e kryeministrisë, por nuk është e lehtë të jesh në një sallë gjyqi.
Të dy ata e dinë krejt mirë krimin dhe, duke bërë bashkë me dhjetra e qindra krime të tjera, frika e tyre dhe lufta për mbijetesë, është e justifikueshme. Por, kur këtë e kërkojnë, si Gruevski, në emër të popullit, për popullin e me popullin, kjo është e neveritshme.
4. Analistët.
Në krahun e liderit nacionalist maqedonas është rreshtuar, shpesh herë edhe blerë, një tufë analistësh, të cilët, edhe tani, të keqen e shohin tek gjuha shqipe, tek shqiptarët, tek bashkëjetesa normale. Ata “gjetën” armikun Soros, ata “gjetën “ armikun në Tiranë, ata janë të gatshëm të zbardhin të zezën.
Kjo ndodh edhe në Shqipëri.
Të vetmit që mbështetën me entuziazëm lajmin e rremë të një aleance të re Gruevski –Ahmeti, ishin liderët e PD-së. Ia donte zemra dhe ia tha goja.
Analistët e lidhur me qerren e tyre, kjo është punë vetjake e secilit, e kërkojnë të keqen ku nuk është dhe mbjellin të keqen. Frymëzues në distancë të “revolucionit demokratik” berishian, pasues të një lideri që e dinë krejt mirë se vetëm lider nuk është, të paktën të kishin heshtur.
Ballkani nuk rrezikohet edhe aq nga nacionalistët. Të çartur të jenë, gjithherë del dikush e ua tregon vendin.
Ballkani rrezikohet nga atdhemohuesit.
Mjerisht, jo shumë larg qendrës së Tiranës, i kemi të mbledhur në një çadër, disa prej tyre, që kanë ardhur në politikë, ose i kanë deleguar në politikë, pikërisht për të mohuar atdheun e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button