Kosova

OSBE përshëndet bashkëpunimin AGK-Prokurori

Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka përshëndetur takimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksanër Lumezi.

Ambasadori Jan Brathu përmes një letre publike e ka cilësuar si një arritje të rëndësishme dakordimin mes palëve që Zyra e Kryeprokurorit të nxjerrë vendimin përmes së cilit do të caktojë një prokuror në rolin e koordinatorit si dhe caktimin e nga një prokurori në prokuroritë themelore për rastet e gazetarëve.

“Ambasadori Brathu e cilëson këtë vendim si një arritje në krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

“Kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, Ambasador Jan Brathu, e mirëpret vendimin zyrtar të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi që të emëroj një prokuror nga zyra e tij në pozitën e koordinatorit për të gjitha rastet e dhunës dhe veprave kriminale ndaj gazetarëve. Vendimi që hynë në fuqi sot, po ashtu obligon Drejtuesit e Prokurorive Themelore që të emërojnë nga një prokuror që do të merret me rastet kur gazetarët janë viktima”, thuhet në letrën e Ambasadorit Brathu.

Ambasadori Brathu poashtu e vlerëson rritjen e  bashkëpunimit mes AGK-së dhe Prokurorisë si institucion.

“Misioni i OSBE-së uron Zyrën e Kryeprokurorit si dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për këtë vendim të rëndësishëm i cili në mënyrë drastike do të rrisë mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë”, thuhet në letrën e Misionit të OSBE-së.

Në njoftim thuhet se AGK mbetet e përkushtuar në krijimin e bashkëpunimit me të mirë me të gjitha institucionet e drejtësisë, gjithmonë duke synuar përmirësimin e situatës për ushtrimin e profesionit të gazetarit në Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button