Politika

Politika: Rama të pezullojë Guvernatorin, drejtësia të veprojë

PD: Meritë e prokurorit, është zgjedhur në kohën e PD-së 

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama, gjate seances se pare parlamentare ne hapje te Sesionit te Trete_1“Rama duhet të pezullojë dhe të shkarkojë Guvernatorin”, është ky qëndrimi i avokatit të njohur dhe njëherësh kreut të Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Duke komentuar arrestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ngjela thekson se tashmë organet e drejtësisë duhet të kërkojnë bashkëpunimin e organeve të tjera homologe siç është FBI. “Nuk e dimë arsyen sepse prokuroria duhet të shkëputet nga një praktikë e shëmtuar, ajo e krimit shtetëror. Arrestimi tregon se ka diçka më shumë se vjedhja e atyre 7 milionë lekëve. Goditja ka qenë drastike si për inspektoren, edhe për Guvernatorin. Jam koshient kur them se prokuroria shqiptare do të kërkojë ndihmën e organeve të specializuara jashtë shtetit, siç është FBI, apo dhe organeve të tjera simotra, në mënyrë që të bëhet një hetim i thellë. Është mbrojtur vjedhja e këtij skandali nga pushteti i mëparshëm. Kryeministri duhet ta pezullojë, kjo është e drejta ligjore e tij. Parlamenti e shkarkon dhe po Parlamenti do të emërojë guvernator tjetër. Janë shumë gjëra që kanë ecur gabim në atë bankë, ashtu siç tha dhe zonja në komision, që banka është han pa porta”, tha Ngjela. Ndërkohë që, i pari që ka reaguar nga politikanët në lidhje me lajmin e bujshëm për arrestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, si i vetmi që ka kërkuar pothuajse përditë largimin e tij nga ky post pas vjedhjes së Thesarit të Shtetit. Kreu i Komisionit të Ekonomisë shkruan se kushdo do të ketë përgjegjësitë e veta, pasi tashmë gjërat kanë ndryshuar. “Duhej vetëm durim!! Gjërat kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë në këtë vend!! Përgjegjësia është e para!”, shkruan deputeti socialist në rrjetin social “Facebook”. Ndërkohë që kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, tha dje se ajo që duhet të bëjë Guvernatori i Bankës është që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, çka do të sillte dhe zbardhjen e vjedhjes. “Vjedhja në BSH është skandal i madh financiar. Guvernatori Fullani nuk u arrestua nga firmat e mbledhura. Ajo që duhet të bëjë tashmë ai është që të bashkëpunojë me drejtësinë. Nuk duhet të komentojmë vendimet e prokurorisë, por të lëmë të zbardhet vjedhja. Gjykata ka një peshë të rëndë në shpatullat e saj dhe nuk besoj se do të mbarojë vetëm me çështjen e dëshmisë së Fullanit. Duhet të ketë arrestime të tjera”, ka thënë Braho. Edhe anëtari i Komisionit të Sigurisë, Pirro Lutaj, thekson se Guvernatori nuk duhet t’i shmangë përgjegjësitë e tij para drejtësisë në lidhje me vjedhjen e Thesarit që tashmë është kthyer në një skandal mbarëbotëror. “Askush dhe as Guvernatori Fullani nuk duhet të shmangë përgjegjësitë përpara drejtësisë në vend. Unë nuk e konsideroj shtetin qesharak si në kohën e Sali Berishës, por e konsideroj një shtet serioz dhe shtet në funksion të qytetarëve. Policia do bëjë detyrën e saj”, tha Lutaj në një prononcim për gazetën “Shqip”. Për deputeten socialiste, Blerina Gjylameti, kultura e pandëshkueshmërisë i përket së shkuarës. “Tanimë, kultura e pandëshkueshmërisë i përket së shkuarës. Disa do ta kenë më të lehtë të japin informacion nga ky moment”, shkruan anëtarja e Komisionit të Ekonomisë në rrjetin social “Facebook”. Të pakta kanë qenë reagimet nga deputetët e djathtë, ku anëtarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja e PD-së, thekson se prokurori që ka bërë arrestimin e Guvernatorit është zgjedhur nga PD-ja. “Thjesht fare kjo prokurori e ky kryeprokuror është zgjedhur në kohën e Kryeministrit Berisha, kështu që mos u mburrni me të! Thjesht, bravo kryeprokurorit dhe jo rilindësve. Edhe po të arrestohej drejtori i bankës, bashkëshorti i ministres, prapë nuk është meritë e Rilindjes, por e prokurorisë që po bën detyrën e saj kushtetuese. Mos u mburrni kot, nuk është meritë e juaja”, thotë ajo. Deputetja tjetër e PD-së, Albina Deda, thotë se kjo është një lojë e Kryeministrit Rama për të emëruar në këtë post Anastas Angjelin. “Prokuroria po bën detyrën dhe le të shprehet vetëm ajo. Apo kryehetuesi Rama do ta përdorë politikisht dhe njëkohësisht të bëjë Anxhelin kryehajdutin e tij pasardhës të Fullanit”, shkruan deputetja demokrate. Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, në reagimin e tij në “Facebook” ka theksuar se qeveria po përgatit “ustain” e Fullanit për ta vënë në vend të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button