Te ndryshme

Bie nga kati i 47 dhe… shpëton

Vetëm një e treta e atyre që bien nga tre kate lartësi, jetojnë. Pothuajse askush nuk i shpëton vdekjes nga rrëzimi prej 10 kateve. Pastruesi i dritareve Alcides Moreno është gjallë edhe pse ra nga një qiellgërvishtëse 47 kate të lartë, në Nju Jork.

Mëngjesin e 7 dhjetorit 2007, Moreno dhe vëllai i tij i vogël Edgar ishin në majën e kullës luksoze Solou në Manhatan. Duhet të pastronin xhamat dhe për këtë u ngjitën deri lart, ku temperatura ishte afër ngrirjes, e më pas nisën zbritjen nga çatia. Çdo gjë sipas rutinës së përhershme, me përjashtimin që këtë radhë struktura mbajtëse prej hekuri, do t’i tradhëtonte. “Në fillim, u shkëput kablloja e majtë, aty ku po qëndronte vëllai im. E pashë të gjithë skenën, e pashë të rrëzohej”, kujton Alcides. Edgari ra nga një lartësi prej 44 metrash.

Në kohën kur preku tokën, llogaritet që ai të ketë qenë duke rënë me një shpejtësi prej 193 km/h. Kur e gjetën ekipet e urgjencës, për të nuk mund të bëhej më asgjë. Nuk zgjati shumë që të këputej dhe ana e Alcides. Zjarrfikësit kujtojnë se kur e gjetën në tokë, nisën ta zhvendosin tmerrësisht ngadalë dhe me kujdes, sepse një lëvizje e vetme e gabuar mund ta vriste në vend.

Mjekët në spital e vunë menjëherë në koma të induktuar, gjendje në të cilën qëndroi për tre javë. Alcides kishte dëmtime në tru, shtyllën kurrizore, gjoks, bark, thyerje të brinjëve, krahut të djathtë dhe të dyja këmbëve. Iu nënshtrua një numri të madh operacionesh dhe rezultati ishte ajo që u përshkrua asokohe si “mrekulli mjekësore”. Sot, 46-vjeçari me origjinë nga Ekuadori e ka trupin të mbushur me shenja dhe për shkak të plagëve të kurrizit nuk vrapon dot.

Por, të paktën ecën dhe kjo i mjafton. Shëndeti i brishtë nuk e lejon të punojë më, por, po të mundej, do t’i rikthehej pastrimit të dritareve sepse, siç thotë dhe vetë, nuk ka asnjë problem me lartësitë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button